Gjenden pas 27 vitesh eshtrat e dy të ekzekutuarve të revoltës së Qafë Barit

Pas 27 vitesh kalvari të mundimshëm kërkimesh nga familjarët gjenden në varrezat e fshatit Kuç të komunës Guri i Zi në Shkodër eshtrat e dy ish-të burgosurve politikë Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli, të ekzekutuar nga regjimi komunist pas revoltës së 20 majit të vitit 1984 në burgun famëkeq të Qafë Barit.

Eshtrat e Tom Ndojës dhe Sokol Sokolit u zbuluan në varrezat e fshatit Kuç, pikërisht në vendin e kërkimit ku dyshohej se ishin varrosur pas ekzekutimit, pas dy vjetësh kërkimi.

Korrespondenti i agjencisë NOA i referohet për këtë Kryetarit të Institutit të të Përndjekurve Politikë, Simon Mirakaj, i cili bëri me dije se eshtrat u gjetën pasi Ministria e Brendshme u dha drejtuesve të gërmimit një skicë të vendit të dyshuar.

Ish-i përndjekuri Simon Mirakaj theksoi se revolta e Qafë Barit ishte një revoltë mbijetese pasi të burgosurit politikë aty u revoltuan për shkak të kushteve tejet të rënda dhe për plotësimin e normave më themelore të jetesës.

Njëri prej dëshmitarëve të kësaj revolte Bedri Blloshmi, thotë se i ka njohur dhe parë nga afër torturat e dy ish-të burgosurve Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli.

Pas gjetjes së eshtrave familjarët e Tom Ndojës, rrëfejnë se kalvari i mundimshëm i kërkimit të eshtrave të të dashurit të tyre më në fund ngadhënjen, pasi tashmë Tom Ndoja do të prehet në varrezën e familjes së tij.

Pas asaj të Spaçit që u shtyp me dhunë, revolta e 20 majit të vitit 1984 në burgun e Qafë Barit është cilësuar si një nga reaksionet më të forta kundër regjimit diktatorial brenda kampeve të përqendrimit komunist.

Në ballë të turmës së të dënuarve u vunë Tom Ndoja, Sokol Sokoli, Petrit Bazelli, Anastas Dhamo, Nue Pisha, Kosta Gjordemi etj.

Sipas dëshmitarëve, skena më e tmerrshme mbetet lidhja në zinxhir e udhëheqësit të revoltës tropojanit Sokol Sokoli.

Pas torturash çnjerëzore të kryera gjatë natës, udhëheqësi i revoltës Sokol Sokoli u tërhoq zvarrë në sytë e të gjithë të burgosurve dhe mu në mes të kampit, atë e shtrinë mbi një dru dhe e këputen në mes.

Më pas u pushkatuan faqe të gjithëve edhe Tom Ndoja dhe Nue Pisha.

Më shumë se 30 të burgosur u ridënuan dhe u dërguan drejt burgut të Burrelit, ndërsa të burgosurit e tjerë pjesëmarrës të revoltës së Qafë Barit u lidhën këmbë e duar e u rrasën nëpër biruca.

Mandej ekzekutuesit i varrosën Sokol Sokolin dhe Tom Ndojën në një varr të përbashkët në Fshatin Kuç të Komunës Gur i Zi, që ndodhet pranë antenës së Radio Shkodrës, vendi ku eshtrat e tyre u gjetën sot.
(noa.al)

No comments:

Post a Comment