Bosnje-Portugali, Ronaldo pritet me thirrjet “Messi, Messi”

Kombëtarja portugeze ka zbarkuar në Sarajevë, ku do të luajë ndeshjen e parë shtesë me vendësit, në kuadrin fushatës eliminatore për një vend në finalet e Euro 2012. Duke qenë se të dyja kombëtaret respektive nuk zunë dot vendet e para në grupet e tyre, çka ua mundësonte kualifikimin direkt, janë të detyruara të luajnë dy ndeshje mes veti, vajtje-ardhje, për të fituar të drejtën e marrjes pjesë në Kampionatin Europian të vitit të ardhshëm. Kombëtarja boshnjake ka qenë në një grup kualifikues me Shqipërinë, zuri vendin e dytë, pas Francës, por kjo nuk i mjaftoi, kështu që duhet të ripërsërisë duelin me Kristiano Ronaldon me shokë, si në rastin e para pak viteve, kur në finalet e Botërorit 2010 shkuan luzitanët. Nesër, më 11 nëntor, do të luhet ndeshja e parë në Sarajevë, ndërsa katër ditë më pas, më 15 nëntor, beteja e kthimit në Lisbonë, pas së cilave përcaktohet edhe skuadra që do të shkojë në finalet e Euro 2012.
Boshnjakët i kanë rezervuar një pritje “surprizë” yllit të kombëtares së Portugalisë dhe të Real Madridit, teksa është ballafaquar me thirrjet “Mesi, Mesi” në Aeroportin e Sarajevës. Nuk i ka ndodhur për herë të parë në fakt kjo gjë, kur e thirrin me emrin e rivalit të tij më të madh në futboll, argjentinasin e Barcelonës, Lionel Mesi, por Kristiano Ronaldos s’i ka pëlqyer kjo situatë e palakmueshme para një ndeshjeje delikate dhe vendimtare, si kjo me Bosnjën. Sepse, thirrje të tilla do të buçasin me siguri gjatë 90 minutave të ndeshjes së nesërme, kur Ronaldo duhet t’i mbajë nervat dhe të ruajë përqendrimin. Sidoqoftë, në ballafaqimin e parë me këtë situatë, në Aeroportin e Sarajevës, Ronaldo u tregua i qetë. Ai kaloi pranë tifozëve boshnjakë duke qeshur dhe pa bërë asnjë reagim.

/panorama.com.al/

No comments:

Post a Comment