Deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani, mori dje pjesë në punimet e Komisionit të Ekonomisë, ku do të diskutohej në lidhje me koncesionin e mirëmbajtjes së rrugëve.
Ashtu siç deklaroi pak ditë më parë për thyerjen e bojkotit, Harasani ishte i vetëm opozitar në këtë mbledhje ku debatoi me deputetët e maxhorancës. “Nuk kam qenë i ftuar në mbledhjen e PS kur u mor ky vendim. Unë do bëj detyrën time si deputet mu duk me rëndësi projektligji i privatizimeve në Komisionin e Ekonomisë. Karrigia ime nuk është e njëjtë me atë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës”, theksoi Harasani. Ai mirëpriti idenë e koncesioneve në këtë sektor, por ngriti disa dyshime në rastin e zgjedhjes si konsulent të IFC-së për bërjen e këtyre kontratave. Ai kërkoi sqarim në lidhje me këtë çështje. “Unë mendoj se është një nisëm kjo që bëhet për koncesionin e rrugëve dhe po ashtu edhe privatizimi i aseteve publike. Ajo që më shqetëson, e cila është deklaruar si nga Kryeministri, por edhe nga ministri i Punëve Publike, është se po punohet si konsulent me IFC. Si anëtar i Komisionit të Ekonomisë do të doja të dija se kur është bërë kjo kontratë me IFC-në, pasi në mendimin tim kjo kompani nuk është e aftë për këtë punë”, tha Harasani në mbledhjen e Komisionit. Njëkohësisht, për mediat, Harasani theksoi se ka pasur edhe disa kontrata, të cilat nuk e kanë përmbushur misionin e tyre, siç është rasti i shpërndarjes së energjisë elektrike. “Kur është bërë tenderi, kush e përzgjodhi IFC-në si konsulent? Me çfarë kushtesh? Sa ka qenë fondi limit për këtë tender? Ne kemi dhënë shumë vepra me koncesion dhe ajo çfarë ka ndodhur është se kontrata nuk ndiqet. Më shqetësuese është kontrata koncesionare e CEZ-it, që nuk ka përmbushur asnjë pikë të kontratës”, tha Harasani. Deputeti i PS-së ka bërë të qartë se ai do të jetë pjesë e punimeve të Kuvendit, pavarësisht vendimit të Grupit Parlamentar të PS-së. “Dua të bëj të qartë se arsyeja pse jemi në sallë është në përputhje të plotë me atë kërkesë që faktori ndërkombëtar bëri nëpërmjet z. Kantrimen, për gjetjen e mundësive të bashkëpunimit mes opozitës dhe pozitës. Opinionet tona t’i japim pasi të flasë Kolegji Zgjedhor”, ka deklaruar pak ditë më parë në sallën e Kuvendit deputeti i PS-së, Andis Harasani.
Kerkesa
Me kërkesë të deputetit të PS-së, Andis Harasani, ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, do të thirret në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave për të dhënë shpjegime në lidhje me kontratat e mundshme koncesionare që mund të lidhë qeveria për mirëmbajtjen e akseve kryesore të rrugëve.
(panirama.com.al)
No comments:
Post a Comment