KESH, historia e gjigantit të energjisë

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) sh.a. është një shoqëri tregtare aksionare shtetërore e integruar vertikalisht dhe është prodhuesi kryesor dhe më i rëndësishëm i energjisë elektrike në Shqipëri. Themelet e saj nisin në vitin 1957, me krijimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Centraleve Elektrike (DPCE), si entiteti i vetëm që realizonte prodhimin, transmetimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike te konsumatori si edhe shkëmbimin me vendet fqinj. Në vitin 1992,..
... DPCE u shndërrua në ndërmarrjen shtetërore Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, ndërsa në vitin 1995 mori statusin e shoqërisë anonime me aksione të zotëruara 100% nga shteti. Në vitin 2001 hyri në fuqi Statuti aktual i KESH sh.a., i cili parashikonte ndryshime të thella organizative në zbatim të legjislacionit komunitar për privatizimin e monopoleve jonatyrale - si kusht kryesor për integrimin e Shqipërisë në BE - duke bërë fillimisht ndarjen e funksioneve bazë në: Prodhim, Transmetim, Shpërndarje.

Me zhvillimet e mëvonshme, në vitin 2004 u bë ndarja nga KESH sh.a. e veprimtarisë së transmetimit nëpërmjet krijimit dhe funksionimit më vete në treg të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) sh.a. si shoqëri anonime me aksione 100% shtetërore. Në vitin 2007, u nda nga KESH sh.a. edhe veprimtaria e shpërndarjes dhe furnizimit me pakicë nëpërmjet krijimit dhe funksionimit më vete në treg të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH sh.a), fillimisht si shoqëri anonime me aksione 100% shtetërore dhe nga viti 2009, pas privatizimit të suksesshëm të paketës 76% të aksioneve, pjesë e grupit të kompanisë çeke CEZ A.s.

Aktualisht, KESH sh.a. vepron si shoqëri anonime me kapital tërësisht shtetëror në bazë të aktit të themelimit datë 17.10.1995 dhe të Urdhrit nr.74, datë 02.11.1995 të ministrit të Financave dhe është regjistruar në regjistrin tregtar me Vendimin e Gjykatës së Tiranës nr.12728, datë 06.11.1995 në përputhje me Ligjin nr.7638, datë 19.11.1982 “Për shoqëritë tregtare”. Korporata do të vijojë të luajë një rol të rëndësishëm në sektorin energjetik, duke optimizuar teknikisht dhe ekonomikisht prodhimin vendës dhe shitjen/shkëmbimin e energjisë elektrike, për të siguruar furnizimin e qëndrueshëm dhe me kosto të ulët për klientët tariforë paralelisht me vënien në punë të burimeve të reja dhe përmirësimin e atyre ekzistuese.

Fillimi i përdorimit të energjisë elektrike në Shqipëri i përket vitit 1923, me instalimin e të parit grup “Diesel” në Tiranë. Më pas, nga shoqëritë e huaja që kishin aktivitet në Shqipëri në atë kohë, u instaluan të tjerë grupe në qytetet kryesore të Shqipërisë. Në vitin 1936, në Vithkuq të Korçës, u ndërtua i pari HEC me fuqi 386 kW. Në vitin 1938, që merret si viti referues, fuqia e përgjithshme gjeneruese arrinte në 3470 kW dhe tensionet e punës ishin 0.4kV, 3kV, 6kV dhe 16kV. Prodhimi i përgjithshëm vjetor i energjisë elektrike në këtë vit ishte 9,3 milion kwh/vit. Pothuajse e gjithë energjia e prodhuar shkonte për ndriçim në disa nga qytetet kryesore, në ato familje që ishin me mundësi të mira ekonomike, pasi kostoja e instalimit të saj ishte shumë e lartë
(www.mapo.al)

No comments:

Post a Comment