Behgjet Pacolli vendos të rikandidojë për president

Behxhet Pacolli është pajtuar dhe ka pranuar në tërësi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, me të cilin konsiderohet se ai nuk është zgjedhur president i Kosovës sipas procedurave kushtetuese. Njëherësh, Pacolli është rikandiduar për postin e presidentit, ka bërë të ditur këshilltari i tij, Ibrahim Gashi. Sapo ka pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Pacolli, përmes këshilltarit Gashi, është zotuar se e respekton dhe e pranon aktgjykimin dhe njëherësh është përmbajtur nga çdo koment rreth këtij vendimi.
Rikandidimi
“Konsiderojmë që Kuvendi i Kosovës është i vetmi organ kompetent për t'i ndërmarrë sa më parë hapat e ardhshëm”, tha Gashi. “Duke konsideruar se do të ketë përsëritje të procedurës së zgjedhjes së presidentit të Republikës së Kosovës, ju njoftojmë se zoti Behxhet Pacolli do të jetë kandidat nga radhët e koalicionit, meqenëse, sipas vendimit që pranuam sot nga Gjykata Kushtetuese, zoti Pacolli nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese”, theksoi Ibrahim Gashi.
Vendimi i Kushtetueses
Gjykata Kushtetuese ka shpallur dje vendimin e plotë në lidhje me procedurat e zgjedhjes së zotit Behxhet Pacolli në postin e presidentit, në seancën e 22 shkurtit. Ashtu siç kishte njoftuar dy ditë më parë, Kushtetuesja ka konstatuar se zoti Pacolli nuk është zgjedhur konform procedurave kushtetuese, andaj “ai nuk është president i Kosovës”. Për respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese u shpreh edhe vetë zoti Pacolli. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka pranuar kërkesën e 34 deputetëve të LDK-së dhe AAK-së, të cilët kërkuan interpretimin në lidhje me procedurat e zgjedhjes së Pacollit në postin e presidentit, në seancën e 22 shkurtit. Ky vendim e bën të qartë se zoti Pacolli nuk është president i Kosovës, me vetë faktin se nuk është zgjedhur mbi bazën e procedurave kushtetuese. Gjykata kërkon që për respektimin e kushtetutshmërisë në Parlament patjetër të ketë të paktën dy kandidatë dhe në sallë të jenë të pranishëm dy të tretat apo 80 deputetë.

Reagimi i Thaçit: rivotimi për Presidentin do të bëhet javën e ardhshme

Në reagimet e para pas këtij vendimi, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se institucionet do ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me rastin Pacolli. Pas një takimi që zhvilloi me zotin Pacolli, kryeministri Thaçi thirri mbledhjen e qeverisë, ku ai u zotua se koalicioni qeverisës do të vazhdojë, ndërkaq rivotimi për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, sipas tij, do të organizohet javën e ardhshme. “Do ta plotësojmë këtë agjendë që e kemi para nesh, besoj shumë shpejt, që javën tjetër, si Kuvend i Kosovës, si parti politike, por edhe si partnerë të koalicionit. Koalicioni vazhdon agjendën e vet të plotë shtetërore”, tha Thaçi. Kryeministri Thaçi ftoi edhe opozitën që të luajë rol konstruktiv dhe të marrë pjesë në procedimin e mëtutjeshëm në Parlament të rastit të zgjedhjes së presidentit. Njëherësh, ai u shpreh optimist se Parlamenti do të ketë mundësi që të zgjedhë presidentin sipas procedurave kushtetuese.

Enver Hasani mund të jetë ushtrues detyre i presidentit

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani pritet të emërohet ushtrues i detyrës së presidentit të Kosovës. Hasani do të emërohej në këtë detyrë duke u mbështetur në Kushtetutën e Kosovës, në të cilën nënvizohet se pas kryetarit të Parlamentit, detyrën e ushtruesit të presidentit mund ta kryejë kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Në këtë rast, sipas medieve, kryeparlamentari Jakup Krasniqi do të anashkalohet kësaj radhe, për shkak se edhe ai është përfshirë në lëshimet e bëra procedurale dhe ligjore lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri Behgjet Pacolli. Lidhur me krizën e krijuar rreth zgjedhjes së presidentit, në Prishtinë janë zhvilluar takime intensive midis krerëve të institucioneve shtetërore dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë për zgjidhjen e kësaj situate të re të krizës institucionale.


Edhe lëshimi i sallës nga deputetët - jokushtetues

Nga Gazeta Express
Gjykata Kushtetuese e Kosovës bëri publik aktvendimin e plotë mbi zgjedhjen e Behgjet Pacollit si president. Në aktvendim thuhet se zgjedhja e tij si president pa asnjë kundërkandidat ka paraqitur shkelje të nenit 86.6 të Kushtetutës së Kosovës.
Mungesa e kuorumit është vlerësuar, gjithashtu, antikushtetuese. Po ashtu, Gjykata kërkon që gjatë votimit të Presidentit të Republikës, duhet të votojnë të gjithë 120 deputetët.
“Gjykata vëren se Korniza Kushtetuese qëndron e heshtur lidhur me numrin e kandidatëve per zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Megjithatë, ndryshe nga Korniza Kushtetuese, neni 86 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës përmend në mënyrë të qartë (jo-ambiguoze) se duhet të ketë më shumë se një kandidat në raundin e pare dhe të dytë, si dhe në raundin e tretë".
"Është e qartë se hartuesit e Kushtetutës kanë zgjedhur formulimin e fjalëve të nenit 86 të Kushtetutës me qëllim që të devijojnë nga sistemi i paraparë në Kornizën Kushtetuese, duke përqafuar kështu një sistem më demokratik ku më shume se një kandidat nevojitet para se të vihet në lëvizje procedura për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës", thuhet në argumentet e Kushtetutës.
“Gjykata është e mendimit se formulimi i nenit 86 [Zgjedhja e Presidentit] te Kushtetutës duhet te ekzaminohet në tërësi. Interpretimi i nenit mund te jete vetëm se duhet te ketë me shume se një kandidat për zgjedhjen e Presidentit të Republikës se Kosovës, me qellim qe procedura e votimit te vihet ne lëvizje. Në veçanti, ne paragrafin 5 te tij, ne mënyrë eksplicite përcaktohet se, nëse 2/3-at e shumicës nuk është arritur nga asnjë kandidat ne raundin e pare te votimit, atëherë, zhvillohet edhe një raund i trete i votimit midis "dy kandidateve te cilët kane marre numrin me te madh te votave gjate raundit te dyte", thuhet mes tjerash në vendim.
Gjithashtu, Gjykata kërkon që gjatë votimit të Presidentit të Republikës, duhet të votojnë të gjithë 120 deputetët, përveç ata të cilët kanë marre leje nga Kryetari i Kuvendit.
"Gjykata vëren se lidhur me numrin e votave qe kërkohet për zgjedhjen e Presidentit te Republikës se Kosovës, neni 86-4 i Kushtetutës siguron se Presidenti i Republikës se Kosovës do te zgjidhet me dy te tretat(2/3-at) e "votave te te gjithë deputeteve" te Kuvendit, qe do te thotë se te gjithë 120 deputetet duhet te votojnë, minus ata deputete te cilët kane marre leje nga Kryetari i Kuvendit, dhe kandidati i cili merr 80 ose me shume vota nga votat e te gjithë deputeteve ne raundin e pare dhe te dyte) do te zgjidhet. Vetëm nëse nuk arrihen dy te tretat e shumicës, mbahet raundi i trete. Neni 27 i Ligjit për deputete dhe neni 27-4 i Rregullores se punës se Kuvendit, përmban formulim identik te fjalëve: "dy te tretat(2/3) e votave te te gjithë deputeteve te Kuvendit", thuhet në pikën 85 të arsyetimit të aktgjykimit.

Dy gjyqtarë sugjeruan shpërndarjen e Kuvendit

Në arsyetim jepet edhe mendim mospajtues i dy gjyqtarëve Robert Carolan dhe Almiro Rodrigues, të cilët mes tjerash sugjeruan shpërndarjen e Kuvendit, duke konsideruar se procesi zgjedhor i 22 shkurtit 2011 e shkeli Kushtetutën.
"Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetencë për t'i urdhëruar Kuvendit qe t'i nominojë se paku dy kandidate për Zyrën e Presidentit ose për t'i urdhëruar Kuvendit te rivotoje për te katërtën here. Megjithatë, që në fillim, kur Gjykata përcakton që ka pasur shkelje te Kushtetutës në procedurën zgjedhore te Kuvendit, Kushtetuta më pas urdhëron qe Kuvendi të shpërndahet dhe zgjedhjet e reja te përgjithshme te mbahen brenda dyzet e pese ditësh. Duke deklaruar që procesi zgjedhor i 22 shkurtit 2011 e shkeli Kushtetutën, kjo Gjykate deklaroi qe Kuvendi nuk e kishte zgjedhur Presidentin pas raundit te trete te votimit. Kushtetuta me pas urdhëron shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhjet e reja te përgjithshme brenda 45 ditësh. Vendimi i sotëm i gabuar i Gjykatës, qe nuk mund te jete pa pasoja, e imponon atë përfundim. Gjykata, duke deklaruar thjesht qe procesi zgjedhor i 22 shkurtit 2011 e shkeli Kushtetutën, ne mënyre implicite pranon qe nuk ka kompetence për t'i urdhëruar Kuvendit qe te rivotoje. Pasi Gjykata nuk ka kompetence për ta shpallur zgjedhjen jokushtetuese pa asnjë mjet, vendimi i shumicës imponon shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhjet e reja te përgjithshme", thuhet në arsyetimin e dy gjyqtarëve mospajtues.

No comments:

Post a Comment