Sponsori – Në fakt jo rastësisht mendohet të jetë zgjedhur nga drejtuesit e klubit kuqezi ky sponsor, pasi përfitimet e ekipit pritet të jenë më shumë në aspektin profesional. Kjo organizatë zhvillon edhe shumë ndeshje miqësore për bamirësi, kryesisht me skuadra që mbajnë në fanellë logon e saj, ndaj nuk është çudi që në një të ardhme të afërt të kemi një përballje Barcelona-Flamurtari. Kujtojmë se këto dy skuadra kanë luajtur me njëra-tjetrën në vitet ’86-’88, kur skuadra vlonjate luante në Kupat e Europës. Në katër takime të zhvilluara, Flamurtari humbi një ndeshje, barazoi 2 të tjera dhe fitoi një tjetër. Takimet ndaj Barcelonës mbahen mend edhe si kulmi i kësaj skuadre në gjithë historinë e saj.
Përfitimet – Flamurtari, falë vendit të dytë në kampionat, ka arritur të presë një biletë për në Kupat e Europës. Por mos- arritja e fitores së titullit kampion, duket se ia ka zbehur interesin e pjesëmarrjes në kompeticionin europian. Mjafton të kujtosh që një sezon më parë ekipi bënte çmos për të marrë pjesë në Kupat e Europës, ndërsa çuditërisht, këtë sezon asnjë nga drejtuesit e klubit nuk është kujtuar ta përmendë këtë fakt të rëndësishëm. Duke qenë në vend të dytë, skuadra do të luajë në Ligën e Europës, ku bazuar në nivelin e kundërshtarëve të turit të parë pre-eliminator, mendohet se ekipi vlonjat do ta ketë të lehtë të kalojë më tej. Nga ana tjetër, kjo do të rriste financat e ekipit, nga ku me gjasa përfitimet mund të shkojnë deri në 500 mijë euro, përfshi këtu edhe përfitimet nga e drejta televizive.
Bojkoti, asnjë lojtar në stërvitje
Asnjë nga lojtarët, kur në fakt shumica prej tyre janë “jabanxhinj” e të huaj, apo dhe ata pak vendës, nuk ka marrë guximin të dalin dje në stërvitje, ndonëse ishte programuar që seancat për ndeshjen anti-Skënderbe do të nisnin ditën e hënë, një ditë pas zgjedhjeve vendore. Por në fakt, dje në stadium nuk është paraqitur asnjë pjesëtar i skuadrës dhe të vetmit prezentë ishin punonjësit e mirëmbajtjes së fushës. Kjo është hera e dytë brenda pak ditësh që skuadra vlonjate shtyn stërvitjet. Në mundësi për të marrë vesh se kur do të zhvillohej stërvitja e radhës, pyesin lojtarët të cilët kanë lënë të kuptohet se ndeshja me Skënderbeun nuk është marrë fare seriozisht dhe se pushimet kanë nisur ende pa mbaruar kampionati.
(panorama.com.al)
No comments:
Post a Comment