Unioni Radiodifuziv i Europës (EBU), organizatori i “Eurosong”, ka pranuar pjesëmarrjen e Kosovës në garat “Eurovision Young Dancers” që do të mbahen në Oslo më 24 qershor
Unioni Radiodifuziv i Europës (EBU), organizatori i Eurosong, ka pranuar pjesëmarrjen e Kosovës në garat “Eurovision Young Dancers” që do të mbahen në Oslo më 24 qershor. Ndërsa ky fakt është publikuar në gazetat kosovare, bashkangjitur lajmit ka ardhur edhe reagimi i palës serbe. Në faqen zyrtare të këtij aktiviteti, në listën e pjesëmarrësve është vendosur edhe Kosova, përfaqësuar me flamurin e saj. “The European Broadcasting Union” është organizata më e madhe e transmetuesve kombëtarë në botë. Aktiviteti i saj mbështetet në bashkëpunimin mes subjekteve transmetuese të shteteve të ndryshme të Europës, për shkëmbimin e përmbajtjes audiovizive. Ndonëse kjo organizatë realizon një sërë eventesh, për publikun shqiptar është e njohur për “Eurovizionin”, festivalin e këngës. Pas konfirmimit për pjesëmarrjen e Kosovës në festivalin kushtuar kërcimtarëve të rinj, kanë reaguar drejtuesit e televizionit serb. Gazeta “Kurir” shkruan se Kosova është pranuar edhe pse Radio Televizioni i Kosovës nuk është anëtar i kësaj organizate. Ata janë të indinjuar për faktin se në listën e pjesëmarrësve në këtë garë nuk ka përfaqësues të Serbisë, edhe pse Radio Televizioni i Serbisë është anëtar me të drejta të plota të EBU. Sipas asaj që shkruan gazeta serbe, ndër 10 garuesit nuk do të jetë askush nga vendet e BE-së që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, përpos Greqisë. Drejtori gjeneral i RTS-së, Aleksander Tijaniq, në një deklaratë për “Kurir” e quan të logjikshme të reagojnë në këtë rast. “Ne kemi vetëm një votë në EBU, kështu që nuk mundemi që vetëm të marrim vendime. Për reagimin tonë për pjesëmarrjen e Kosovës në këtë garë, mjaftueshëm flet fakti që Serbia nuk gjendet në listën e pjesëmarrësve”, thotë Tijaniq. Sipas “Kurir”, ky rast nuk është për herë të parë. Ata sjellin në kujtesë kur në gjysmëfinalen e parë të Eurosongut 2010 në Oslo, para paraqitjes së përfaqësuesit serb, Milan Stankoviç, në hartën e Serbisë nuk ka qenë Kosova, por kufijtë e Serbisë kanë qenë të mjegulluara. Kështu që, Kosova ka qenë e pamundshme të vërehet. Justin Ebenek, anëtar i ekipit, i cili ka realizuar Eurosongun 2010, ka deklaruar atëherë se Norvegjia si vend mikpritës nuk ka guxuar të paraqesë Kosovën në përbërje të Serbisë, pasi ky shtet ndër të parët ka njohur pavarësinë e saj.
Aktiviteti
“The Eurovision Young Dancers (EYD)”(Eurovizioni për kërcimtarët e rinj), një nga aktivitetet më të rëndësishme të kërcimit në Europë, një ndërmarrje dyvjeçare e Eurovision TV për kërcimin modern (në të shkuarën edhe klasik), kushtuar talenteve të reja, kthehet këtë vit. Ky aktivitet realizohet në bashkëpunim me “Eurovision Young Musicians”(Eurovizioni i muzikantëve të rinj), një komepeticion klasik që zhvillohet që prej vitit 1980. Qëllimi i këtij konkursi është të kthehet në një vitrinë promovimi e artistëve të kërcimit modern dhe t’u japin mundësi të shpërfaqen para një audience ndërkombëtare që e garanton shikueshmëria e lartë e këtij aktiviteti. Formati i këtij viti ka tentuar drejt një shfaqjeje moderne dhe shumë tërheqëse. Aktiviteti do të organizohet në “Dance House”(Shtëpia e kërcimit) në Oslo, e cila është rinovuar. Konkurrimi është i hapur për kërcimtarët solo mes moshës 15-20 vjeç, përfaqësues të anëtarëve të EBU-së. Koreografi i aktivitetit është Ed Wubbe, ndërkohë që juria përbëhet nga balerina ruse, Ilze Liepa. Michale Nunn dhe William Trevitt për kërcimin modern dhe suedezi Fredrik Rydman, koreograf hip-hopi. Aktiviteti do të shfaqet në një sërë mediash, duke përfshirë edhe lehtësirat e internetit përmes faqeve shumë popullore si “Facebook”, “Twitter”, “YouTube” etj. Për Kosovën do ta transmetojë Radio Televizioni i Kosovës(RTK).
No comments:
Post a Comment