Erjon Veliaj: Çani e Çili? Në 9 maj do venë me vrap te Rama

"Jo, s'ishte debat me analistë. Ishte debat me shtabin e zotit Basha" - thotë Erjon Veliaj për incidentin e fundit në studion e emisionit Shqip në TV TCH. "Unë s'kam problem bindjet e tyre, por mënyrën se si këto shiten. Të thuash se tritoli, plumbat, hilet dhe dhuna janë "normale" dhe se je analist qeveritar i pavarur është të fyesh inteligjencën e debatuesve. Kjo me irritoi, por për këtë kërkova ndjesë në pjesën e dytë të emisionit dhe po e bëj sërish këtu. Ndjesë që emocionet dolën mbi etikën kur bëhej fjalë për të vrarët e 21 janarit dhe te dhunuarit e kësaj fushate, - shton Veliaj.
Z. Veliaj, dje pamë një debat me tone të larta mes jush dhe analistëve Çani dhe Çili? Cili është shkaku i këtij debati?


Kjo është pjesërisht e saktë. Po, unë kisha një debat pasionant për gjëra që unë i besoj fort e për një punë që unë e dua shumë. Jo, s'ishte debat me analistë. Ishte debat me shtabin e kandidatit të PD-së, zotit Basha. Henri Çili drejton "Iniciativën për Lulzim Bashën", i njohur si KOP-2 me pedagogët e universitetit të tij privat, me drejtorët e institucioneve shtetërore dhe këshillin bashkiak të PD.

Arjan Çani drejton një emision ku promovohen videoklipe, balerina serbe dhe opozita e opozitës. Asnjë prej tyre s'është mëkat, respektoj Çilin në pozicionimin e tij pro-qeverisë apo dhe atë të Çanit kundër opozitës. Unë s'kam problem bindjet e tyre, por mënyrën se si këto shiten.

Të thuash se tritoli, plumbat, hilet dhe dhuna janë "normale" dhe se je analist qeveritar i pavarur është të fyesh inteligjencën e debatuesve. Kjo me irritoi, por për këtë kërkova ndjesë në pjesën e dytë të emisionit dhe po e bëj sërish këtu. Ndjesë që emocionet dolën mbi etikën kur bëhej fjalë për të vrarët e 21 janarit dhe te dhunuarit e kësaj fushate.

Po me z. Çani?

S'dua të flas për të. E kam njohur prej vitesh, ja njoh oshilacionet, paranojën, aktrimin. Ju garantoj se do të jetë avokat i Edi Ramës sapo të fillojë numërimi i votave. Unë e kam për nder që punoj me Edi Ramën dhe burrat e gratë fisnike të opozitës - njerëz që nuk e pranojnë gjobën e nuk funksionojnë me shantazh.

Fatkeqësisht shumë njerëz mediatikë keqpërdorin aksesin e tyre për të siguruar favore nga politika për interesa ilegale financiare. Më vjen mirë që kemi bërë një opozitë të pastër nga këto presione. E ndoqa histerinë e tij në fillim viti kur Basha sabotoi trafikun një ditë shiu në Tiranë për ta nxjerrë bashkinë fajtore. E shoh sërish tani në një përpjekje për të shpëtuar kandidatin e Berishës në Tiranë, i cili mesa duket e pranon gjobën. Mjerë Tirana e vaj vatani nëse kidnapohet nga këta njerëz.

Ju pamë në çadrën rinore pas lajmit për bombë dhe vendoset të ktheheshit në studion e Top Channel, Çani la studion me pretendimin se u kërcënua. Si ishte situata?

Pranë çadrës shpërtheu një bombë artizanale. Polica e verifikoi, ne bëmë denoncimin dhe hetimi vazhdon. Ftoj Çanin që gjithashtu të bashkëpunojë me policinë e të denoncojë pretendimet e tij, ndërkohë që ai zgjodhi që të shkonte tek një grup mediatik që para pak kohësh e dëboi padrejtësisht. Mesa duket në këtë vend njerëzit bashkohen nga inati për tjetrin e jo nga pasioni për punë të mbara.

Si mendon, pse ju sulmojne kaq shume?

Nuk e di. Une s'kam funksion ne shtet. Firma ime s'vlen per asnje pune. S'kam marre asnje takse nga taksapaguesit. Kam qene 5 vjec kur vdiq Enveri, 11 kur iku Ramizi, jam kthyer ne 2003-shin ne Shqiperi, kam protestuar Nanon e Berishen si nje beteje me te vjetren e tranzicionit, perkushtohem prej 8 vitesh ne opozite - ja keto jane 'mekatet' e mia. Disa njerezve s'u vjen mire, u prish rehatine e sistemit klientelist qe kane krijuar keto 20 vjet, por keto jane bindjet e mia te panegociueshme. Une refuzoj ta pranoj institucionin e gjobevenies, shantazhit, presionit, PIKE!

Por a s'mendoni se eshte liria e tyre e shprehjes?

Me duket jo etike qe disa njerez me liri te shprehjes nenkuptojne te marrin ne goje gjithe dynjane pa pranine e personit ne fjale, por kurrsesi nuk lejojne qe te hetohen motivet e verteta te operacioneve te tyre mediatike kunder zerave qe kritikojne qeverine e tyre. Ketej thone bejme fushate pozitive, e ketej perveshin lleret te te hedhin cdo lloj balte e shpifje per te vetmin mekat, se guxon te ngrihesh kunder sistemit pushtet-media qe ata mjelin perdite.

Mendoni ta vazhdoni këtë debat?

Me ata personalisht? Jo. Ky vend është shumë i vogël e ka shumë halle që ne të merremi me njeri-tjetrin neper televizorë. Ama diçka duhet të ndodhë me fenomenin. Në këto 20 vite tranzicion, analistët janë po aq fajtorë sa politikanët për shumë vendimmarrje të gabuara. Shumë prej tyre yshtin politikanët paradite të marrin disa vendime, e në darkë analizojnë nëpër banakë TV vendimet e politikanëve. Kjo s'ndodh në asnjë vend normal.

Shumë prej tyre pa kordën umbilike që i lidh me politiken s'do të mund të jetonin. Ndaj jo, s'kam më debat me dy miqtë e medias, por po, kam betejë me një fenomen që duhet të ndërpritet. Tani le të shohim përpara e të sigurohemi që qeverisjet e prodhuara pas 8 majit ofrojnë modele transparente e jo klienteliste në marrëdhëniet politikë-media.

No comments:

Post a Comment