Energjia, CEZ kërkon rritje cmimi

Në mars të vitit 2009, qeveria shqiptare mbylli zyrtarisht një nga proceset më të vështira, por edhe më të rëndësishme të privatizimit në vend, atë shpërndarjes së energjisë.

Për vite me radhë shpërndarja ka qenë një nga sektorët më të shthurur financiarisht, ku humbjet e mëdha, vjedhjet dhe mospagimi i energjisë, janë kompensuar nga rritja e pandalshme e cmimit për qytetarët e rregullt, por edhe nga subvencionet miliona-dollarëshe të buxhetit.

Shitja e OSSH tek kompania ceke CEZ u duk se do t’i jepte fund problemeve të mëdha të sektorit të shpërndarjes së energjisë elektrike.

Por edhe pse kanë kaluar mbi dy vjet nga privatizimi, shpërndarja e energjisë vazhdon të mbetet në kaos të thellë financiar.

Në fund të vitit 2010 humbjet e përgjithshme të energjisë ishin 30.38 për qind, ose 2.3 për qind më pak nga 2008.

Për shkak edhe të mosarkëtimeve, në cdo qind lekë energji që hedh në rrjet, CEZ arkëton vetëm 53.7 lekë, pak më shumë se gjysmën.

Vetë Enti Rregullator thotë zyrtarisht në raportin vjetor se, privatizimi i OSSH nuk shënoi kthesë në menaxhim. Për shkak të kësaj situate jo të mirë, tashmë CEZ po kërkon sërish favoret e shtetit.

Top Channel ka mësuar se kompania kërkon të marrë një kredi të madhe rreth 100 milionë dollarë nga BERZH dhe IFC. Por të dy bankat kërkojnë garanci te forta.

Burime konfidenciale bëjnë të ditur për Top Channel se CEZ këtë garanci po ia kërkon sërish shtetit, më saktësisht Entit Rregullator.

Kompania kërkon nga enti të bëjë lëshime në disa nga treguesit që percaktojne cmimin e energjisë, sic janë niveli i humbjeve, inflacioni, por edhe njohja e investimeve.

Nëse enti do të japë këtë garanci, atëherë automatikisht i hapet rrugë rritjeve të reja të cmimit të energjisë.

Edhe pse ende nuk ka një vendim zyrtar, ajo që po ndodh me sektorin e shpërndarjes është se privatizimi, të paktën deri tani, nuk i ka dhënë fund problemeve, por vetëm sa ka kamufluar rrugët se si kostot e kaosit i transferohohen sërish qytetarëve të ndershëm.
(top-channel.tv)

No comments:

Post a Comment