Skender Gjinushi: PS s’na la zona të lira, na vodhi dhe votat

Kreu socialdemokrat, Skënder Gjinushi, duke analizuar rezultatin zgjedhor të kësaj partie, akuzon Partinë Socialiste se i ka tjetërsuar votat, duke i shpërndarë brenda koalicionit.Gjinushi sjell shembuj kur kandidatët e tij për këshilltar nuk kanë parë të pasqyruar në procesverbale më pak vota nga ato që ishin numëruar. Duke folur për zgjedhjet e Tiranës, Gjinushi shprehet se...

..... KQZ përdori standard të dyfishtë kur shumicën e votave të hedhura gabim, i cilësoi të panumërueshme ndërsa vetëm një pjesë të vogël e numëroi dhe përfshiu në rezultat.
Deklaratat më të fundit të faktorit ndërkombëtar, Bashkimit Europian dhe SHBA japin mesazhe të qarta për klasën politike shqiptare. Si i lexoni ju ato?


Të tërë janë përqendruar në atë që një nga aspektet që do ndikojë shumë në vlerësimin e zgjedhjeve, është zgjidhja e krizës së Tiranës, për arsyen e thjeshtë se Tirana është kryeqyteti dhe kjo ka rëndësi të veçantë dhe për arsyen tjetër, sepse po manipulohet hapur vullneti politik. Nuk ka naiv që të mendojë se një maxhorancë vendos të manipulojë rezultatin në momentet e fundit. Ajo rikonfirmon tashmë gjithë ato denoncime që janë bërë periodikisht dhe që konfirmon atë që ne kemi thënë, se me këtë qeveri s’mund të ketë zgjedhje të standardeve. Bazë për manipulimin në Tiranë është raporti i ODIHR-it, ku thuhet se KQZ ka vetëm një detyrim dhe detyrë sa i takon rezultateve zyrtare, vetëm t’i shpallë ato dhe, rezultati legjitim është ai që ka dalë nga 485 kutitë e votimit nga grupet e numërimit, ashtu siç ka ndodhur në të gjitha komunat dhe bashkitë e vendit. Ky rezultat bëhet i rishikueshëm, vetëm pas procesit të shpalljes në fazën e ankimimit.
Votat e hedhura gabimisht, për shumë arsye, është e drejtë të lexohen?
Ne nuk e dimë nëse janë bërë me dashje apo pa dashje. Komenti mbi votën nuk bëhet pasi është votuar. Rregulli i lojës bëhet përpara; Dhe u tha që nëse e hedh votën gabim, do të quhet e pa-numërueshme. Ky rregull u zbatua në të gjithë Shqipërinë dhe në shumicën e KZAZ-ve të Tiranës. Vota të gabuara për kryetarin apo këshillin e minibashkisë ka po aq sa ka për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Mund të predikohet e drejta për leximin e çdo vote, por kur ajo hidhet gabim dhe në kundërshtim me Kodin dhe rregullat e vendosura më parë, ajo është nul. KQZ ka vetëm një detyrë, të certifikojë rezultatin. Rregulli i ri pas mbarimit të lojës, sipas KQZ-së nuk mund të vendoset. E dyta, s’mund të ketë rregull me dopio standard. Pra, të gjitha votat e hedhura gabim në 300 e ca kuti quhen nul, ndërsa votat e hedhura gabim në 117 kuti, që zgjodha unë, do të quhen të ndershme, se duhet të dalë Luli fitues. Është po kjo KQZ që ka certifikuar Durrësin, Vlorën, Elbasanin me këtë standard dhe, në fund të procesit në Tiranë, vendos një standard tjetër.
Të flasim pak për shifrat e dala nga këto zgjedhje. Koalicioni i djathtë ka marrë më shumë vota se koalicioni i majtë, edhe pse Aleanca për të Ardhmen kishte më shumë parti në përbërje të saj, ndërsa vetë PS ka marrë si parti rreth 100 mijë vota më shumë se PD. Si i lexoni këta numra?
Unë do të them atë që kam thënë dhe para zgjedhjeve. Kam thënë që vota politike së pari shprehet në qytetet e mëdha në zgjedhjet lokale. Sa më e vogël është njësia, aq më pak dominuese është vota politike. Pra, në 2007-n dhe 2011-n ne fitojmë bindshëm qytetet me kandidatë të drejtpërdrejtë dhe më pak vota për këshillat, pasi partia në pushtet ka më shumë aleatë dhe kanë më shumë mundësi financiare për të joshur kandidatët për këshilltarë në komuna dhe bashki. Dihet që në këshilla ka shumë të majtë që kandidojnë dhe për parti të djathta apo anasjelltas. Prandaj, kjo votë është më pak politike sesa vota për kandidatët. Në zgjedhjet vendore të gjithë luftojnë për të fituar kryetarin e njësisë vendore e më pak këshillin.
Ky rezultat a ka të bëjë dhe me cilësinë e aleatëve, pasi në koalicionin e majtë ka aleatë që kanë marrë numër shumë të vogël votash?
Jo, kjo nuk ka të bëjë me cilësinë e aleatëve, por me cilësinë paguese të aleatëve. Partitë opozitare kanë më pak mundësi financiare të bëjnë fushatë, por dhe kandidatët për këshilla nuk i afrohen shumë opozitës, p.sh. një mësues, nga frika se mund të humbë vendin e punës. Unë bëj pyetjen, kur maxhoranca merrka votë popullore për këshillat, përse po këto vota nuk i jepen kandidatit të bashkisë apo komunës, por u jepen këshillave?! Vota politike, pra ndarja majtas-djathtas, tregohet qartë tek kandidatët e njësive bashkiake. E majta ka arritur fitoren më të thellë të mundshme. Ka fituar bashkitë më të mëdha të vendit, të cilat kanë peshë të lartë elektorale, ka rikthyer sërish disa bashki të rëndësishme siç ishte Saranda, Përmeti, Gramshi, Tepelena etj. Por ka hyrë dhe në disa bastione të djathta, si Kavaja, Shijaku, Rrësheni, Mamurrasi etj.
Por ka diferenca në vota dhe brenda koalicionit të majtë, ju keni më pak vota se Demokracia Sociale apo PSV91 ka rritje në vota. Si e shpjegoni këtë?
Ka shumë arsye që lidhen me koniunkturën, me individin, me mundësitë financiare, por dhe me ruajtjen e votës. PSD ishte e ndërgjegjshme se nuk do të bënte ndonjë fushatë shumë ambicioze dhe hymë në një fushatë që, për ne, nuk ishte shumë normale dhe për ne lufta do të ishte për kryetarët, që të paktën të shpëtonim zgjedhjet. Prandaj, kafshuam gjuhën dhe pranuam të marrim pjesë, edhe pse përsëri PS u tregua shumë megalomane, që do vetëm për veten e saj dhe nuk u dha asgjë aleatëve as për imazh. Kur ti si PS nuk i jep asnjë hapësirë kandidimi aleatit kryesor PSD, çfarë rezultati do të kesh? Kjo çon në një bashkëpunim shumë të vogël. Nga njëra anë, qeveria bënte presione ndaj njerëzve që janë në punë që të mos bashkëpunojnë me ty, mundësia financiare është e vogël për të bërë fushatë, nga ana tjetër PS nuk na dha ne si aleatë mundësi kandidimi për kryetarë që të tundnim një flamur tonin në një bashki apo komunë, atëherë PSD-ja qëndroi si në hije. Megjithatë, ne kemi mbajtur votat tona, edhe pse nuk bëmë fushatën që ne dimë të bëjmë pa asnjë lloj mbështetjeje dhe me të gjitha llojet e hileve nga të tëra krahët, përsëri nuk kemi rënë nga 50 mijë votat. Në një fushatë normale dhe me kandidime normale, PSD do të merrte mbi 70 mijë deri në 100 mijë vota në të gjithë vendin. Por, këtu është dhe një problem që duhet zgjidhur brenda të majtës, që do të thotë se administrimi i votës është defektoz. Nëse PS do të bashkëpunonte më mirë me aleatët në Tiranë, do të kishte amortizuar efektin LSI në Tiranë me të paktën 2-3 mijë vota. Një bashkëpunim shumë më i sinqertë dhe një faktorizim siç i takon PSD-së edhe ndonjë aleati tjetër, absolutisht që do ta kishte ndihmuar betejën e Tiranës.
Ju mendoni se nëse do të kishit pasur kandidatë për bashki dhe komuna, do të kishit amortizuar votat e atyre që dolën të pavarur dhe koalicioni do të kishte arritur një numër më të madh votash…
Në shkallë vendi, për shkak të frymës, të krizës së përgjithshme dhe të degradimit total të qeverisë, shkalla e bashkëpunimit ka dominuar vetëm në disa bashki apo komuna të veçanta, ndërsa këtë rezultat e ka sjellë fryma e përgjithshme. Në Novoselë, ne futëm kandidatin tonë si të pavarur dhe fituam, duke treguar se kërkesa jonë për këtë bashki ishte e bazuar. Ne kërkuam vetëm 3-4 njësi dhe as ato nuk na u dhanë, duke kërkuar të na defaktorizojnë në këtë farë mase dhe mos prit që unë me të papunët e mi të marr vota në Tiranë.
Ka dhe rezerva se vota nuk është administruar mirë dhe brenda së majtës…
Nëse vota për kryetarin ka qenë nën kontroll dhe e grupuar në dy pirgje, sepse ka pasur interes dhe vëzhgim më të madh, ndërsa votat për këshill kanë lëvizur sa andej-këtej. Ne dimë fakte konkrete; Në Burrel kandidati ynë na tha se qëndroi në një monitor dhe mbajti shënim votat e veta. Ai kishte numëruar 37 vota, procesverbalin nuk ia dha njeri dhe të nesërmen ishin 27 vota të shënuara, por jo vetëm kaq, por në të gjithë komunën kishte të shënuara vetëm 32 vota.
Kjo, është vërejtur dhe në Tiranë?
Fenomeni është vërejtur gjithandej, ndaj ajo që duket, është se ka devijim dhe tjetërsim të votës së partive aleate. Edhe në Tiranë kam informacionin që janë numëruar për PSD 17 vota dhe në procesverbal shkruhen 10 apo në Durrës nga 22 vota në një qendër votimi, shkruhen 2. Numërimi i votave për partitë aleate është shumë defektoz. Grupet e numërimit kanë dy numërues të PS dhe 2 të PD-së. Partia Socialiste duhet të na ruajë votën dhe jo PD-ja.

(www.ama-news.al)

No comments:

Post a Comment