ALEANCA E ‘SHENJTË’

Zgjedhjet e 8 majit po krijojnë dinamika të pazakonta elektorale, duke vënë së bashku demokratët, lësëistët dhe indirekt, edhe komunistët. Një përzierje siglash dhe emrash qëkanë vetëm një qëllim: largimin e Edi Ramës nga bashkia e Tiranës.


Termi Aleanca e Shenjtë i përket, siç dihet, historisë së shekullit të 19-të, kur fuqitë e dala nga përballja ushtarake me Francën e Revolucionit dhe të Bonapartit, përkatësisht Prusia, Austro-Hungaria dhe Rusia, vendosën, në Kongresin e Vjenës, rikthimin e rendit të vjetër monarkik. Kjo ka qenë një periudhë e dominuar nga idea mistike e rendit të gjërave, të rregulluar nga një fuqi e mbinatyrshme dhe njihet gjerësisht në histori si periudha e Restaurimit.
Kjo e shkuar e largët plot mbretër e monarkë, nuk e ka zbehur gjithsesi modën e aleancave. Mjafton të hedh­im një sy shumë afër nesh, në atë që po ndodh sot në fushatën elektorale të 8 majit, për të kuptuar se termi “aleancë” dominon trendin dhe logjikën e organizimit të partive e lëvizjeve të ndryshme. Zyrtarisht, kemi Aleancën për Qytetarin, koalicionin e shumicës qeverisëse, Aleancën për të Ardhmen, e cila grupon opozitën e bashkuar, pa harruar se prej javësh tashmë, është shfaqur një lëvizje referendare që kundërshton regjistrimin etnik e fetar të popullsisë, që quhet Aleanca Kuq e Zi. Të gjithë tentojnë të bashkohen, për të arritur qëllimin. Ka megjithatë edhe një aleancë tjetër, të pashpallur, e cila ndjek një logjikë më të koklavitur se organizimet politike a patriotike. Kjo është aleanca kundër një njeriu! Një bashkim thuajse instiktiv siglash, frymëzimesh të kundërta, karrierash e moshash pa kurrfarë lidhjeje, të cilat i bashkon vetëm prezenca në podiumin përballë e një personi.
Edhe kjo është një Aleancë e Shenjtë e llojit të saj, sepse kërkon më çdo kusht largimin e Edi Ramës nga bashkia, si fillim, e më pas, “me shpresë tek Zoti”, edhe nga politika. Dhe cilët janë aleatët në këtë betejë ad personam?! Lulzim Basha, Ilir Meta dhe.....Hysni Milloshi. Një treshe që s’do ta kishte prodhuar asnjë garë tjetër, veç kësaj, ku numrat e nxjerrin edhe një herë humbës kandidatin e rradhës të qeverisë.
Në dy prill, e pamë të gjithë, kryeministri Berisha dhe Kryetarja e Kuvendit Topalli, revokuan në Shkodër ngjarjen tragjike të vitit 1991, ku u vranë katër demostrues anti-komunistë. Në atë ceremoni, kryetarja e Kuvendit, e cila ndjen rregullisht nevojën që t’i drejtohet ndjenjave anti-komuniste të bashkëqytetarëve të saj, deklaroi se “askujt nuk ia merrte mendja që sot, pas 20 vjetësh, PS do të bënte aleancë me Partinë e Punës. Ky qytet ka votuar gjithmonë kundër Partisë së Punës, kundër kulturës së dhunës dhe në 8 maj ftoj të gjithë shqiptarët të bashkohen me alternativën tonë për qytetarin”. Zonja Topalli i referohej negociatave që socialistët kishin nisur të bënin me të gjithë aleatët e tyre potencialë, përfshirë dhe komunistët.
Vetëm se fati është tekanjoz, sidomos në kohë fushatash elektorale. PS nuk ra dakort me komunistët, përkatësisht me njërën nga partitë që pretendojnë këtë trashëgimi, PKSH e të Hysni Milloshit, e kjo u kthye në një rrethanë që e djathta mendoi se mund ta shfrytëzonte me makiavelizëm.
Duke shkelur mbi deklaratat publike të krerëve të maxhorancës për “aleancën e Ramës me Partinë e Punës” dhe duke rekrutuar pa u menduar gjatë, me anë të një makinacioni të shëmtuar në Këshillin Bashkiak, kandidaturën e zotit Milloshi për bashkinë e kryeqytetit.
Transformimi i një këshilltari bashkiak të LSI, brenda natës, në komunist, me qëllim që t’i jepte mundësinë Hysni Milloshit të garojë më 8 maj, është një lëvizje në dukje naive dhe e pamoralshme, por që ka në bazën e saj një logjikë numerike. Siç mund të shihni në tabelën që po botojmë më poshtë, kandidati Vasil Kushi i PKSH, ka marrë 1267 vota në zgjedhjet e fundit lokale. Thuajse të gjitha vota, që në mungesë të tij, mund të kishin shkuar për Edi Ramën dhe që sot, kur kandidat është Hysni Milloshi, llogariten sërish si të hequra nga thesi i votave të Aleancës për të Ardhmen.
Në 8 maj, e rëndësishme për qeverinë, është të largojnë Edi Ramën nga bashkia. Në funksion të këtij rezultati, gjithçka po duket e justifikueshme. Edhe zgjerimi majtas, në ato segmente të pakënaqëura të këtij spektri politik, që janë larguar gradualisht nga PS dhe që po çedojnë me dëshirë indin e tyre ideologjik, në funksion të objektivit të vetëm që ka mbetur për t’u realizuar: asgjesimi politik i kryetarit aktual të Partisë Socialiste. Për më tepër, që kjo vendoset në një traditë jo të re të kreut të shumicës, i cili prej vitesh përpiqet të ketë një rol protagonist edhe brenda PS.
Berisha ka një ndjenjë të vjetër paternalizmi ndaj të majtës, që se ka fshehur kurrë. Ajo që ai deklaroi në Vlorë, kur i kujtoi Ramës se në PS “të kam futur unë dhe Fatos Nano”, pasqyron tundimin e njohur, që lideri historik i PD ka pasur, për të marrë në çdo moment një rol, sado indirekt, edhe brenda PS. Berisha duket se e beson sinqerisht, se ai është, përtej çdo aparence, njëri ndër (bashkë)pronarët, jo vetëm të krahut të tij politik, por edhe të atij krahu ku dikur ka milituar dhe që sot, për një tekë të fatit,i duhet ta sulmoje për hir të lojës së pushtetit. Kjo tërheqje e vjetër drejt ish-partisë së tij, përfshirë edhe simpatinë e fshehur për një pjesë të familjes së ish-dikatorit Hoxha, ka qenë një konstante në sjelljen politike të Doktorit. E cila sot, në kushtet e fushatës së 8 majit, i lehtëson edhe më tej aleanca të tilla të pazakonta, si ajo mes PD, LSI dhe PKSH.
Shikoni fushatën e zotit Basha. Duket se ka nga pas një regji, se ka njerëz që mendojnë se çfarë kandidati duhet të bëjë, ku duhet të shkojë, cilin duhet të takojë dhe sesi duhet organizuar dhe menaxhuar imazhi i tij elektoral. Por megjithatë është një fushatë që nuk po ngjit, është një fushatë që po mbetet sipërfaqësore, e përciptë, pa penetruar dhe pa lënë gjurmë tek publiku. Ashtu siç duket, deri tani, edhe një fushatë që ka prodhuar jo pak gafa nga goja e kandidatit, i cili nën trysninë e sondazheve, ka premtuar dhe ofruar jo pak. Në anën tjetër, kësaj strategjie elektorale, i bashkohet edhe një lëvizje në rrafshin e aleancave direkte dhe indirekte, ku LSI dhe PKSH, dy parti të majta, janë ftuar të japin një dorë, për të rrëzuar kryetarin e sikletshëm të bashkisë së kryeqytetit. Një Aleancë e “Shenjtë”, një amalgamë në kushte të tjera e pamundur dhe e papërtypshme, për një qëllim të vjetër dhe të ri.

No comments:

Post a Comment