NATO sulmon rezidencën e Gaddafi-t

Sipas burimeve libiane humbi jetën djali i vogël i kolonelit dhe tre nipërit.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka deklaruar se do të tërheqë të gjithë personelin e tyre ndërkombëtar nga kryeqyteti i Libisë, tritoli, pasi selitë e OKB-së janë sulmuar dhe dëmtuar nga turma e madhe e njerëzve. Pas sulmit të natës në mbrëmjen e një dite më parë që sipas burimeve libiane vranë djalin e vogël dhe tre nipërit e kolonel Gaddafi-t, turma të mëdha njerëzish të zemëruar kanë sulmuar misionet e huaja diplomatike në vend. Ndërkaq, nga sulmi ajror i NATO-s në Tripoli mendohet se ka humbur jetën djali i vogël i pushtetmbajtësit libian, Muamar al-Gaddafi. “Bashkë me Saif al- Arab janë vrarë edhe tre nipër të kolonelit në sulmin kundër shtëpisë së djalit të tij, ndërsa vetë Gaddafi dhe gruaja e tij që ndodheshin në të njëjtën shtëpi nuk pësuan asnjë lëndim”, u shpreh zëdhënësi i qeverisë, Mousa Ibrahim. "Vetë udhëheqësi është në gjendje të mirë, ai nuk u plagos. Edhe gruaja e tij është në gjendje të mirë. Disa persona të tjerë u plagosën." Ibrahim tha se sulmi i drejtpërdrejtë ndaj Gaddafi-t është shkelje e së drejtës ndërkombëtare. NATO konfirmoi në Bruksel se aleanca kishte zhvilluar sulme ajrore kundër një ndërtese qeveritare, por se vdekja e djalit të Gaddafi-t nuk mund të konfirmohet. Komandanti i aleancës, Charles Bouchard, deklaroi se objektivat ushtarakë të aleancës janë të natyrës ushtarake dhe synojnë të pengojnë sulmet sistematike të regjimit ndaj popullatës. Po ashtu, NATO deklaroi se nuk mund të konfirmonte njoftimet se në një nga goditjet e bëra kishte lënë të vrarë djalin e udhëheqësit libian, Muamar Gadafi dhe tre nipave të tij. Bouchard tha se forcat aleate kishin goditur një ndërtesë që përdorej për komandimin e operacioneve në Tripoli, por shtoi se trupat e tij nuk kanë në shënjestër individë. Ai tha se NATO-ja shpreh keqardhje për humbje jetësh, sidomos të civilëve.

Ndërkaq, Bengazi, qendra e kryengritjes libiane ushtonte mbrëmë nga të shtënat në ajër dhe boritë e makinave, ndërkohë që banorët dhe kryengritësit festonin lajmin e zëdhënësit të qeverisë se një goditje e NATO-s kishte vrarë një nga djemtë e Muamar Gaddafi-t.

Gazetarët u lejuan t’i afrohen shtëpisë që u sulmua dhe ata raportuan se kishin parë dëme të përgjithshme. Ndërkaq, Rusia i kritikoi sulmet nga ajri të NATO-s. Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme në Moskë thuhet, se ka dyshim ndaj deklarimit të aleancës, sipas së cilës vrasja e Gaddafi-t nuk është objektiv i aleancës ushtarake. Vdekja e anëtarëve të familjes së Gaddafi-t është në kundërshtim me rezolutën e Këshillit të Sigurimit, e cila lejon vetëm sulme në mbrojtje të popullsisë civile. NATO vetë deklaroi, se objektivat e aleancës janë vetëm me karakter ushtarak. Qëllimi është që të ndalen sulmet sistematike të regjimit të Gaddafi-t ndaj popullsisë civile. Trupat që vazhdojnë t’i qëndrojnë besnike diktatorit pushtuan ndërkaq qytetin Xhalo, 300 km. Në Jug të Bengazit, që është epiqendra e luftëtarëve të lirisë. Një ditë më parë, NATO hodhi poshtë një ofertë nga Muamar Gaddafi për negociata në mënyrë që të ndalet konflikti në vend. NATO-ja thotë se kërkon vepra dhe jo fjalë nga udhëheqësi libian. Këshilli Tranzicional i Bengazit ka bërë të ditur se oferta e Gaddafi-t nuk është e besueshme dhe se tashmë koha për arritjen e kompromisit ka marrë fund. Zyrtarët e NATO-s kanë bërë gjithashtu të ditur se nuk do të marrin në konsideratë bisedimet derisa forcat e qeverisë të ndalnin sulmet kundër civilëve. Në fjalimin tij në TV, Gaddafi tha se ai ishte i gatshëm që të fliste me forcat e NATO-s nëse ata do të ndalonin sulmet ajrore. Që nga fundi i marsit, NATO zhvillon sulme ajrore në Libi mbi bazën e një rezolute të Këshillit të Sigurimit. Qëllimi është respektimi i zonës së ndalimfluturimit.

No comments:

Post a Comment