Goli i Lampard rikthen diskutimet për teknologjinë

 
Vetëm një vit pasi i është mohuar një gol i rregullt në Kupën e Botës, kësaj here, Frenk Lampardit i është quajtur një gol jo i rregullt. Në këto situata del e nevojshme teknologjia me dy asistentë prapa porte.
Gjithçka ka ndodhur në takimin e së shtunës që Çelsi ka zhvilluar kundër Totenhemit ku Lampardit i është quajtur një gol si pasojë e gabimit të anësorëve.

Është dukur qartë që portieri Gomes e ka pritur topin në limitet e vijës fatale. Gjithsesi Çelsi arriti ta fitonte takimin në 2-1 duke mbajtur gjallë shpresat për titull. Por teksa në ndeshjen e së shtunës Lampardi ka qenë i privilegjuar, në Kupën e Botës 2010, goli i anuluar i ka kushtuar rëndë Anglisë, e cila është eliminuar nga Gjermania në 1/16.
Në fakt pas kësaj ngjarjeje FIFA u përpoq të shfajësohej duke nxjerrë në pah një tjetër teknologji për ta bërë pjesë të lojës. Arbitrave do t'u vinte shumë në ndihmë teknologjia apo ndihma e dy anësorëve prapa porte. 
"Kur Frenk Lampard gjuan një top që shkon dy pëllëmbë matanë vijës fatale dhe arbitrat nuk akordojnë gol, kjo tregon se kjo do të vazhdojë të ndodhë", ka thënë trajneri Redknap pas ndeshjes të së shtunës duke iu referuar dhe Kupës së Botës. "Çfarë ka ndodhur që nuk jepen vendime të sakta?".
Por Çelsi përfitoi edhe në golin e dytë falë gabimeve arbitrore teksa Salomon Kalu u ka dhënë fitoren "bluve" përmes një goli nga pozicioni jashtë loje. Ishin këto dy vendime që tashmë rrezikojnë financat e Totenhemit, që duhet patjetër të arrijë Mançester Sitin në garën për një vend që të çon në Champions.
"Nëse nuk kualifikohemi për Champions do të na kushtonte 30 milionë paundë," ka thënë Redknap. Edhe trajneri i Çelsit Karlo Ançeloti e ka pranuar padrejtësinë e bërë. "Duke i parë golat nga televizori, mund të themi se vendimet ishin të gabuara, por gjithsesi ishin tepër të vështira si vendime," ka thënë Ançeloti. "Duhet ta pranojmë qoftë kur na mbajnë me hatër ashtu edhe kur na vihen kundër.

No comments:

Post a Comment