Të mbyllim sytë dhe t’i lejojmë vetes një ëndërr: të marrim Barcelonën e sotme dhe ta vëmë përballë Ajaksit të madh të Krujfit, ose Bajernit të Bekenbauerit, ose Liverpulit të Peizlit, ose Milanit të Sakit. Realit të Madridit të Zidan. Si do të përfundonte?
Do të fitonin katalanasit e Mesit pa diskutim, siç ka ndodhur të shtunën në mbrëmje në “Uembli”, apo do të ishte gjithçka e pasigurtë deri në fund? Përgjigja, siç ndodh në ëndrra, zhduket në agim.
Të vendosësh se cila ka qenë skuadra më e fortë e të gjitha kohërave është e pamundur: më e shumta që mund të bëhet është të analizohet historia e atyre që kanë lënë një shenjë në memorien e dashamirësve të futbollit.
REVOLUCIONE - Në aspektin taktik, para Barcelonës së Guardiolës, kanë ndodhur katër revolucione të mëdha: ato të Torinos së Madhe, të Honvedit të Budapestit, Ajaksit të viteve gjashtëdhjetë dhe të Milanit të Sakit.
Nuk marrim në konsideratë Realin e Madridit të viteve pesëdhjetë të shekullit të kaluar (5 kupa kampionësh të njëpasnjëshme): aty luanin thjesht më të mirët, por nuk kishte asnjë risi taktike. Ndërsa, Torino e Madhe, duke përdorur sistemin 3-2-2-3 (domethënë ËM), befasonte kundërshtarët që luanin me metodën e vjetër dhe i fundoste.
Honvedi i Budapestit, në vitet pesëdhjetë bëri një ndryshim vendimtar: nga ËM kaloi te MM (3-2-3-2), duke zhvendosur përpara dy mesfushorët e krahut (Koçis dhe Pushkash) dhe duke zhvendosur mbrapa qendërsulmuesin (Hideguti).
Ajaksi i ka treguar botës se çfarë kuptohej me futboll total: lojtarë të lirë, të bukur dhe të aftë. Milani i Sakit, mbi të gjitha falë presingut dhe pozicionit jashtëlojë, ka magjepsur spektatorët. Dhe tani Barcelona e Guardiolës, pasardhëse e asaj të Rajkardit, e ka kthyer kontrollin e topit në një armë vdekjeprurëse.
Një shifër e tregon qartë dominimin: në finalen e Ligës së Kampioneve kundër Mançester Junajtid katalanasit kanë bërë 678 pasime (86% të sakta) kundër 286 të kundërshtarëve.
VITET SHTATEDHJETE - Sigurisht, sot është e drejtë të festohet Barcelona, por pa harruar të tjerët që, në të kaluarën, kanë bërë historinë e futbollit. Në vitet shtatëdhjetë duhet vënë në dukje revolucioni i Ajaksit: ka fituar tri Kupa të Kampioneve radhazi (1971, 1972, 1973) duke u mbështetur te një lojë që përfshinte të gjithë elementët e skuadrës dhe duke u bazuar te taktika e pozicionit jashtëlojë.
Krujf, Neskes dhe Krol i shtonin talentin e domosdoshëm teorive të mjeshtrit Rinush Mishels. Pas epokës së Ajaksit erdhi ajo e Bajernit të Mynihut: më tradicionalist në mënyrën e lojës, por me elementë të kalibrit të Bekenbauerit, Braitner, Hënes dhe Gerd Myler që i jepnin cilësi. Vitet shtatëdhjetë kanë vazhduar me dominimin e Liverpulit të Bob Peizlit: një skuadër klasike angleze, 4-4-2, pasime të gjata dhe në sulm. Por driblimet e Kevin Kigan ishin magjepsëse.
EPOKA E SAKIT - Vitet tetëdhjetë, në aspektin taktik, nuk kanë sjellë të reja. Duhet pritur ardhja e Arrigo Sakit për të patur një revolucion tjetër. Mbrojtje në zonë, presing, pozicion jashtëlojë dhe, sa për të thënë disa, Gulit dhe Van Basten: kjo ishte menuja.
Revolucionare kanë qenë mbi të gjitha metodat e stërvitjes: ekziston një futboll p.s. (para Sakit) dhe një futboll p.s. (pas Sakit). Milani, i ndërtuar nga Saki dhe i perfeksionuar nga Kapelo, ka zgjatur deri në mesin e viteve nëntëdhjetë.
Më pas, në fundin e mijëvjeçarit, kanë ardhur momentet e Realit të Madridit dhe të Mançester Junajtid. Mënyra të ndryshme për të kuptuar futbollin. Module të ndryshme. Të dy, gjithsesi, duke u bazuar te tradita. Me pak fjalë, asgjë e re në krahasim me Barcelonën e sotme.
(www.sportishqiptar.com.al)
No comments:
Post a Comment