Sulmohet banesa e biznesmenit, dikur i njohur si i “forti i qytetit”
Banesa e Pali Pavlit është qëlluar me armë ndërsa poshtë derës iu vendos një letër kërcënuese.
Një tregtar nga Korça është kërcënuar me jetë, ndërsa uniformat blu po hetojnë për kapjen e autorëve. Burime nga policia e Korçës i thanë gazetës “Shqip” se ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 2 të qytetit.
Sipas policisë, banesa e 37-vjeçarit Pali Pavli është qëlluar me armë ndërsa poshtë derës është vendosur një letër kërcënuese. Të njëjtat burime saktësuan se ka qenë ora 3.00 kur në derën e tregtarit të veshjeve është qëlluar me një pistoletë. Kanë qenë banorët e lagjes ata që kanë sinjalizuar uniformat blu për të shtëna gjatë mëngjesit të djeshëm në banesën e Pavlit, të cilët kanë nisur hetimet për këtë rast.
Në orët e mëngjesit kanë qenë familjarët dhe vetë 37-vjeçari që pasi kanë dalë panë derën e jashtme të shpuar me një plumb ndërsa poshtë derës kryesore të shtëpisë private dykatëshe ishte vendosur një letër. “Je i vdekur”, kështu është shënuar në letrën që ka gjetur 37-vjeçari Pavli.
Biznesmeni e ka denoncuar këtë rast në policinë e Korçës, e cila ka nisur hetimet. Burime nga grupi hetimor thanë se në vendin e ngjarjes është gjetur vetëm një gëzhojë pistolete dhe mendohet se nga autori është qëlluar një herë, ndërkohë që sipas banorëve të zonës gjatë natës janë dëgjuar dy të shtëna. Sipas policisë mendohet se autori mund të ketë qëlluar edhe në ajër megjithatë në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë e vetme.
Hetimet e policisë janë përqendruar në të kaluarën e të dëmtuarit që merret aktualisht me tregti veshmbathjesh. Policia e ka përjashtuar si pistë aktivitetin me të cilin merret aktualisht 37-vjeçari nga Korça.
Sipas policisë, Pavli njihej në të kaluarën si person problematik dhe kërcënimet mund të lidhen me të kaluarën e tij. Policia ka thënë se nuk e ka identifikuar autorin e kësaj ngjarjeje, megjithatë në cilësinë e provës është marrë një gëzhojë dhe letra që i drejtohej 37-vjeçarit. Ky i fundit jetonte me gruan dhe prindërit, të cilët kanë qenë në banesë gjatë natës.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment