Analizë: Po këshillat e qarqeve!

Sipas Kushtetutës dhe akteve ligjore në fuqi, njësitë e qeverisjes vendore janë komunat, bashkitë dhe qarqet. Komunat dhe bashkitë janë njësi bazë të qeverisjes vendore dhe përbëjnë nivelin e parë kurse qarqet - nivelin e dytë. Nëse do ta mendonim qeverisjen vendore si një shtëpi me dy kate, kati i pare (me themelet) i takon bashkive dhe komunave kurse kati i dytë qarqeve. Prandaj, qeverisja vendore nuk do të kishte efektivitet të plotë nëse do të mungonte bashkëpunimi mes këtyre niveleve. Mirëpo duke vëzhguar fushatën e tanishme për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore të 8 majit, del se fokusi i partive politike, (për rrjedhojë dhe i medias elektronike dhe të shkruar), është përqëndruar në bashkitë e mëdha, më pak në bashkitë e tjera dhe komunat dhe aspak në qarqet. Pse ndodh një dukuri e tillë?

1. Nënvlerësimi i qarqeve

Nënvlerësimi i rolit të organeve të qeverisjes të qarqeve mendoj se vjen për dy grupe faktorësh:
Së pari, niveli bazë i qeverisjes vendore (i bashkive dhe komunave) paraqitet më i konsoliduar nga pikëpamja funksionale dhe organizative pasi ka më shumë tradita dhe kompetenca për zgjidhjen e problemeve të përditshme të banorëve të tyre.Kurse niveli i dytë ka më pak përvojë pasi organet e tyre kanë lindur nga Kushtetuta (1998) dhe ligji “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” (2000). Përvoja e trashëguar nga ndarja administrative sipas rretheve nuk la gjurmë pozitive kurse ajo e fituar nga ligji i tanishëm tregon për mungesë kompetencash.Së dyti, nënvlerësimi i rolit të qarqeve, vjen pasi mungon një pune e organizuar dhe programore nga ana e partive për të vënë në lëvizje të gjitha potencialet e njësive të qeverisjes vendore. Një parti që synon një qeverisje efektive vendore duhej të kishte dalë në fushatë me program të përgatitur me kujdes dhe në kohë me një analizë të plotë dhe me masa konkrete për përmirësimin e veprimtarisë të nivelit dhe pse jo, të kishte nxjerrë në fushatë edhe kandidaturat e 12 kryetarëve të këshillave të qarqeve.Që qarku nuk është në “agjendën” e asnjë partie këtë e tregon fakti se deri më sot nuk është paralajmëruar organizimi i ndonjë debati në media për analizën e rolit të këshillit të qarkut në procesin e qeverisjes vendore.Në këtë fushatë, si dhe në të mëparshmet, ka zënë vend koncepti “se ka kohë”; të zgjedhim njëherë organet përfaqësuese dhe ekzekutive të bashkive dhe komunave, pastaj “shohim e bëjmë”. Pra, si rëndom, edhe tani, vazhdon praktika e gjetjeve të minutës së fundit.Terrenin e kandidatëve për kryetarë të këshillave të qarqeve e kanë zënë kandidatët për kryetarë bashkie dhe komune, të cilët në mungesë të ballafaqimeve, po e venë theksin në shkeljet e rënda në urbanistikë dhe në lejet e ndërtimit jashtë territorit të tyre.Debatet e zhvilluara vetëm në nivelin e parë dhe për më tepër në formën e monologjeve e ka bërë fushatë disi të ngushtë dhe monotone. Por thjesht zgjidhja e problemeve të përditshme nga “djepi tek funerali” apo nga “pastrimi tek ndriçimi” nuk është e mjaftueshme për një zhvillim të qëndrueshëm vendor.

2. Roli i qarkut në politikat rajonale

Sipas Kushtetutës dhe ligjit për qeverisjen vendore, qarku përfaqëson një unitet administrativo-territorial, të përbërë nga disa komuna dhe bashki me lidhje gjeografike, tradicionale, ekonomike, sociale dhe interesa të përbashkët. Kufijtë e qarkut përputhen me kufijtë e komunave dhe të bashkive që e përbëjnë atë.Nga kjo gjithkush e kupton se një zhvillim në nivel vendor është më i qëndrueshëm kur llogariten të gjitha burimet e 12 qarqeve se kufijtë e ngushtë të 69 bashkive dhe 304 komunave në të gjithë vendin. Situata del më e qartë po të mbajmë parasysh se ndarja administrativo-territoriale e njësive të qeverisjes vendore (korrik 2000) “u vjetërsua” shpejt për shkak të lëvizjeve të popullsisë nga zonat malore në ato fushore dhe sidomos rreth bashkive kryesore. Për shkak të këtyre ndryshimeve demografike, rreth 48 për qind e komunave me 17 për qind të popullsisë së vendit, kanë më pak se 5 mijë banorë secila. Sipas një studimi të Bankës Botërore, të kryer vite më parë, (tani situata është keqësuar më tej) rreth 100 komuna shpenzonin 80 për qind të buxhetit për mbajtjen e administratës, 71 nuk arrinin të mblidhnin taksat vendore ( siteresources.worldbank.org.).Kjo dikton kryerjen e një reforme territoriale, e cila duhet të harmonizojë madhësinë optimale të njësisë vendore me rritjen e efektivitetit të qeverisjes. Mirëpo në kushtet kur partitë i kanë vënë “gjilpërat janë vënë majë-më majë” vështirë se mund të gjendet konsesusi. Sidoqoftë kjo reformë ose bëhet menjëherë pas zgjedhjeve, ose mbetet pas katër vjetëve.Kushtetuta dhe ligji i njohin gjithashtu qarkut pozicionin e njësisë “ku ndërtohen dhe zbatohen politikat rajonale dhe ku ato harmonizohen me politikën shtetërore”.
Mirëpo ky pozicion nuk pasqyrohet në veprimtarinë konkrete. Në gjysmën e parë të dekadës të këtij shekulli, nën drejtimin e këshillave të qarqeve, me ndihmesën metodike të ministrisë të ekonomisë (që u shkri pas vitit 2005) si dhe të ndihmës teknike të UNPD-s u hartuan dhe miratuan programet apo strategjitë e zhvillimit rajonal, të cilat përfshijnë Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit të miratuara nga OKB në vitin 2000.Por analizat tregojnë se këto programe nuk janë të lidhura me strategjitë sektoriale të miratuara nga Qeveria në shkallë vendi, për rrjedhojë kanë mbetur formale.
Bashkimi Europian ku ne synojmë të integrohemi, i kushton një vëmendje të veçantë zhvillimit të rajoneve të prapambetura brenda shteteve anëtare.Prandaj ka ardhur koha që të nxirren nga sirtarët strategjitë e zhvillimit të qarqeve, të përshtaten në formën e projekteve dhe t’u dërgohen për shqyrtim Komisionit Europian me qëllim që të tërhiqen investime për nxitjen e biznesit dhe të reduktimit të varfërisë sidomos në qarqet e zonës verilindore të vendit.
3. Thellimi i decentralizimit
Parimi i decentralizmit të pushtetit dhe i autonomisë vendore janë sanksionuar në Kushtetutë dhe përbëjnë bazën e organizimit të qeverisjes vendore.Decentralizimi, shprehur shkurt, nënkupton shpërndarjen e pushtetit nga qendra në degët apo qeveritë lokale (wordnet. priceton. edu/ perl/webwn). Kurse BB e përkufizon “si transferim të autoritetit dhe përgjegjësisë për funksione publike nga qeveria qendrore drejt asaj vendore ose organizatave pothuajse të pavarura dhe/ose sektorit privat” (1998).Decentralizimi nuk është “vendori kundër qendrorit”, por një proces nga i cili përfitojnë të dy nivelet e qeverisjes dhe qytetarët njëkohësisht. Prandaj, duke mos qenë në kushtet ose/ose, del nevoja e një bashkëpunimi dhe partneriteti të natyrshëm në qeverisje.Ratifikimi i Kartës Europiane të Autonomisë Vendore, Strategjia e Decentralizimit dhe Autonomisë Vendore (nëntor 1999), ligji për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore (korrik 2000) ndikuan në shpejtimin e procesit të decentralizimit.Në këtë proces qeveria shqiptare është ndihmuar nga BB, PNUD,USAID etj. Në dekadën e fundit janë transferuar përgjegjësi e kompetenca thelbësore në organet e qeverisjes vendore, duke ndikuar në rritjen e efektivitetit, në shërbim të komunitetit.Domosdoshmëria e procesit të decentralizimit pranohet nga forcat politike, në pushtet dhe në opozitë, por ka ndryshime përsa i përket përmasave të tij.Mungesa e vullnetit politik nga pushteti qëndror si dhe mangësitë në kapacitetet e burimeve njerëzore dhe financiare në disa organe të qeverisjes vendore kanë sjellë mosrealizime të objektivave të strategjisë të decentralizimit.Duke filluar nga 1 janari 2002, komunat dhe bashkitë janë përgjegjëse për kryerjen e funksioneve të veta në fushën e infrastrukturës dhe shërbimeve publike, me përjashtim të furnizimit me ujë të pijshëm. Qeveria, në programin e saj, (shtator 2005) u angazhua të transferojë këtë sektor brenda vitit me 2007. Por, procesi, ende nuk ka përfunduar.Këshilli i qarkut ka më shumë kompetenca të deleguara nga komunat e bashkitë brenda territorit të tij dhe nga pushteti qëndror dhe më pak të veta. Prandaj është e nevojshme të miratohet një ligj që të koordinojë më mirë veprimtaritë në shkallë qarku. Por edhe për këtë nuk ka ende ndonjë projekt konkret.Një ndikim pozitiv ne thellimin e procesit te decentralizimit dhe të autonomisë fiskale ka luajtur reforma në fushën e taksave vendore si dhe përmirësimi i procedurave në shpërndarjen e transfertës të pakushtëzuar. Por raporti mes tyre ka rënë prej vitit 2006 për shkak të uljeve në masën 50 për qind të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin dhe taksës vendore për biznesin e vogël.Duke mbajtur parasysh se rruga kryesore për rritjen e autonomisë fiskale mbetet rritja e përqindjes të ardhurave nga burimet e veta në raport me grantin e qeverisë, do të ishte më efektive që disa taksa kombëtare të ktheheshin në vendore, siç u veprua në fund të vitit 2002.Ligji “Për huamarrjen vendore” parashikohet të luajë një rol mbështetës për shtimin e investimeve që lidhen me funksionet vendore por duhet të shpejtohet puna nga organet e qeverisjes qendrore për plotësimin e tij me akte nënligjore.Më në fund, por jo nga rëndësia, që organet e qeverisjes vendore të kenë përgjegjësi të plota për sigurimin e të ardhurave dhe përdorimin e shpenzimeve është e nevojshme të hartohet dhe miratohet një ligj për financimin e pushtetit vendor.

No comments:

Post a Comment