Presidenti, Kryeministri dhe Kryetarja e Kuvendit largohen njëkohësisht nga Shqipëria.
Shqipëria ka përjetuar dje një faqe të stërparë të protagonizmit politik dhe institucional, por që si rezultat kanë lënë Shqipërinë për një ditë pas asnjë prej tre drejtuesve të saj. Ditën e djeshme, Republika është lënë në dorën e Edmond Haxhinastos, zv.kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme. Në Vatikan, dje është zhvilluar ceremonia e lumturimit të Papa Gjon Palit II nga ana e kreut të Kishës Katolike, Papa Benedikti XVI. Një eveniment tejet i rëndësishëm që e lidh edhe Shqipërinë, duke qenë se Karol Vojtila ka qenë një mik i madh i shqiptarëve dhe një përkrahës i lumturimit të Nënë Terezës. Sigurisht, Tirana zyrtare nuk mund të mungonte në ceremoninë gjigante që u zhvillua dje në sheshin “Shën Pjetër” në zemër të shtetit të Vatikanit. Ku edhe flamuri shqiptar ishte prezent dhe duhej të ishte si pjesë integrale e Europës që nderonte një nga njerëzit e mëdhenj të saj. Nuk harrohen veprat e Papa Gjon Palit II si para rënies së komunizmit dhe më pas në përkrahje të shqiptarëve. Megjithatë, Shqipëria institucionale nuk pati asnjë koordinim institucional, por të tre krerët e saj: Presidenti i Republikës, Kryeministri dhe Kryetarja e Parlamentit morën pjesë në ceremoninë zyrtare, duke e lënë Shqipërinë për një kohë të caktuar pa kokë institucionale. Ky është një veprim i përsëritur shpesh në disa raste, sa herë ka evenimente të mëdha, kur protagonizmi shtyn një vakum institucional, i cili në radhë të parë shkel protokollin, humb seriozitetin, por edhe jep një precedent të përsëritur të mosseriozitetit institucional. Prania në Vatikan e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, mjaftonte dhe jepte një mesazh të qartë për respektin që Shqipëria dhe institucionet e saj jepnin për lumturimin e Papa Gjon Pali II. Ndërkaq, pjesëmarrja e Kryeministrit Berisha, i cili gjithsesi ka një ngarkesë më shumë se politike me Karol Vojtilën, pasi ka pasur edhe marrëdhënie personale, ishte e tepërt. Duke shtuar këtu edhe largimin edhe të Kryeparlamentares, Jozefina Topalli, e cila edhe pse është një përfaqësuese e besimit katolik në vend dhe një prej familjeve të njohura katolike shkodrane, mesazhi institucional që ofroi një largim i “trojkës institucionale” hap një diskutim të përsëritur. Ky precedent që ndodh herë pas here krijon një vakum që u jep shkas problemeve në nivelet e tjera të pushtetit.
Njoftimi i Presidencës
Në një komunikatë për shtyp të Presidencës theksohet se kreu i shtetit, Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, u pritën në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, nga Ati i Shenjtë, Papa Benedikti XVI, pasi morën pjesë sot paradite në ceremoninë madhështore të Lumturimit të Papës Gjon Pali II.
Në përfundim pjesëmarrësit e shumtë, nën autoritetin apostolik të Papës, festuan hapin e parë të hedhur drejt shenjtërimit të plotë të Papës Gjon Pali II. Gjatë takimit, Presidenti Topi falënderoi Papën Benedikti XVI për këtë nderim të veçantë, dhe njëkohësisht shprehu kënaqësinë e vlerësimin e madh për ceremoninë e shenjtë e solemne të Lumturimit të Papës Gjon Pali II. Duke risjellë në vëmendje e me krenari dashamirësinë dhe miqësinë që pati demonstruar Papa Gjon Pali II për shqiptarët, e veçanërisht për Nënë Terezën, të cilën e pati cilësuar si ‘përfaqësuesen më të mirë të popullit shqiptar dhe të Kishës Katolike në dimensione botërore’, Presidenti Topi shprehu gjithashtu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e përkrahjen e madhe që Selia e Shenjtë i ka dhënë në mënyrë të vazhdueshme konsolidimit të demokracisë, por dhe bashkëjetesës fetare në Shqipëri.
No comments:
Post a Comment