ATHINE- “Shteti grek me organet përkatëse do të mbikqyrë nga afër procesin zgjedhor në 8 Maj në Himarë”. Kjo është deklarata e zëvendësministrit të Jashtëm grek Dimitrios Dolis, në takimin e fundit zgjedhor që Vasil Bollano, kryetari i OMONIA-s dhe kandidat për kryetar i bashkisë së Himarës, zhvilloi të Dielën në Athinë, takim i organizuar nga Shoqata e Himariotëve në hotel “Titania”.
Në këtë tubim merrnin pjesë zëvendësministri i punëve të Jashtme Dimitrios Dolis, Eurodeputeti grek Jorgos Kumucakos, Shefi i Sektorit të Punëve të Jashtme të Demokracisë së Re, z. Panos Panajotopulos, Sekretari i marrëdhënieve ndërkombëtare të Demokracisë së Re Stavros Papastavrou, shefi i Përgjithshëm i Policisë greke Eleftherios Ikonomou etj.
Zëvendësministri i Jashtëm grek Dolis, shprehu shqetësimin e tij për atë që e cilësoi “rishfaqje të dhunës dhe rrezikun e vjedhjes së votave”, që sic tha, ia kishin shprehur zyrtarisht përfaqësues të shoqatës “Himara”. Zëvendësministri i Jashtëm siguroi të pranishmit se “shteti grek me organet përkatëse do të mbikqyrë nga afër procesin gjatë gjithë rrjedhës së zgjedhjeve”. Në të njëjtën linjë është shprehur edhe përfaqësuesi i Parlamentit Evropian, Kumucakos, i cili premtoi se do të marrë pjesë në Himarë si vëzhgues në zgjedhje, së bashku me një delegacion parlamentar.
Ndërkaq mesditën e së hënës, në orën 12 30, Vasil Bollano dhe kryetari i partisë për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule u takuan me kryeministrin grek Jorgos Papandreu.
Dule ka thënë se "u diskutuan të gjitha çështjet me interes të pakicës kombëtare greke, ngjarja tragjike e vrasjes së Aristotel Gumës në Himarë, çështjet që lidhen me arsimin, pronën, të drejtat kulturore të pjesëtarëve të pakicës greke, si dhe mundësinë e zhvillimit të projekteve të infrastrukturës në zonën ku jeton minoriteti grek".
Bollano e Dule kanë takuar gjithashtu edhe nënkryetarin e partisë Demokracia e Re, Dimitris Avramopulos, me të cilin kanë diskutuar zhvillimet politike në Shqipëri, në funksion të zgjedhjeve të pushtetit lokal të dielën e ardhshme, dhe çështjet e lidhura me pakicat greke.
No comments:
Post a Comment