Ky grup, prej disa kohësh ishte në vëzhgim nga ana e specialistëve të anti-drogës, pasi kishin ardhur informata të shumta në lidhje me aktivitetin e tyre të kundërligjshëm në shitjen e lëndëve narkotike. Referuar të njëjtave burime, mësohet se sasia e drogës kishte ardhur vetëm pak kohë më parë nga Lazarati, por nuk jepen detaje në lidhje me transportuesit e saj. Mësohet se operacioni i dy ditëve më parë është kryer me anë të blerjes së stimuluar, ku agjentë të anti-drogës janë ofruar si blerës të lëndës narkotike pranë 4 personave që e dispononin atë. Në momentin e marrjes së lekëve dhe dorëzimit të sasisë së hashashit kanë ndërhyrë dhe efektivët e policisë, të cilët kanë bërë të mundur arrestimin e tyre dhe sekuestrimin e kësaj sasie droge. Nga ana tjetër, katër të arrestuarit janë shoqëruar në ambientet e Policisë së Tiranës, ku janë marrë në pyetje në lidhje me destinacionin final të drogës dhe prejardhjen e saj. Në bazë të deklarimeve të tyre, është arritur të provohet se droga e kishte prejardhjen nga Lazarati dhe se ajo ishte e destinuar në tregun e brendshëm, por edhe për atë ndërkombëtar. Ndaj katër të ndaluarve u mor masa e arrestit në flagrancë për veprën penale “prodhim, shitje të lëndëve narkotike”, në bashkëpunim, si dhe materialet hetimore i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Ndërkohë, nga ana e saj Policia e Tiranës është duke vijuar punën për të identifikuar persona të tjerë të cilët mund të jenë të përfshirë në këtë linjë të trafikut të drogës.
(www.mapo.al)
No comments:
Post a Comment