Kurora e “Miss Globe” shkon në Gjermani

Spektakël dhe çmime mbrëmjen e 1 nëntorit. Biondja me sy blu, e gjatë 178 cm, me origjinë nga Polonia, ka triumfuar kështu bashkë me dy shoqërueset: “Miss Kolumbia”, Eda Ferrin, shoqëruesja e dytë dhe “Miss Sllovakia”, Michaela Gasparovicova, shoqëruesja e parë
Gjermania ka triumfuar në edicionin e 38-të të “Miss Globe”, organizuar nga “Deliart Association”. Mbrëmjen e djeshme, në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë, producenti Petri Bozo ka organizuar për të tetin vit me radhë konkursin ndërkombëtar të bukurisë, i treti për nga rëndësia në botë, i cili këtë vit solli në Shqipëri bukuroshe nga 42 vende të ndryshme të globit. Mes etheve të një gare të fortë, mbi një skenë të ndriçuar dhe mbikëqyrur nga dy ekrane gjigante, kanë parakaluar para publikut kryeqytetas konkurrentet e këtij viti. Ato kanë performuar dhe iu janë gëzuar shumë çmimeve të dhëna nga juria, shumica e anëtarëve të së cilës përbëhej nga personalitete të njohur ndërkombëtarë, drejtorë nacionalë dhe personalitete shqiptarë, ndërkohë që në fund shumicën e votave i ka marrë gjermania, Stephanie Alice, 20- vjeçarja e ardhur nga qyteti Karlsruhe. Biondja me sy blu, e gjatë 178 cm, me origjinë nga Polonia, ka triumfuar kështu bashkë me dy shoqërueset: “Miss Kolumbia”, Eda Ferrin, shoqëruesja e dytë dhe “Miss Sllovakia”, Michaela Gasparovicova, shoqëruesja e parë. “Është një gëzim i jashtëzakonshëm, duhet t’u telefonoj prindërve për t’u dhënë lajmin e mirë”, - ka thënë fituesja ndërsa mbante lotët e rrethuar nga konkurrentet e tjera, mikesha të reja, të njohura gjatë ditëve të turit nëpër Shqipëri.

Është përmbyllur kështu ky edicion, mes lotëve të gëzimit, fishekzjarrëve dhe bliceve të aparateve fotografike, pas një konkursi që më shumë se i tillë ishte një spektakël i jashtëzakonshëm që ngjiti në skenë shumë të ftuar specialë, shqiptarë dhe të huaj.

Parakalimit të vajzave mbi skenën madhështore iu shtua edhe interpretimi i çiftit të këngëtarëve, një nga më të suksesshmit dhe më të klikuarit për këtë vit, Anjeza Shahini dhe Dren Abazi. Ka performuar një nga hitet e saj edhe Flaka Krelani, ndërkohë që numri koreografik i realizuar nga balerinët e shkollës së baletit ka dhuruar gjithashtu shumë emocione.

Ndërsa surpriza e mbrëmjes ka qenë një bashkëpunim shqiptaro-italian, i realizuar enkas për këtë spektakël nga i famshmi Andrea del Principe dhe këngëtari shqiptar, Devis Xherahu. Del Principe ka interpretuar një nga këngët më të njohura të tij, ndërkohë që përballë prezantueses Hygerta Sako nuk e ka fshehur dëshirën për të realizuar një recital në Tiranë. Dyshja e talentuar, Del Principe-Xherahu, ka realizuar një duet të bukur në dy gjuhë, shqip dhe italisht. Përveç tyre një surprizë e bukur ka qenë edhe ylli suedez i popit, Michaela de La Cour. Performancës së saj i është shtuar interpretimi i të tjerë zërave të njohur, si ai i Big Bastës e Adrian Gaxhës, por edhe i një prej konkurrenteve të shpallura “Miss Talenti” – Miss Tajvani, Jen Ling Lu - në një nga minikompeticionet e zhvilluara gjatë qëndrimit të vajzave në Shqipëri. Ethet kanë arritur kulmin kur juria ka dhënë zarfin për përzgjedhjen e 15-shes finaliste, në të cilën sivjet bënin pjesë miss-et e Gjermanisë, Polonisë, Suedisë, Kanadasë, Sllovakisë, Maqedonisë, Kolumbisë, Guajanës, Estonisë, Malit të Zi, Brazilit, Greqisë, Bjellorusisë, SHBA-së, si dhe Shqipërisë. Gjatë mbrëmjes finale, mes një spektakli me ritëm dhe sharm, gjithashtu janë dhënë disa kurora fitueses. Kështu, Italia fitoi kurorën “Miss Friendship”, Kina “Miss Intercontinental”, “Rumania, “Miss Disco Queen”, Estonia “ Miss Dream Girl of the World”, Kanadaja “Miss Eleganca”, ndërkohë që bukuroshja shqiptare, Kejdi Jashari ka fituar kurorën “Miss Fotozhenia”.
/mapo.al/

No comments:

Post a Comment