Përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Europian i kanë premtuar Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit, se do të mbështesin në vazhdimësi përkushtimet e qeverisë së Kosovës dhe të gjitha institucioneve kosovare për përmbushjen e standardeve dhe kritereve të integrimit.
Delegacioni i lartë shtetëror i Republikës së Kosovës, i prirë nga Kryeministri Hashim Thaçi, në të cilin bën pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, me ftesë zyrtare të shtetit të Vatikanit, ka marrë pjesë të dielën në ceremoninë e Lumturimit të Papa Gjon Palit II.
Në një ceremoni madhështore, të mbajtur në sheshin “Shën Pjetër” në Vatikan, delegacioni shtetëror i Kosovës, i prirë nga Kryeministri Thaçi, është takuar me shumë personalitete dhe burrështetas nga mbarë bota.
Kryeministri Thaçi dhe ministri Hoxhaj kanë takuar presidentin e Bashkimit Europian, Herman van Rompuy, presidentin e Komisionit Europian, José Manuel Barroso, Kryetarin e Parlamentit Europian, Jerzy Buzek, Kryeministrin e Italisë, Silvio Berlusconi, dhe shumë burrështetas dhe personalitete të tjera të vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Në këto takime është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe në rajon, për perspektivën europiane të Kosovës dhe për tema të tjera me interes.
Kryeministri Thaçi me këtë rast ka prezantuar përkushtimin dhe vizionin e institucioneve të Republikës së Kosovës për implementimin e plotë të të gjitha standardeve për integrimin e vendit në institucionet euroatlantike, duke fuqizuar qeverisjen e mirë, efektive, efikase dhe transparente, sundimin e rendit dhe ligjit, respektimin afirmativ të të drejtave të komuniteteve dhe implementimin e vizionit për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.
Thaçi ka ritheksuar angazhimin e fuqishëm të Kosovës për thellimin e bashkëpunimit rajonal, në interes të paqes, stabilitetit, si dhe të zhvillimit dhe integrimit sa më të shpejtë të rajonit në Bashkimin Europian dhe në NATO.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Europian i kanë premtuar Kryeministrit Thaçi që do të mbështesin në vazhdimësi përkushtimet e qeverisë së Kosovës dhe të gjitha institucioneve kosovare për përmbushjen e standardeve dhe kritereve të integrimit. Perspektiva e Kosovës dhe qytetarëve të saj është padyshim perspektiva europiane, kanë siguruar Kryeministrin Thaçi udhëheqësit më të lartë të BE-së.
Ndryshe, ceremonia e Lumturimit të Papa Gjon Palit të Dytë është një nga ngjarjet më të rëndësishme botërore. Pjesëmarrja e delegacionit shtetëror të Kosovës në këtë ceremoni shënon vizitën e parë shtetërore nga institucionet e Kosovës bërë Vatikanit, pas shpalljes së pavarësisë.
Vatikani ka qenë përherë përkrah popullit të Kosovës dhe Papa Gjon Pali i Dytë ka qenë mik i madh i shqiptarëve dhe i Nënë Terezës.
Papa Gjon Pali i Dytë është dëshmuar një nga figurat më të rëndësishme botërore, personalitet me vlera të mëdha shpirtërore, që ka dhënë një kontribut të madh në lirinë e popujve në të gjithë globin.
Në këtë kuadër, kontributi i madh i tij dhe i shtetit të Vatikanit në proceset më të rëndësishme të lirisë, pavarësisë dhe zhvillimit të Kosovës do të jetë përherë i çmuar nga qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës, thuhet në një komunikatë për media të zyrës së Kryeministrit.
(gazeta-shqip.com)
No comments:
Post a Comment