Të dy rivalët për bashkinë e Tiranës 2011, Rama dhe Basha, janë duke i kushtuar shumë vëmendje tërheqjes së të rinjve. Vota e tyre në një strukturë popullsie kaq të re sa është ajo shqiptare është vërtet vendimtare dhe këtë e dinë mirë të dy mëtuesit për bashkinë e Tiranës.
Pas publikimit të blerjeve të fansave në facebook, fushata e Bashës duket se është ‘lodhur’ në betejën për të rinjtë. Çadra Rinore në Tiranë është kthyer në gjetjen e Ramës si magnet për rininë e kryeqytetit. Rama mbyll çdo ditë të fushatës me një takim me vullnetarët e rinj ku mes muzikës, futbollit e fushatës derë më derë - çadra gëlon 24h në ditë. Me sa duket, qeveria diçka të tillë parashikonte kur tentoi të bllokonte çadrën me polici që ditën e parë të fushatës.
Njësoj nga ana e tij dhe kandidati për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, ka shëtitur pothuaj në çdo hapësirë për të tërhequr vëmendjen e të rinjve, si edhe nevojën e përfshirjes së tyre në planet e tij. Premtimet dhe bisedat e gjata janë pjesë të fushatave respektove dhe lufta ka zbritur deri në mjetet dhe strukturat më moderne të komunikimit.
Nga ana tjetër, të dy kandidatët për kryetarë bashkie në Tiranë, Edi Rama nga njëra anë dhe Lulzim Basha nga ana tjetër po u kushtojnë një vëmendje jo të vogël të rinjve, sidomos atyre që votojnë për herë të parë, të cilët sipas të gjitha gjasave në momentin e fundit do të bëjnë zgjedhjen e tyre personale që mund të ndikojë në rezultatin e përgjithshëm. Ndonëse, jo pak prej tyre thjesht do të votojnë ashtu siç votojnë prindërit e tyre…
Kandidati i PS-së Edi Rama së bashku me Eduard Shalsin, Blendi Klosin, Arbi Maznikun dhe Erion Veliajn - që nga mesazhet e tij në Twitter duket se do të angazhohet deri në 8 maj pikërisht me të rinjtë ne 6 qytetet universitare, duket në të gjitha momentet që po kalon këto ditë herë në çadrën elektorale me të rinjtë, herë në pub-e e herë në ambiente duke parë ndeshje sportive.
Pikërisht sporti ka qenë javën e kaluar edhe një motiv i fortë për ta mbajtur afër Ramën me të rinjtë. Ai ka zhvilluar një ndeshje të fortë basketbolli ku ka “detyruar” më të fortët e partisë që të ndeshen me të rinjtë.
“Ne kemi mbështetje reale të të rinjve”, po thotë gjithnjë e më shumë Rama…
Të njëjtën gjë përsërit nga ana tjetër Basha dhe statistikat që japin të dy palët i bëjnë fitues. Më tepër akoma nëpër blogje dhe nëpër grupime janë organizime të tëra që veçojnë njërën palë ndaj tjetrës dhe duket një luftë e vërtetë mediatike.
Rama po shfrytëzon shumë spontanitetin e tij të lindur dhe më shumë akoma idetë për të qenë atraktiv me të rinjtë, ndërsa kundërshtari i tij mundohet t’i afrohet me shumë kalkulime.
Duhet thënë se në ditën e votimit për shumë nga të rinjtë e sotëm do ketë një dilemë të madhe. Ajo do të ketë të bëjë me atë se kujt do t’i besojnë në të ardhmen fatin e tyre. Deri më tani, me gjithë fjalët e bukura, rinia shqiptare është masa më e madhe e të papunëve që sipas Z. Rama arrin në një masë deri një milion veta.
Ky është shqetësimi i vërtetë dhe jo numrat anonimë që kandidatët paraqesin para njëri-tjetrit. Megjithatë ka akoma ditë dhe duket se bateritë e kandidatëve ende nuk kanë shkuar drejt fundit.
No comments:
Post a Comment