Greqia merr frymë, BE bie dakord për reduktimin me 50% të borxhit grek

Sakrificat e popullit grek po shpërblehen dhe tashmë jemi në gjendje të mbyllim kapitullin e një të shkuare të vështirë. Kështu u shpreh kryeministri grek Jorgo Papandreu menjëherë pas përfundimit të samitit të lartë të Bashkimit Evropian për reduktimin me 50% të borxhit grek.
“Duhet të hyjmë në një epokë të re të zhvillimit të vendit, bazuar në dëshirat dhe forcat tona”, deklaroi përpara gazetarëve kreu i qeverisë greke.
Sipas marrëveshjes së arritur mes vendeve të eurozonës dhe bankierëve europianë shkurtimi me 50% ose 100 miliardë euro i borxhit grek do të bëjë që niveli i borxhit deri në vitin 2020 të arrijë në 120% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Po sipas këtyre burimeve, në raportin përfundimtar nuk do të përfshihet çështja e mbikëqyrjes së Greqisë nga Institucionet Financiare Ndërkombëtare.
Gjithashtu edhe arkat e bankave nuk do të rrezikohen nga ky vendim.
Po ashtu u ra dakord për një paketë të re ndihme për Greqinë në masën e 100 miliardë eurove, prej të cilave 30 miliardë do të jepen nga vendet e eurozonës.
Marrëveshja e arritur do të jetë gati për nënshkrim brenda vitit 2011, në mënyrë që programi i ri i kreditimit të Greqisë të vihet në zbatim para vitit 2012.
Greqisë nga ana e saj, i kërkohet që të forcojë reformat dhe mekanizmat e zhvillimit të vendit.
Sa i përket qeverisë, ministri i Financave, Evangjelos Venizelos vuri në dijeni presidentin grek Karolo Papulia për zhvillimet më të fundit në Bruksel.
(noa.al)



No comments:

Post a Comment