Aq e fortë ka qenë lidhja e autorit me historinë e kësaj familjeje, sa dhe në momentet e fundit të jetës, teksa Mynever Shuteriqi me vajzat vigjilonin pranë shtratit të tij e kur komunikimi mes tyre dhe njeriut të dashur pothuajse ishte ndërprerë, ai zgjohet në një moment për të rrëfyer betejën e Buzurshekut. “Si njeriu që kam qenë pranë tij dhe kam njohur nga afër gjithë procesin krijues të studimeve të tij për Arianitët, mund të them se kjo ka qenë vepra e tij më e dashur.
Dihet se në veprën shkencore të Dhimitrit, studimet historike zënë një vend të veçantë, por e veçanta në lidhje me studimin mbi Arianitët qëndron në lidhjen e fortë emocionale tepër të hershme, gjatë viteve të fëmijërisë së tij, që do ta çonin në kërkimet e zbulimet e rrënjëve dhe rolin e kësaj familjeje kryesore të Shqipërisë të periudhës mesjetare, që me Gjergj Arianitin në krye u bënë protagonistë të qëndresës kundër osmanëve gjatë shekullit 15, para Skënderbeut. Bukuria tronditëse e këngës së Gjorg Golemit e frymëzoi edhe për një nga tregimet e tij më të spikatura “Ditët e sprapsme të Gjorg Golemit”, tregim ky që mban së fundmi një dorëshkrim të jashtëzakonshëm që nuk e gjen në asnjë nga dorëshkrimet e tij.
Në fund është shkruar viti, dita ora dhe minuta se kur është mbaruar së shkruari ky tregim. Pasuar edhe me një klithmë gëzimi që dëgjova në mesnatë, gjë që tregon lidhjen e madhe shpirtërore të tij me Arianitët dhe që do të përsëritej edhe njëherë për herë të fundit në çastet e rënda të jetës së tij. Më 7 korrik të vitit 2003, Dhimitri pësoi një infarkt që ishte fatal dhe do ta ndante nga jeta. Teksa bashkë me vajzat vigjilonim pranë shtratit të tij, kur mes nesh pothuajse ishte ndërprere komunikimi, dëgjuam një rrëfim të gjatë si të ishte përpara një auditori për betejën legjendarë të Buzurshekut të vitit 1433, ku ushtria e komanduar nga princi i madh Gjergj Arianiti, u kishte dhënë një goditje asgjësuese ushtrive osmane. Ne shtangëm. Çfarë kishte ngjarë!?. Sigurisht që ishte rizgjuar kujtesa e tij, që i sillte gjithçka që ai kishte bërë për Arianitët me dashuri dhe me pasion të veçantë”, - kështu e kujton bashkëshortja Mynever Shuteriqi, bashkëshortin që e risjell në kujtesën e miqve dhe kolegëve të mbledhur dje në Akademinë e Shkencave përmes botimit të veprës së tij “Arianitët”, që padyshim pas këtij rrëfimi mbetet vepra e jetës së tij.
“Do të kisha dashur të bëja më shumë. Do të kisha dashur të shkruaja një vepër të gjerë për Naim Frashrin, do të kisha dashur të shkruaja një monografi parësore për Arianitët, siç dhe e kisha projektuar, do të kisha dashur të shkruaja një vepër për Marin Barletin, për të cilin mësova aq sa munda edhe pse isha i sigurt që kishte dokumente për të në Venedik dhe Padova, por nuk vajta dot...”, - këto janë fjalët që Dhimitër Shuteriqi shkruante në vitet e fundit të jetës, duke mbetur gjithmonë akademiku, shkrimtari dhe publicisti që përherë kërkonte shumë e më shumë nga vetja.
/mapo.al/
No comments:
Post a Comment