Bode, gati shkurtimet në buxhet, nuk preket rritja e pagave

Për shkak se të ardhurat buxhetore të këtij viti janë ende shumë larg parashikimit, Ministria e Financave do të aplikojë shkurtime të shpenzimeve, të planifikuara në buxhetin e këtij viti. Burimet në ministri kanë garantuar se, shkurtimet nuk do të prekin rritjen e programuar të rrogave dhe pensioneve.
Ekspertët e Bodes janë duke punuar dhe do të kenë gati në fillim të muajit qershor draftin e buxhetit të rishikuar. Nga niveli jo i mirë i të ardhurave, si dhe rritja e shpenzimeve gjatë 4-mujorit të parë të këtij viti, pritet që buxheti i rishikuar të rezultojë me shkurtime fondesh për disa sektorë. Sipas të dhënave paraprake, të publikuara nga Ministria e Financave, totali i të ardhurave për katër muajt e parë të vitit ishte 103.7 miliardë lekë, me një rënie prej 0.7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010. Shpenzimet arritën vlerën e 119.5 miliardë lekëve, me një rritje prej 13%, krahasuar me një vit më parë.
Kjo tendencë e të ardhurave dhe shpenzimeve solli një rritje të fortë të deficitit buxhetor, që për katër muajt e parë të vitit preku vlerën e 15.8 miliardë lekëve, ose 13 herë më shumë, krahasuar me katërmujorin e parë të vitit 2010. Ndërkohë që në rishikimin që është duke ju bërë buxhetit, ekspertët janë duke marrë në konsideratë shkurtime në pjesën e projekteve dhe zërave që nuk i kanë konsumuar fondet sipas programit fillestar të buxhetit.
Ndërkohë që ish-zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, u shpreh për RTV SCAN se, për të pasur një deficit buxhetor nën kontroll, mund të ndërhyhet në fondin e kontigjencës. Është bërë traditë tashmë që në mes të vitit, buxheti i shtetit të rishikohet me qëllim riorientimin e fondeve në strukturimin e tyre, në raport me realizimin. Përvoja ka treguar se, kur ka të ardhura më tepër se programi, miratohet buxheti shtesë në korrik, por kur të ardhurat janë më të ulëta se plani i fillim vitit, bëhen disa shkurtime, me qëllim mbajtjen e deficitit buxhetor nën kontroll.
Mirëpo, duke marrë në konsideratë zhvillimet buxhetore të katërmujorit të parë të këtij viti, duket se, rishikimi i buxhetit do të vijojë me ristrukturim fondesh, pasi ritmet e rritjes së shpenzimeve janë shumë më të larta se ritmet e rritjes së të ardhurave. Sipas analizës së Bankës së Shqipërisë, kontributin më të madh në rritjen e shpenzimeve totale, me rreth 13.1 pikë përqindjeje, e mbartin shpenzimet korente. Në raport ndaj PBB-së, shpenzimet totale në tremujorin e parë të vitit vlerësohen të jenë rreth nivelit 30.6 %, kundrejt normës 28.6 %, të vlerësuar për të njëjtin tremujor një vit më parë.
Politika e shpenzimeve publike për këtë vit buxhetor parashikon sjellje të ndryshme, krahasuar me një vit më parë. Kjo politikë parashikon një rritje më të përshpejtuar të shpenzimeve korente, nga ajo e shënuar në vitin 2010, si edhe rritje të shpenzimeve kapitale kundrejt reduktimit të tyre një vit më parë. Më konkretisht, shpenzimet korente në tremujorin e parë 2011, kanë njohur një rritje vjetore prej 11.6 %, kundrejt normës 7.9 % të shënuar në të njëjtin tremujor një vit më parë.
(www.mapo.al)

No comments:

Post a Comment