Rama prezanton “Kurbanin”: Po ju vij sërish lakuriq

Me një modesti të theksuar, duke kërkuar ndjesë për emocionet, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka promovuar daljen në treg të librit të tij “Kurban”

Gjatë fjalës përshëndetëse, Rama tha se “ky libër u bë libër shumë më vonë sesa kur nisi të shkruhej , fillimisht si një murmurimë në vetmi”

Ai tha se libri nisi si një sprovë brenda vetes, por u bë ai që keni sot në dorë, falë Lindës, që s’më la të ndalesha përpara asaj që po shkruaja, fotografes, Jutta Benzeberg që rendi nëpër Shqipëri për të gjetur foton e kopertinës, shtëpinë botuese “Dudaj”, që mori përsipër telashet e një pune me mua, dhe të një botimi për mua dhe Arbrit të vogël për dizajnin.

Libri tha Rama, “është një dedikim ndaj nënës, fëmijëve, dhe gruas time. Bashkëpuntorëve, miqve dhe mbështetësve të njohur e të panjohur. Ndaj kujtdo që bëri diçka për mua në 11 vitet më të bukura të jetës sime.”

“E vetmja gjë që nuk dua është t’ju dukem i mërzitshëm ndërsa më lexoni. Kam një shpresë se do më lexoni deri në fund, pa ua marrë librin nga dora, mërzia.”- tha Rama.

“Më duket sikur kam dalë publikisht lakuriq. Edhe ju e dini se nuk e kam për herë të parë. Por, çdo lakuriqësi të bën të ndihesh i kërcënuar. Ajo, së cilës i druhem është që mos t’ju dukem i mërzitshëm teksa lexoni 420 faqet e librit”, e mbylli fjalën e tij kreu i PS-së.

Fjala e Edi Ramës gjatë promovimit të librit “Kurban”

Dua t’ju them që në fillim se tani ndjehem shumë i dobët.

Sepse qyshse kam filluar të mendoj për çka duhet të them, më duket sikur s’di të flas. E kjo s’më ka ndodhur qysh nga koha e orëve para provimeve në shkollë.

Në pamundësi për të mos dalë fare këtu para jush, botuesja s’pranoi asnjë justifikim për këtë, dua vetëm t’ju them se vendosa ta botoj këtë libër vetëm kur u binda se nuk po shkruaja një rrëfim sipërfaqësor me kokën mbrapa, por një konfesion të thellë me shikimin përpara.

Ky libër u bë libër shumë më vonë sesa kur nisi të shkruhet.

Fillimisht si një murmurimë në vetmi.

Murmurimë nga ato që na rrëmbejnë shpesh në përpjekjen e pavetëdijshme për t’i treguar dikujt që s’është aty gjëra të lëna përgjysëm, mendime të mbetura pezull, ngjarje të pashpjeguara deri në fund, ëndrra të penguara, pasione të zjarrta, pengje shpirtërore apo thjesht dhimbje të padukshme.

Gjatë gjithë të shkruarit kam pasur përballë një karrige ku rrinte ulur lexuesi, por s’kam shkruar kujtime duke qëndruar në vend.

Kam ecur para duke kujtuar.

Si për të shlyer një borxh. Në radhë të parë ndaj nënës, fëmijëve dhe gruas sime, që e marrin çdo ditë në lëkurën e tyre koston e të qëndruarit tim brenda vorbullës së fortë ku ndodhem që kur kam hyrë në politikë.

Ndaj bashkëpunëtorëve, miqve, mbështetësve, të njohur a të panjohur.

Ndaj kujtdo që bëri diçka për mua në rrugëtimin e njëmbëdhjetë vjetëve më të bukur të jetës sime – janë shumë që bënë vërtet shumë apo fare pak, sadopak, nga fare pranë ose nga shumë larg. Të gjithëve u ndiej një borxh.



Dhe pse jo, edhe ndaj vetes, një pjesë të vetes, asaj që do gjithnjë të flasë e të bëjë siç i vjen, së cilës me ose padashje i kam hyrë në hak, vazhdimisht gjatë gjithë këtyre viteve. Nëse çka nisi si një sprovë përballë vetes brenda katër mureve të nxehtë të korrikut u bë libri që keni sot në dorë, kjo i detyrohet përsëpari Lindës, që s’më la asnjëherë të ndalesha nga ndroja prej asaj që shkruaja.



Pastaj me radhë, Piro Mishës, që m’i shuajti dyshimet me finesën e arsyetimeve të tij dhe s’mi kurseu qortimet që më ndriçuan rrugën për disa përmirësime të ndjeshme; Ardian Vehbiut, që nuk përtoi të bënte dhe kritikun sqimatar edhe korrektorin pedant të shqipshkrimit tim duke ma lehtësuar më të vështirën, nxjerrjen e librit nga kthetrat e dashurisë sime posesive për fjalën shqipe; fotografes mahnitëse Jutta Benezeberg, që brodhi pa u lodhur nëpër Shqipëri në kërkimin e syrit që shihni në koperinë dhe nuk u mërzit asnjëherë me nazet e mia; Arbit të vogël, që punon mbi fotoshop sikur luan në piano, të cilin e falenderoj se i kënaqur nga bashkëpunimi ynë artistik para ekranit më ofroi edhe një punë rehatësisht ndjellëse, të bëhem ortak me të për tu marrë me dizajn; Arlindës padyshim, që mori përsipër të gjitha telashet e një pune me mua dhe për më tepër, të një botimi për mua në këto kohë jo fort të lehta për ata që jetojnë me sipërmarrje e shfaqen si pranë opozitës. Po i detyrohet edhe, e s’mund të ishte ndryshe, Ardian Klosit, që i vuri vulën e njohjes sonë shumë të gjatë nëpër shtigjet e shqipshkrimit, këtij libri që tani është në dorën tuaj vetëm pasi doktor Klosi nuk ngurroi t’i vinte një notë më tepër se sa kaluese.



S’di ç’të them më shumë dhe as dua të qëndroj më gjatë këtu para jush. Madje ju kërkoj ndjesë për t’u ulur paskëtaj.



Më ngjan sikur kam dal publikisht lakuriq. E di, siç e dini edhe ju, që s’e kam për herë të parë, po çdo lakuriqësi ka një dobësi të vetën që të bën të ndjehesh i kërcënuar.



E nëse ka një gjë që më tremb më shumë tani që çka kam shkruar e keni ju në dorë, nuk është që ky libër edhe mund të mos ju pëlqejë. Kjo do ishte gjysma e së keqes.



Po është që se mos ju dukem i mërzitshëm teksa më lexoni. Vetëm këtë nuk e dua fare. E di sa e vështirë është, aq më tepër në gjatësinë e 444 faqeve, por e kam një shpresë se do të më lexoni deri në fund pa ua marrë librin nga dora mërzia.



E kalofshi mirë edhe sonte edhe kur të jemi vetëm për vetëm gjatë leximit.



Faleminderit.


/ama-news.al/

No comments:

Post a Comment