Gjirokastër- “Rijetëzimi i monumenteve të kulturës dhe roli i qytetarëve” është tema e seminarit dyditor i cili ka startuar në qytetin e Gjirokastrës. Ai realizohet në kuadër të një projekti i cili ka si qëllimin objektet e trashëgimisë kulturore në qytetet Berat dhe Gjirokastër dhe financohet nga programi i përbashkët i Kombeve të Bashkuara, “Kultura dhe trashëgimia për zhvillimin shoqëror dhe ekonomik”, në bashkëpunim me organizatën për Mbrojtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës Historike (GCDO).
Sipas përfaqësuesit të GCDO-së, Sadi Petrela, tashmë në praktikën botërore si dhe në Shqipëri është pranuar që vetëm rijetëzimi dhe vendosja në funksion e banesave karakteristike do të bëjë të mundur mbrojtjen e tyre nga degradimi. Përgjatë ditës së parë të këtij seminari përfaqësues të institucioneve të cilët kanë si objekt të punës së tyre monumentet e kulturës, zhvillimin urban, specialistë të sistemit bankar, biznese lokale, përfaqësues të shoqërisë civile etj. kanë diskutuar për ndërgjegjësimin dhe rolin e pazëvendësueshëm të qytetarëve në mbrojtjen dhe rijetëzimin e banesave historike. Në ditën e dytë të këtij seminari do të jenë të pranishëm edhe specialistë të njohur vendas dhe të huaj në fushën e trashëgimisë kulturore. “Trashëgimia e ndërtuar – privilegj,detyrim dhe mundësi zhvillimi për qytetarët” është një projekt dymujor për ndërgjegjësimin dhe informimin e qytetarëve për rolin e tyre të pazëvendësueshëm në rijetëzimin e banesave historike. Projekti përfshin Gjirokastrën dhe Beratin, qytete të Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ku ndodhen mbi 1 000 ndërtime historike të shpallura “Monument Kulture” në Shqipëri”, thotë Sadi Petrela, përfaqësuesi i GCDO-së. B.SH.
No comments:
Post a Comment