TEC i Vlorës, bilanci i veprës më të re të energjisë

Në vendin tonë, prodhimi i energjisë elektrike realizohet pothuajse tërësisht prej burimeve hidrike, të cilat ndodhen kryesisht të pozicionuara në veri të vendit. Ky lloj regjimi krijon një varësi nga prurjet hidrike të lumenjve, duke krijuar në periudha të veçanta të vitit vështirësi në mbulimin e kërkesave në rritje për energjinë elektrike në vend.
Për një periudhë të gjatë, rreth 30-vjeçare, në Shqipëri nuk janë ndërtuar burime të reja prodhuese, ndërkohë që ka pasur vazhdimisht rritje të kërkesës për energji elektrike e cila nuk mbulohet dot nga burimet ekzistuese. Ndërtimi i TEC - Vlorë erdhi si rezultat i nevojës që kishte vendi për rritjen e burimeve prodhuese dhe sidomos atyre termo, për të balancuar prodhimin nga impiantet hidro. Për të rritur kapacitetet prodhuese, si dhe për të krijuar një burim alternativ energjie, që do të krijonte “pavarësi” nga kushtet atmosferike, u krye një studim për ndërtimin në Shqipëri të një termocentrali (impianti), me një fuqi rreth 97 MW.
Ky impiant u parashikua të punonte me cikël të kombinuar, duke përdorur si lëndë djegëse naftën ose gazin. Për ndërtimin e këtij Tec-i, u vendos si vend i përshtatshëm zona e portit të vjetër në qytetin e Vlorës, për arsye se aty krijoheshin mundësitë në të ardhmen për furnizimin me naftë dhe gaz nëpërmjet detit. Arsyeja tjetër që ky impiant elektrik u ndërtua në Vlorë, ishte balancimi i rrjetit të transmetimit duke rregulluar nivelet e tensionit si dhe uljen e humbjeve në rrjet.
Ky projekt është financuar nga Banka Botërore, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim BERZH (EBRD), Banka Europiane e investimeve “BEI”, si dhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH sh.a). Vlera e projektit është 96 milionë euro. Kontrata për ndërtimin e Tec-Vlorë u nënshkrua më 9 shkurt 2007, me kontraktor kompaninë italiane “Maire Engineering”.

Teknologjia e këtij impianti elektrik është bashkëkohore dhe në ndërtimin e tij janë përdorur teknologjitë më të avancuara dhe me siguri tepër të lartë në operim.

Kontrata e ndërtimit të këtij impianti ka pasur pjesë integrale të saj, trajnimin e stafit duke i dhënë mundësi inxhinierëve dhe operatorëve shqiptarë të njihen dhe të ambientohen me këtë lloj teknologjie të përparuar. TEC-i është vendosur në sipërfaqen e sheshit të ndërtimit të miratuar prej 14.6 ha dhe zë gjithsej një sipërfaqe prej 135 x 320 m, pra 4.3 ha, përfshirë këtu edhe ndërtesën e administratës dhe facilitetet e tjera civile. Sipërfaqja që është prekur për ndërtimin e TEC-it, është rikuperuar me mbjelljen e 1.000 pishave në zonën e Novoselës.
(www.mapo.al)

No comments:

Post a Comment