Shpërthim tek çadra e Partisë Socialiste

Një shpërthim jo pak i fuqishëm është regjistruar mbrëmjen e sotme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë cadrës elektorale të Partisë Socialiste. (UPDATE)

Nga shpërthimi ka mbetur i plagosur një kalimtar i rastit. Ai është shtetasi 29 vjecar Armando Dyrmishi që është dërguar në Spitalin Qendror Nënë Tereza.

Dëshmitarë të ngjarjes thanë për Top Channel se kanë dëgjuar një shpërthim të fuqishëm që ka ndodhur në një kosh mbeturinash pranë çadrës së Partisë Socialiste.

Zyrtarisht Policia e Tiranës thotë se shpërthimi ka ardhur nga një bombol gazi dhe se në vendngjarje janë gjetur copëza të bombolës, por jozyrtarisht mësohet se në vendngjarje është gjetur edhe një fitil shashke.

Partia Socialiste pretendon se shpërthimi ka ardhur nga një sasi e konsiderueshme eksplozivi dhe jo nga një bombol gazi, ashtu sikundër thotë policia.

Pak pas shpërthimit, në tendën e Partisë Socialiste ka mbërritur edhe ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu i cili ka patur takime me deputetët socialistë dhe drejtues të Policisë së Shtetit.

Megjithëse pas këtyre takimeve, ambasadori Arvizu nuk preferoi të japë një koment, mësohet se ai është informuar për ngjarjen nga deputetët socialistë dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit.

http://www.top-channel.tv/artikull.php?id=210201&ref=fp

No comments:

Post a Comment