Rama konfirmoi se janë fituar dy bashki, ajo e Lezhës me Viktor Tushën dhe bashkia e Çorovodës. Ndërsa ka vlerësuar raportin dhe rekomandimet e dhëna nga misioni i OSBE-ODIHR-it, Luan Rama renditi një nga një të gjitha rezultatet e marra në zgjedhjet e 8 majit në shumë komuna e bashki, krahasuar edhe me shifrat e 2009 apo 2007-ës.
Sipas tij, “trendi i rritjes së votës pro LSI-së, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2009 është padyshim në rritje. Treguesit janë në rritje nga 50% deri në 230% dhe kjo na bën të shpresojmë për një rezultat padyshim shumë më të mirë nga ai që kemi pasur në 2009-ën, çka do të konfirmojë edhe një herë peshën reale, politike dhe mbështetjen qytetare që vjen në rritje për LSI-në. Të tillë tendencë në rritje dhe të tillë tregues ka edhe në të gjitha qendrat e votimit të numëruara në qytetin e Tiranës”, - u shpreh Rama. Ndërkohë më vonë, nënkryetarja e LSI-së, Nora Malaj ka deklaruar se kjo parti është kundër presioneve politike që po i bëhen procesit të numërimit. “LSI është kundër të gjitha propozimeve dhe presioneve që bien në kundërshtim të propozimeve të OSBE-ODIHR-it. Thirrjet dhe apeli ndaj qytetarëve për të shkuar e mbrojtur votat e tyre është në kundërshtim me parimet demokratike”, - tha Malaj.
(BalkanWeb.com)
No comments:
Post a Comment