Simptomet e infeksioneve urinare janë lehtësisht të dukshme dhe nuk mund t’i injoroni.
Ato përfshijnë: nevoja e shpeshtë dhe e fortë për urinim, djegie dhe dhembje gjatë urinimit, urinë me ngjyrë më të mbyllur dhe ndonjëherë edhe me erë të fortë dhe përmbanë gjak, shtypje në pjesën e poshtme të stomakut.
Infeksionet urinare zakonisht trajtohen me antibiotikë, por shumë lehtë mund të vije në paraqitjen e tyre të sërishme , andaj preventiva është mjaft me rëndësi.
Ekzistojnë shumë punë që mund ti bëni që të mbroheni nga infeksionet urinare dhe asnjëhere të mos përballeni me atë problem iritues. Këshillat e njejta do të ju ndihmojnë për ta lehtësuar shërimin në rastet kur keni këtë lloj infeksioni.
Mbani higjienën personale. Pas urinimit ose zbrazjes së zorrëve çdo herë pastrohuni përpara nga mbrapa për ta ndaluar kalimin e bakterieve nga zgavra anale në uretër. Lajeni pjesën intime së paku një herë brenda ditës dhe çdo herë para dhe pas aktit seksual. Mos përdorni letër tualeti të parfymosur ose pudra intime dhe parfem. Jepni përparësi dushit në vend që të shtriheni në vaskë.
Pini sasi të mëdha të lëngjeve. Sa më shumë lëngje që pini, aq më tepër i “pastroni” bakteriet.
Konsumoni vitaminë C. Konsumoni këtë vitaminë në formë të tabletave. Vitamina C e rritë aciditetin e urinës dhe e zvogëlon shumimin e bakterieve.
Urinoni çdo herë kur të ndjeni nevojë. Asnjëherë mos e mbani urinën. Të mbajturit e urinës në fshikzën urinare për një kohë më të gjatë, bakterieve u jep ambient të mirë për shumim.
Urinoni para dhe menjëherë pas marrëdhënieve seksuale. Çdo herë urinoni para dhe pas seksit që të liroheni nga bakteriet që mund të hyjnë në uretër. Para aktit seksual pini një gotë me ujë.
Përdorni vata sanitare në vend të tamponave. Tamponat e rrisin rrezikun e zhvillimit të infeksioneve urinare, andaj nëse jeni të prirur në infeksione, përdorni vata sanitare higjienike. Ndërroni vatat higjienike pas çdo vizite të tualetit.
Pini lëng ose çaj nga brusnicat dhe/ose boronicat. Hulumtimet tregojnë se brusnica ndihmon në shërimin e infeksioneve urinare, por nuk duhet të konsiderohet si ilaç. Vizita tek mjeku është e patjetërsueshme. Më mirë është të pini lëng natyral nga brusnica. Gjithashtu, rekomandohet edhe konsumimi i lëngut të boronicës. Kur të bleni çaj nga brusnicat, çdo herë lexoni etiketën, sepse shume prej tyre përmbajnë përqindje të vogël të brusnicës.
Mos mbani veshje të ngushte dhe tango, jepni përparësi të brendëshmeve të pambukut. Veshja e pambukut i jep lëkurës mundësi për të marrë frymë dhe e redukton lagështinë e cila nxit përhapjen dhe shumimin e bakterieve. Thuani “jo” pantollonave të ngushta dhe tango nëse jeni të prirur në infeksione.
Mos rrini kohë të gjatë me kostumin për larje. Nëse mbani kostum për larje i cili rënd thahet, ndërrojeni menjëherë pas daljes nga uji. Rekomandohet të përdorni kostum për larje nga materiali që lehtë thahet. Kostumi i larjes mund të shkaktojë infeksione vaginale.
Largohuni nga alkooli, kofeina dhe mëlmesat. Alkooli, kafeja, lëngjet e gazuara dhe mëlmesat mund ta keqësojnë gjendjen. Për deri sa luftoni me infeksionet urinare, është e nevojshme që ti anashkaloni plotësisht!
Gjatë paraqitjes së simptomeve të infeksioneve urinare, menjëherë vizitoni mjekun. Këshillat e lartëpërmendura mund të ju ndihmojnë në shërim, por nuk duhet të konsiderohen si zëvendësim të tretmanit mjeksor. Infeksionet urinare janë problem serioz nëse nuk shërohen me kohë!
(femina.al)
No comments:
Post a Comment