PS depoziton kallëzimin e dytë penal për Ristanin në Prokurori

Partia Socialiste depozitoi dje kallëzimin e dytë penal për kreun e KQZ-së, Arben Ristani.
Kësaj radhe, socialistët, ashtu siç kishin lajmëruar dhe ditë më parë, denoncojnë Ristanin dhe maxhorancën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për 357 fletë votimi më shumë se zgjedhës të gjetura në 117 kutitë e hapura ku u numëruan votat e hedhura gabim. Duke e cilësuar krim elektoral, socialistët i kërkojnë prokurorisë të hetojë faktin se këto fletë janë hedhur në kutitë e votimit pas mbylljes së numërimit të kutisë së fundit në Njësinë Bashkiake Nr. 5 në Tiranë. Sipas tyre, në këtë mënyrë, KQZ, bashkë me Partinë Demokratike, kërkojnë nxjerrjen të pavlefshme të këtyre kutive, duke çuar automatikisht në ripërsëritjen e zgjedhjeve në Tiranë. Ishte kreu i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, i cili, pas një heshtjeje të gjatë që prej nisjes së protestave të deputetëve të PS para godinës së KQZ-së, bëri denoncimin ndaj Ristanit duke dhënë dhe shifra se ku u gjetën fletët e tepërta. Duke shqyrtuar rast pas rasti tabelat e të 117-të qendrave të votimit, në të cilat, sipas logjikës së KQZ janë gjetur fletë të hedhura gabim, Ruçi tha se krimi elektoral është kryer duke shtuar fletë votimi dhe duke mos u kujdesur fare për faktin që numrat nuk korrespondojnë dhe krimi i kryer duket me aritmetikë të thjeshtë. “Nga 117 qendra votimi të marra në shqyrtim nga KQZ, me një shumatore të thjeshtë dalin 357 fletë votimi më shumë se votues”, është shprehur Ruçi, duke treguar për mediat çdo tabelë të çdo qendre votimi përmes një videoprojektori. Kjo është padia e dytë penale që Partia Socialiste adreson ndaj shumicës së KQZ-së dhe kryetarit të saj, Ristani. Një javë më parë, Partia Socialiste dorëzoi në Prokurorinë e Përgjithshme një kallëzim penal ndaj kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, dhe tre anëtarëve të tjerë të shumicës në këtë komision.Sipas socialistëve, katër zyrtarët e KQZ-së kanë konsumuar veprën e shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumenteve dhe rezultateve të zgjedhjeve në bashkëpunim, shkelje këto të parashikuara në disa nene të Kodit Penal.
(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment