Filmi shqiptar “Maya” fitues në Festivalin e filmit në Britani

Filmi “Maya”, një kronikë provinciale shqiptare, i regjisorit Pluton Vasi, është nderuar me çmimin e Festivalit në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Swansea Bay Film Festival”, që zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar. Ky është një nga dy çmimet e mëdha që ky festival jep për prodhimet më të mira kinematografike. Filmi shqiptar konkurroi mes...
.... 90 filmave pjesëmarrës nga e gjithë bota. Sipas regjisorit Pluton Vasi, ky çmim është një shpërblim për punën e përkushtuar dhe plot dashuri të të gjithë stafit, që ia ka arritur të realizojë një film që sjell një problematikë të Shqipërisë së ditëve tona, duke na e përshkruar realisht varfërinë shpirtërore. “Bashkëpunëtorët ishin thuajse gati, sepse kishim vite që bashkëpunonim me njëri-tjetrin. Ishte një sinkronizim i jashtëzakonshëm me njëri-tjetrin dhe merreshim vesh me një shikim” - tha regjisori Pluton Vasi. Në role kryesore: Rovena Lule Kuka, Gent Kame dhe Muzafer Ziflaj. Skenari është shkruar nga poetja Luljeta Lleshanaku, muzika nga Hajg Zaharian dhe producente Vjollca Dedei.

Filmi, sipas regjisorit, pati sukses sepse është fryt i një pune serioze dhe përkushtim. Përveç filmit shqiptar “Maya”, fituesit në kategori të tjera ishin prodhime britanike, të Commonwealthit dhe 4 filma amerikanë në bashkëprodhim me Britaninë. “Maya” është një kronikë provinciale shqiptare, realizuar sipas skenarit të shkrimtares Luljeta Lleshanaku, që është mbështetur në tregimin e saj ‘Tullacja’ për këtë skenar filmi.

Në film shtjellohet përmes personazheve kryesore Maya dhe Samiu mentaliteti i prapambetur shqiptar bashkë me pasojat e tij. Pluton Vasi ia besoi rolin e tij kryesor Maya-n, Rovena Lules, që së bashku me partnerin e saj Samiun që luhet nga Genti Kame, kanë arritur të përçojnë mesazhin. I biri i një të dënuari vjen të gjejë një vend-varrimi për të atin dhe që në momentin e parë përballet me mentalitetin e bashkatdhetarët të tij. Gruaja e kushëririt të tij, Maya, artiste, gjen te Samiu njeriun me të cilin mund të komunikojë shpirtërisht. Kjo i çon drejt një lidhjeje intime, ata dashurohen. Shefi i Policisë, një adhurues i largët i Mayas, ndërhyn për të penguar këtë lidhje. Burri i Mayas lufton për mbijetesën, por tashmë i tallur nga i gjithë komuniteti, që rri thjesht pa punuar.

Të gjithë mundohen ta fusin Samiun në kurth. Në film flitet pa doreza për kontrabandën, terrorizmin, metodat e policisë për të vënë “rendin”, por nga ana tjetër, ndërsa arrin të zbërthejë edhe një marrëdhënie të vështirë treshe, burrë-grua-i dashur, në një shoqëri që edhe pse e jeton përditë këtë situatë e ka vështirë të përballet ende me të vërtetën. Filmi do të jetë shpejt në kinematë e kryeqytetit dhe mëton të hedhë me guxim idenë se filmi shqiptar është në kërkim të identitetit të tij të ri.
(www.mapo.al)

No comments:

Post a Comment