Kjo do të thotë se edhe gjatë vitit të ri akademik pjesa më e madhe e studentëve që do të konkurrojnë për të ndjekur shkollën e lartë në një prej gjuhëve të huaja, do të shpallen fitues në bazë të pikëve të Maturës, dhe eksperienca ka treguar se pjesa më e madhe e tyre nuk kanë aspak njohuri për gjuhën që u del e drejta e studimit.
Prej gati 5 vitesh Fakulteti i Gjuhëve të Huaja ka dhënë alarmin për nivelin e ulët të studentëve që rezultojnë kalues, thënë ndryshe, numrin e lartë të studentëve jokalues dhe shifra është vërtetë tronditëse. Gati 80% e studentëve që ulen për herë të parë në auditorët e këtij fakulteti, nuk arrijnë të kalojnë stadin e vitit të parë, sidomos për gjuhët turqisht, greqisht, gjermanisht apo rusisht. Rezultate disi më të pranueshme ka vetëm dega e anglishtes dhe italishtja.
Sipas drejtuesve të fakultetit, të rinjtë edhe pse shpallen fitues nga MASH kanë mungesë të theksuar njohurish në gjuhët e huaja, të cilat i kanë përzgjedhur. Kësisoj, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja po përballet çdo vit me shumë studentë të painformuar për gjuhën që kanë zgjedhur të studiojnë. Studentët, megjithëse kanë vënë në preferencat e tyre gjuhët e huaja, vijnë në fakultet pa asnjë njohuri rreth tyre.
Për këtë arsye, gjithmonë sipas drejtuesve të këtij fakulteti, është mëse e domosdoshme vendosja e kritereve të reja të pranimit për në universitet dhe zgjidhja e situatës për ata studentë që kanë hyrë tashmë në fakultet, për të mos humbur ato vite studimi që kanë kryer. Për zgjidhjen e këtij problemi është propozuar që vitin e parë studentëve t’u ofrohet një njohuri bazë rreth gjuhëve të huaja, ndërsa në vitet e tjera të ketë zhvillim të mëtejshëm të njohurive. Pra, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja për studentët që nuk e njohin fare gjuhën ku studiojnë ka krijuar disa lehtësi, si kalimi i lëndëve teorike në vitin e dytë dhe më shumë orë për njohjen e gjuhës, por kaq janë shumë pak për të rritur nivelin e studentëve pranë tij.
(www.mapo.al)
No comments:
Post a Comment