TIRANË- Qytetarët mund të ndërrojnë operatorin celular duke ruajtur numrin e tyre, për të përfituar kështu nga ofertat që mund të bëjnë kompanitë. Për herë të parë në Shqipëri bëhet efektiv shërbimi i portabilitetit të numrit, që do të shoqërohet me rritje të konkurencës në tregun e telefonisë së lëvizshme dhe me përmirësim të shërbimeve për klientët. Ky moment shënon shkëputjen përfundimtare të pronësisë së numrit nga operatori dhe kalimin e tij në pronësi të individit.
"Që nga ky moment telekomunikacioni në Shqipëri, fillimisht në fushën celulare dhe më pas në të gjithë spektrin e tij do të njohë dimensione të cilat, ne që jemi këtu i kemi të vështira t’i parashikojmë. Do të njohë zhvillime shumë më të mëdha. Do të ndezë atë mekanizëm, i cili është faktuar si magjia e të gjitha magjive, konkurencën”, u shpreh kryeministri Berisha.
“Tregu do të jetë gjithnjë e më shumë në shërbim të përdoruesve, të cilët do bëjnë që operatorët të marrin me shumë seriozitet e me shumë kujdes kërkesat gjithnjë e në rritje të klientëve të tyre. Të mendojnë dhe të kujdesen që atyre tu ofrohen shërbime të kënaqshme në bazë të kërkesave gjithnjë e në rritje. Në këtë mënyrë do të gjallërohet më te konkurenca efektive, do të rritet më tej kujdesi ndaj klientit, do të zhvillohet dhe investohet me shumë ndaj kompanive”, tha ndër të tjera Kryetari i AKEP Pirro Xhixho.
Shërbimi i mortalitetit të numrit, ekzistenca e 4 operatorëve celularë në treg dhe zbatimi i metodologjive për orientimin në kosto të tarifave do të bëjnë që shumë shpejt Shqipëria përvec normës së lartë të penetrimit të telefonisë celulare, të ketë edhe tarifa që do të jenë në mesataren e vendeve të rajonit dhe Bashkimit Europian.
No comments:
Post a Comment