Prokuroria heton zgjedhjet, pritet arrestimi i dhjetëra komisionerëve në Tiranë

Çdo ditë që kalon zbardhen detaje të reja rreth manipulimit të zgjedhjeve lokale në Tiranë, procesi paszgjedhor, numërimi dhe rihapja e kutive nga KQZ-ja. Pak ditë më parë Ina Rama ka dhënë urdhër hetimin e zgjedhjeve në Tiranë pas kërkesës së PS-së e përsëritur dy ditë më parë. Po kështu dhe pas vizitës së kreut të OSBE-së, Volfarth në zyrën e Ina Ramës, hetimi është bërë më emergjent, pasi ndërkombëtarët kanë mësuar për masakrën e madhe që është bërë pas përfundimit të procesit me presion qeveritar dhe me vullnetin e 4 anëtarëve të KQZ-së.

Jo vetëm është konsideruar shkelje administrative, por edhe penale, pasi dëmet janë të mëdha. Lajmet e fundit nga organi i akuzës flasin për arrestimin e dhjetëra komisionerëve që kanë futur fletët nëpër zarfe, kuti, ndërrimin e kodeve, vulat e ndryshme dhe deri tek fletët tepër. Komisionerë, numërues dhe përfaqësues të Partisë Demokratike dhe LSI-së në të gjithë Tiranën pritet të mbushin qelitë së shpejti për të zbardhur atë që opozita e quan “Kanibalizëm elektoral”.

Por nga ana tjetër mësohet se ka nisur një hetim i veçantë edhe për Arben Ristanin, kreun e KQZ-së, i cili po rrezikon izolimin në qeli për herë të dytë, sepse ka thyer Kodin Zgjedhor dhe për më tepër ka dyshime se fletët mund të jenë hedhur edhe në zyrën e tij apo bodrumet e KQZ-së. Sipas procedurave që ndjek prokuroria, dy javët e para të qershorit pritet që të jenë tepër intensive.
(www.ama-news.al)

No comments:

Post a Comment