KRESHNIK SPAHIU - “TË FSHEHTAT E ALEANCËS KUQ E ZI”

Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu thotë se kjo lëvizje nuk do të shndërrohet në parti politike, por se ajo po kërkon ta zhbllokojë shtetin nga servilizmi dhe fobia. Ai shton se për ngjarjet e 21 janarit “...drejtësia nuk mund të fshihet nën petkun e hetimeve në vazhdim dhe të sekretit hetimor”.
Zoti Spahiu, tashmë lëvizja, e quajtur Aleanca Kuq e Zi është afishuar gjerësisht si një faktor që solli bllokimin e përkohshëm të regjistrimit me bazë etnike dhe fetare të popullsisë. Si e shihni fundin e këtij debati publik me autoritetet shtetërore?
Besoj që debati do të jetë i gjatë dhe do të shënojë kulmin në nëntor, atëherë kur është vendosur për t’u kryer regjistrimi. Shumëkush e ka konsideruar shtyrjen një fitore, ndërsa unë mendoj ndryshe…. Gjithsesi kjo kohë do testojë “kapacitetet” por dhe do na japë mundësi të njihemi me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje dhe me vendimin e Kuvendit në lidhje me peticionin.
Debati publik nuk është vetëm me autoritetet dhe synon të qartësojë detyrimet që shteti ynë ka, standartet evropiane për këtë çështje, si edhe të kërkojë që në këtë proçedurë të respektohen njëkohësisht, parimet kushtetuese të shtetit ligjor, por dhe të mbrohen të drejtat e minoriteteve. Unë mendoj se në një shtet ligjor ajo që duhet të flasë përfundimisht është Gjykata dhe vendimet e saj duhen respektuar, prandaj vlerësoj se fundi i debatit është i lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

Ju ndodheni në një pozitë të lartë drejtuese të një sistemi, siç është ai i drejtësisë, i cili nuk duket se ka lidhje të drejtpërdrejtë me temën në fjalë. Pse nuk flet politika, por flet drejtësia në këtë rast?
Eshtë tërësisht e kundërta….. Kjo është një cështje që lidhet drejtëpërdrejt me detyrën dhe me drejtësinë. Janë më mijëra vendime gjyqësore për ndryshimin e kombësisë dhe janë me mijëra akte administrative që kanë falsifikuar regjistrat civilë. Kjo e bën të gjithë këtë proces regjitrimi jo të saktë dhe të pabesueshëm, si dhe thellësisht juridik. Argumentat janë ligjore dhe teknike, ato kanë të bëjnë me kuptimin dhe zbatimin e ligjit dhe të standarteve të drejtësisë dhe nuk kanë asnjë lidhje me politikën, e cila ashtu siç përmendët edhe ju, ka qëndruar larg këtij argumenti.
Për ta konkretizuar, le të flasim për të ashtuquajturën “marrëveshjen e ujrave” me shtetin Grek, e cila është tërësisht në dhunim të parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe në mosrespektim të ligjit themeltar dhe pavarësisë së pushteteve. Përgjigja dhe zgjidhja, edhe në këtë rast, është juridike dhe është dhënë nga drejtësia, nëpërmjet vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo është mënyra sesi funksionon një sistem demokratik dhe një shtet juridik. Në rastet kur pushteti politik shkel Kushtetutën dhe parimet e shtetit ligjor, është drejtësia që thotë fjalën e saj. Partitë politike kanë vendosur të heshtin, sepse ku më shumë dhe ku më pak, janë bashkëautorë të këtij proçesi antikushtetues.

Disa burime, kryesisht mediatike, pretendojnë se nën petkun e Aleancës Kuq e Zi, fshihet një projekt i ardhshëm politik i presidentit Topi, që ndoshta do të lançohet kur ai të ketë lënë presidencën, që eventualisht parashihet të ndodhë në vitin e ardhshëm. Si i përgjigjeni këtij provokacioni?
Më lejoni t’ju korrigjoj: nuk janë burime, por spekullime! Po aq sa edhe spekullimet e tjera, sipas të cilave Kreshnik Spahiu do të themelojë parti politike apo do të krijojë lëvizjen Vetvendosja në Shqipëri! Çështja në diskutim është shumë më e madhe se një apo 50 parti politike të regjistruara dhe që ushtrojnë veprimtarinë në Shqipëri. Personalisht kam denoncuar falsifikimin dhe kam ngritur një shqetësim ligjor e kushtetues. E vetmja keqardhje është se asnjë parti dhe asnjë kandidat, deri në këtë moment që po i përgjigjem pyetjes tuaj, nuk është shprehur qartë dhe në mënyrë përfundimtare për çështjen e regjistrimit.
Pjesëmarrja ime në veprimtaritë e Aleancës Kuq e Zi është e njëjtë me pjesëmarrjen time në aktivitete të organizmave vendase e ndërkombëtare, të organizatave joqeveritare shqiptare dhe të huaja, ku jap përgjigje dhe shpreh mendimet e mia personale apo edhe zyrtare, për çështjet që më parashtrohen.

A rrezikoni që bashkë me lëvizjen tuaj të përfshiheni, në një mënyrë anjë tjetër, në spiralen e fushatës elektorale që po zhvillohet? E ndjeni këtë risk?
Jo jo aspak….. Thjesht dhe më troç, për mua shteti është më i rëndësishëm se “pushteti”. Të gjitha përpjekjet janë që të kemi një shtet me integritet dhe që mbron ato pak vlera që kanë mundur të mbijetojnë në Shqipëri. Po thyejmë servilizmin dhe fobinë që na ka mbizotëruar shtetin këto vite.
Nuk mendoj se një lëvizje qytetare, e cila ka për qëllim të shprehë mendimin në lidhje me një çështje të rëndësisë kombëtare, siç është çështja e regjistrimit të kombësisë dhe që na përfshin të gjithëve në një mënyrë apo në një tjetër, rrezikon të bëhet pjesë e fushatës elektorale për zgjedhjet vendoreë të cilat kanë të bëjnë më shumë me jetën e përditshme të qytetarëveë sesa me këtë çështje. Gjithsesi mendoj se partitë dhe subjektet elektorale duhet të shprehen publikisht për këto cështje.

Duke u kthyer tek sistemi i drejtësisë, si e shihni gjendjen e tij sot? Si konsiderohen nga KLD raportet dhe sondazhet e ndryshme, të cilat e nxjerrin si mjaft problematik perceptimin e jashtëm dhe të brendshëm ndaj drejtësisë shqiptare?
Është në filozofinë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë që të përmirësojë në vazhdimësi performancën e vet, si edhe në vazhdimësi të ndërmarrë masa për të konsideruar dhe adresuar rekomandimet e Bashkimit Evropian për përmirësimin e sistemit të drejtësisë. Ne kemi ngritur grupe pune për të përmirësuar rregullat dhe për të bërë sa më transparente proçedurat përpara Këshillit dhe në përgjithësi për të ndryshuar perceptimin e publikut për sistemin gjyqsor.
Por një pjesë e rëndësishme e proçesit janë ndryshimet ligjore, të cilat janë bërë të domosdoshme tashmë dhe që janë bllokuar për shkak të mungesës së konsensusit politik, gjë që ka sjellë edhe bllokimin e reformës në drejtësi.
Gjithashtu, duhet theksuar se sistemi i drejtësisë nuk përfshin vetëm KLD-në dhe gjykatat që ajo kontrollon, por në përceptimin publik për drejtësinë ka rëndësi vendimtare edhe Prokuroria dhe Gjykata e Lartë, të cilat janë jashtë sistemit, por i faturojnë atij kosto në dhënien e drejtësisë.

Çfarë i mungon sot reformës në drejtësi, me qëllim që të kemi një sistem të imunizuar nga korrupsioni dhe ryshfeti?
Sigurisht që korrupsioni është një problem, i cili prek gjerësisht shoqërinë tonë dhe jo vetëm sistemin e drejtësisë, një problem i cili nuk është i pamundur të zgjidhet. Shumë është bërë në drejtim të luftës ndaj korrupsionit, por asgjë nuk do të jetë efektive në qoftë se ata që punojnë në administratën publike (duke përfshirë edhe gjyqtarët) nuk do të stimulohen të punojnë në mënyrë të ndershme.
Pagat e gjyqtarëve sidomos të atyre që punojnë në gjykatat e shkallës së parë, janë krejtësisht joproporcionale me funksionin e gjyqtarit dhe nuk i përgjigjen detyrës reale që kryejnë ata. Sigurisht që Shqipëria është një vend i varfër, por një gjyqtar i cili nuk ka një mbështetje ekonomike që t’i garantojë atij dhe familjes një jetesë mesatare, është lehtësisht i korruptueshëm.
Nga ana tjetër, duhet të ndryshojë kultura e pandërshkueshmërisë për korrupsionin në gjyqësor. Një gjyqtar, i cili është i korruptuar apo merr rryshfet, kryen një vepër penale dhe ai jo vetëm nuk mund të ushtrojë detyrën e gjyqtaritë por edhe duhet të dënohet. Një pengesë madhore në këtë drejtim është bërë imuniteti i gjyqtarëve
Këto dy zgjidhje duhet të ecin paralelishtë në mënyrë që të kemi rezultateë pasi asnjëra prej tyre, për mendimin tim, nuk do të ishte efektive pa tjetrën. Sistemi gjyqësor dhe politikat e tij duhet të stimulojnë gjyqtarët, të cilët punojnë në mënyrë të ndershme dhe t’i garantojnë atyre kushte ekonomike të përshtatshme dhe nga ana tjetër të ndërshkojnë gjyqtarët e korruptuar, si e vetmja rrugëzgjidhje për të shpëtuar sistemin e drejtësisë. Gjithsesi mendoj që ndërhyrja dhe reforma duhet të jetë radikale dhe duhet pse jo, të fillojë nga disa ndryshime kushtetuese.

Shpesh imagjinata popullore evokon figurën e Di Pietros, kur është fjala për zyrtarin e ndershëm të sistemit, që lufton korrupsionin dhe fut në burg mashtruesit e dallaverexhinjtë. Ju si reagoni kur dëgjoni këtë krahasim me shtetin fqinj?
Kur dëgjoj të flitet për Antonio Di Pietron, i cili njihet edhe në vendin tonë si Prokurori, i cili ka drejtuar hetimet për çështje të korrupsionit në operacionin e quajtur “Mani Pulite” ose në shqip “Duart e pastra”, më vjen ndërmend një qytetar kurajoz, i cili ka luftuar për shtetin dhe drejtësinë. Figura e Di Pietros më bën të reflektoj për atë që dua ta quaj “Kriza e Modeleve në shoqërinë shqiptare” dhe për qëndrimin që ka fatkeqësisht shoqëria jonë ndaj tyre.
Në qoftë se i referohemi shtetit Italian, vëmë re se shoqëria italiane është e mbushur me modelin Di Pietro në të gjitha hallkat e funksionimit të shtetit, në Prokurori, në Polici, në Gjyqësor, në Media dhe në Politikë. Shembull i qartë i këtij përfundimi janë proçeset gjyqësore pafund, edhe kundër vetë Kryeministrit Berluskoni dhe rezistenca tashmë disa vjeçare e pushtetit gjyqësor ndaj luftës së hapur që kryeministri i ka shpallur këtij pushteti. Kjo nuk është as puna dhe as mundi i një njeriu, por janë përpjekje të përditshme dhe të vazhdueshme të të gjithë shoqërisë, të një shteti ligjor të konsoliduar dhe të një pushteti gjyqësor të pavaruar.
Krejt ndryshe paraqitet situata në vendin tonë ku modeli Di Pietro mungon jo vetëm në Drejtësi, por edhe politikë, gazetari dhe polici. Shoqëria shqiptare jo vetëm që nuk ka një Di Pietro, por përkundrazi lufton me forcë ata individë, të cilët mund të bëhen të tillë. Në vendin tonë, mirëqenia, e ardhmja, karrierra e çdo individi, por edhe e familjes së tij konceptohet jo vetëm e lidhur ngushtë, por e varur krejtësisht nga partia-shtet, cilado qoftë ajo. Ata që nuk pëlqehen, mbështeten apo përkrahen nga një parti, pavarësisht nga afësitë e tyre dhe pavarësisht nga ndërshmëria dhe përkushtimi ndaj detyrës, ose nuk do të kenë kurrë rastin që të shprehin aftësitë e tyre në nivele të larta drejtimi, ose do të mbeten në udhëkryq të dënuar për guximin e tyre rebel.
Janë mbushur pothuajse tre muaj nga ngjarjet e 21 janarit. Një i afërm i një prej viktimave ka vrarë veten në mënyrë tragjike, me gjasë për shkak të humbjes të të jatit. A është ky një rast kur drejtësia po funksionon ngadalë dhe me pasoja për jetën e njerëzve dhe në përgjithësi, për zbulimin e së vërtetës?
Është një ngjarje tragjike dhe një mënyrë e tmerrshme për t’u përballur me të vërtetën e hidhur të pasojave që mund të shkaktojnë veprimet e cilido prej nesh, me apo pa shkak brenda kompetencave ligjore, por edhe një mënyrë për të kuptuar shumë në lidhje me besimin e publikut tek drejtësisa, por edhe tek vetë jeta. Gjithmonë e kam theksuar se një drejtësi e vonuar, është një drejtësi e mohuar dhe se është e pamundur të imagjinohen të gjitha pasojat e padrejtësisë, prandaj është detyrë e të gjithëve, të punojnë për një drejtësi efektive dhe në një kohë të arsyeshme.
Tashmë besimi i qytetarit tek drejtësia nuk lidhet vetëm me një eksperiencë personale në sistem, por edhe me eksperiencat e të tjerëve. Personalisht mendoj se edhe për drejtësinë ka nisur era e komunikimit masiv dhe se edhe drejtësia duhet të japë llogari nëpërmjet këtyre mjeteve.
Koncepti për drejtësinë ka ndryshuar, ajo duhet të jetë më pranë qytetarit dhe më e prekshme nga të gjithë ata, ajo nuk mund të fshihet nën petkun e hetimeve në vazhdim dhe të sekretit hetimor. Prandaj mendoj se heshtja publike në lidhje me çështje të drejtësisë me ndjeshmëri të lartë për qytetarët cënon rëndë besimin e tyre tek drejtësia, dëmton besimin dhe bashkëpunimin, u merr atyre copëza apo të gjithë jetën.
Në përfundim dua të shtoj se hetimi i këtyre veprave penale është testi i rradhës për prokurorinë, për të treguar profesionalizëm dhe përkushtim, për të provuar nëse Prokuroria Shqiptare e ka një “Di Pietro” apo Shqipëria duhet ende të vuajë “krizën e modeleve”.

No comments:

Post a Comment