Dollapi: Furnizim 24 orë më ujë, për banorët e Tiranës.


TIRANË- Banorët e kryeqytetit këtë verë nuk do të kenë probleme me ujin e pijshëm.
Drejtori i Ndërmarjes së Ujësjellësit të Tiranës, Sahit Dollapi garantoi se i gjithë qyteti furnizohet aktualisht 24 orë me ujë, ndërkohë që po punohet edhe për të eleminuar cdo problem të mundshëm, po investohet dhe po kryhen punime në disa zona periferike si në unazën e re, Shkozë, Dajt, Laprak, Babrru dhe Paskuqan. Ndërkaq po punohet edhe për vendosjen e matësave të ujit, me qëllim që abonentët të paguajnë për ujin që shpenzojnë.

“Tirana ka ujë 24 orë dhe ka sasinë e nevojshme të ujit jo për 1 milion banorë por për 2 milionë banorë. Ne sot po punojmë për përmirësimin e standarteve të furnizimit, por jo se ndjehet mungesa apo ka probleme me furnizimin me ujë. Një problem tjetër që do të zgjidhim është edhe plotësimi i konsumatorëve me mjete matës dhe prerja e ujit për debitorët që qytetarët të mos kenë më probleme me ujin edhe në verë”, tha Dollapi

Deri në qershor, Ndërmarrja e Ujësjellësit të Tiranës parashikon të furnizojë pa ndërprerje me ujë të pijshëm edhe zonën e Liqenit të Thatë, e vetmja në kryeqytet që deri tani nuk ka qenë e lidhur me rrjetin e ujësjellësit. Në këtë zonë po kryhen investime nga vetë ndërmarrja për shtrirjen e 3.5 kilometër rrjet shpërndarës, gjë që do të mundësojë furnizimin 24 orë me ujë të pijshëm për këta banorë.

(balkanweb.com)

No comments:

Post a Comment