Nexhmija rrëfen: Si më propozoi Enver Hoxha për martesë

Tërheqja mes Enver Hoxhës dhe Nexhmije Xhuglinit është vënë re në në momentet e para të njohjes. Ajo që bie në sy është kujdesi i tepërt dhe “ngacmimet” e Enver Hoxhës ndaj vajzës së re të grupit komunist. Siç e përshkuan edhe vetë Nexhmije Hoxha në librin me titullin “Lufta jonë çlirimtare”, pothuajse në të gjitha takimet Enveri tregonte një kujdes që ajo fillimisht nuk e kuptonte. Pas shumë takimesh dhe përpjekjesh për t’ia shpjeguar çështjen “anës e anës”, Enveri vendosi t’ia thotë gjërat copë. Teksa Nexhmija po i bënte kafen, ai hedh “bombën” dhe i propozon për martesë. Ja si e tregon vetë Nexhmije Hoxha këtë moment në librin e saj të ri:

“…Unë po përfshij këtu tekstualisht, pa asnjë ndryshim, pjesën ku tregoj se si më propozoi Enveri për martesë. E bëj këtë kryesisht për brezat e rinj të lexuesve, por edhe për faktin se ai është një përshkrim autentik, i bukur, ashtu siç e kam ndier unë atëherë, i faktit dhe i formës që zgjodhi Enveri për të ma shprehur dashurinë e tij ndaj meje dhe nuk desha t’ia prek origjinalitetin, po ta jepja këtu të përmbledhur e me perifrazime.

Po si ndodhi? Më 22 maj (1942) shkova në bazën e Enverit, te shtëpia pranë centralit elektrik të Tiranës (sot ai nuk ekziston më, aty është ndërtuar një ambasadë). Ishte afërsisht ora 10. Aty gjeta Enverin. U gëzua kur më pa dhe më çoi në dhomën që kam përshkruar, ku kishte dy divane, mbuluar me çulle të kuq. Nga dritarja e vetme, por e madhe, hynte një diell i bukur e i ngrohtë pranveror. Pasi më pyeti për disa çështje pune me rininë, u ngrit e mori një album. Erdhi dhe u ul pranë meje, te divani. “Do të shohësh disa fotografi të miat, kur kam qenë i ri, në Gjirokastër, Korçë dhe në Francë? Ia mora motrës, nënës së Luanit (Omari)” më tha dhe, pa marrë përgjigje, filloi ta shfletojë, duke m’i prezantuar njerëzit e familjes, gjyshen, prindërit, motrat, kushërira e kushërinj të parë, të xhaxhait e të dajës së tij. Duke komentuar një fotografi të tij të bukur, ku kishte dalë me një kostum të mirë, me kravatë “papijon” dhe shami të bardhë në xhep, më tha duke qeshur: “këtë kostum ia mora djalit të dajës, Zihni Çuçit, që studionte në Vjenë për mjekësi”. Pastaj më njohu me shumë shokë nga Gjirokastra dhe të tjerë të Liceut të Korçës. Pothuaj të gjitha këto fotografi janë të njohura nga publiku, pasi janë botuar dhe janë ekspozuar në raste të ndryshme. Në album kishte edhe fotografi të tjera, të bëra në Francë, në Monpelje e Paris, me shokë shqiptarë dhe me ndonjë vajzë. Në një fotografi kishte dalë me Vedat Kokonën, në një plazh, me rroba banjoje dhe me një vajzë në mes; në një tjetër ishte një grua, ca e shkuar nga mosha, me një çantë pazari, e fotografuar në rrugë, të cilën ma prezantoi si zonjën e shtëpisë ku rrinin me qira; në album ishte dhe fotografia e një vajze të re, brune, e bukur, e vetmja foto portret. Ai nuk foli për të dhe unë nuk e pyeta, as atëherë, as më vonë dhe asnjëherë gjatë jetës sonë të përbashkët. Për mua ishte e qartë, nuk mund të pretendoja, as të përfytyroja që një i ri, si qe Enveri, aq më tepër që ishte në Francë, dhe të bënte atje një jetë asketi, kjo nuk do të ishte e natyrshme.

Siç ishim të mbështetur te muri, të ulur pranë njëri-tjetrit e tek po më tregonte këtë fotografi të fundit, tentoi të mbështeste kokën te supi im, si për të më shprehur pa fjalë: “unë ty të dua”. Menjëherë ngrita supin, si për t’i thënë: “mos guxo!”. Ai e mbylli albumin dhe u ngrit. Mua në vetvete më qeshej, se e kuptova përse m’i tregoi ato fotografi, por nga ana ime nuk bëra asnjë pyetje, asnjë reagim, nuk tregova asnjë kuriozitet. Kjo Enverin e vuri në siklet dhe, me siguri, mendoi: “Si t’ia bëj kësaj? Kjo s’marrka vesh…” dhe pasdreke ma punoi: Ai vendosi të flejë pas buke dhe më tha: “më zgjo ora 5”. Unë ndenja në dhomën e bukës duke lexuar. Në orën pesë hyra në dhomën tjetër. Ai nuk po flinte, ishte ngritur përgjysmë, po rrinte ndenjur në divan dhe pinte cigare. Dhoma ishte mbushur me tym. Dukej që Enveri kishte fjetur pak ose aspak. Unë shkova e hapa mirë dritaren dhe, kur po sillesha nëpër dhomë, duke mos ditur ç’të bëja, ai tha:

- Mund të më bësh një kafe? Po të duash, bëj edhe për vete.

- Me gjithë qejf,- i thashë.- Unë, zakonisht, nuk e pi, se më prish gjumin.

Shkova në kuzhinë, mora gjithë çfarë duhej në një tabaka, bashkë me një kafetierë të vogël me korrent dhe u ktheva në dhomë. I vura ato mbi një tavolinë, në fund të dhomës, ku ishte dhe priza. Ndërkohë që unë isha me shpinë nga ai, duke përgatitur kafenë, Enveri ia pati që andej ku po rrinte: “E di, Nexhmije, meqë s’po kupton gjë ose bën sikur nuk kupton, unë po ta them: dua të martohem me ty”.

Unë ngriva e tëra. Një propozim i tillë, i thënë kaq “bram”, më ra si bombë në kokë. Nuk e prisja të më qëllonte shfaqja e dashurisë nga ana e një djali në mënyrë kaq “prozaike”, mua një vajze romantike, që dashurinë e imagjinonte ndryshe, dhe që, sidomos në kushtet e luftës, ajo i trembej dashurisë e jo më martesës.

Për të mbledhur veten nga turbullimi që më shkaktoi ky propozim i papritur, e zjeva disa herë kafenë, sa Enveri tha, si me të qeshur: “akoma s’u bë ajo kafeja?”. Desha s’desha, mbusha filxhanin dhe ia çova. Me sa duket, unë isha skuqur në fytyrë, pasi, kur mori filxhanin dhe më vështroi gjatë, më tha, ashtu i qeshur dhe me një zë të ëmbël e qetësues: “S’e prisje, ë? Pa ulu këtu, se nuk të ha!”. Dhe ia plasi gazit me të madhe. Unë u ula në anë të divanit, e heshtur e duke luajtur me gishtat e mi. Ai foli, por tani më serioz: “E, ç’thua?”. Unë gjithnjë pa e parë në fytyrë, thashë: “Unë nuk martohem gjatë luftës…”.

“Po kush tha të martohemi gjatë luftës? Unë me propozimin që të bëra desha të të them se të dua dhe se e kam seriozisht…, por ti, nga ana jote duhet të mendohesh mirë, të shohësh se ç’të thotë zemra jote, të mendohesh mirë edhe duke pasur parasysh se kemi një diferencë jo të vogël vitesh…”. Unë atëherë isha 21 vjeçe dhe Enveri 34. Kjo diferencë vitesh Enverin e preokuponte shumë, prandaj ma përsëriti disa herë deri në kohën që unë vendosa. Por, siç kuptoja unë, ai nuk preokupohej se mos kjo diferencë më bënte mua të mos pranoja propozimin e tij. Preokupacioni i Enverit ishte se mos kjo influenconte në marrëdhëniet tona të ardhme, se mos unë pendohesha më vonë. Ndërsa unë mendoja krejt ndryshe. Në imagjinatën time nuk do të më pëlqente ta kisha bashkëshortin moshatar, e doja të kishte disa vite më shumë se unë, pasi mendoja se kështu do të isha më e mbrojtur e njëkohësisht më “e përkëdhelur”…

Pushimi nga puna dhe dënimi i mësueses Xhuglini

Vrasja e Qemal Stafës acaroi situatën në kryeqytet. Lëvizja antikomuniste sa vinte dhe po shtohej. Paralelisht me të edhe ndjekjet dhe arrestimet ndaj personave të dyshuar si komunistë u shtuan ndjeshëm. U arrestua Zef Ndoja, në shtëpinë e të cilit u zbuluan dokumentet e para të Partisë Komuniste të Shqipërisë, që u formua më 8 Nëntor 1941, ndër të cilat edhe listat e komunistëve që u bashkuan në Partinë.

Bazuar në këtë listë nisi edhe gjuetia e komunistëve shqiptarë. Pjesa më e madhe e tyre u dënua në mungesë. Mes të dënuarve ishin edhe emrat: Enver Hoxha, Perlat Rexhep Kapo, Ramadan Çitaku, Vasil Shanto, Kajo Karafili, Nexhmije Xhuglini… etj.

Në pamundësi për të arrestuar Nexhmije Xhuglinin vendosën që ta pushojnë nga puna mësuesen e thjeshtë dhe ti heqin të drejtën e pensionit. Vendimi përfundimtar për pushimin e saj nga puna mban firmat e Mehdi Frashërit, P. Anton Harapit dhe Lef Nosit.

“Jeta tek “Nana Mbretneshë”

Instituti Femëror i Tiranës ishte shkolla e vetme në Shqipëri ku mund të arsimoheshin femrat. Në vitin 1939 aty ndodheshin rreth 800 femra nga i gjithë vendi dhe një pjesë prej tyre në të ardhmen do të bëheshin drejtuese të Lëvizjes Nacional Çlirimtare. Një ndër to ishte vajza e re Nexhmije Xhuglini, e cila e përshkruan shkollën duke thënë:

“Instituti i vajzave, që mbante emrin “Nana Mbretneshë”, pas ngjarjeve të prillit 1939 u quajt Instituti Femëror i Tiranës. Kjo ishte shkolla e mesme e vetme për vajza në Shqipëri, me 8 vjet mbi shkollën fillore 5-vjeçare. Aty studionin nga e gjithë Shqipëria rreth 800 vajza, që përgatiteshin kryesisht për arsimtare, të cilat pastaj shpërndaheshin në krahinat nga vinin ose në zona ku nuk kishte mësuese. Nga kjo pikëpamje, Instituti ishte një vatër nga shpërndahej dritë, kulturë, edukatë për shoqërinë tonë, familjen, fëmijët dhe veçanërisht përhapte dhe çonte përpara emancipimin e vajzave e të gruas shqiptare.

Shumica e vajzave ishin nga Tirana dhe nga Korça, ku ishte hapur shkolla e parë shqipe. Vajzat nga Tirana ishin të gjitha nga qyteti, por shumë pak me origjinë nga vetë Tirana, përveç disave që vinin nga shtresat e njohura të parisë tiranase, tregtarë etj. Nga fshatrat e Tiranës nuk mbaj mend asnjë. Gjithë qeveritarët, funksionarët e lartë, nëpunës të administratës shtetërore dhe specialistë të profesioneve të lira, me origjinë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, nga Shkodra, Gjirokastra, Vlora, Elbasani etj., i dërgonin vajzat e tyre në këtë shkollë. Gjithë malësitë e qytetet e zonave verilindore, si Tropojë, Kukës, Peshkopi, nuk i dërgonin vajzat në shkollat e mesme, gjë që bëri që për disa dekada, edhe pas Çlirimit, këto zona të mos kishin mësues vendas. Qenë ish-partizanet dhe sidomos vajzat e Korçës, që kishin mbaruar Institutin Femëror të Tiranës, ato që shkuan në këto zona dhe shumë nga ato sakrifikuan rininë e tyre, ndenjën atje – dhe shumë mbetën pa u martuar – duke shërbyer me dekada, larg familjeve dhe ambienteve të tyre…”

Hoxha: Jeta në ilegalitet e partizanëve

Jeta në ilegalitet nuk ka qenë aspak e lehtë për partizanët. Në librin me titullin “Lufta jonë çlirimtare”, Nexhmije Hoxha rrëfen për herë të parë me detaje se si ishte të jetojë ilegale duke shpjeguar edhe diferencat mes meshkujve dhe femrave. Në libër ajo tregon një incident të Tuk Jakovës dhe fokusohet në mënyrat që përdorte ajo vetë për tu maskuar.

Më poshtë pjesë nga libri:

“…Dy gjërat e para që duhet të bënte një ilegal ishin: të siguronte një letërnjoftimi fals dhe të mendonte, të mësonte dhe të provonte se si të ndryshonte pamjen e jashtme të vetes, me veshje të ndryshme, që të evitonte njohjen nga ana e spiunëve, të milicëve e të bashkëpunëtorëve të tyre. Sigurimi i letërnjoftimit fals nuk ishte shumë i vështirë, sepse në institucionet përkatëse kishim njerëzit tanë, që i përgatisnin ato, duke u vënë edhe pullat e vulat e duhura. Por kjo nuk do të thoshte se me këto letërnjoftime nuk ndodhnin incidente të papritura, që s’kishin të bënin me “falsitetin” e dokumentit, por, për shembull, me emrin që kishte zgjedhur vetë ilegali, ose me fotografinë e tij etj.

Kështu i ndodhi, për shembull, Tuk Jakovës, i cili në letërnjoftimin e tij fals quhej Pjetër Marku. Milici që e ndali në rrugën që të çonte në shtëpinë ku u themelua Partia, sa i hodhi sytë letërnjoftimit, tha: “Ou, ti je Petro Marko, që po kërkohet aq shumë?”. Tuku u mbrojt sa mundi, por milici vazhdoi të dyshojë dhe u ndal edhe te qesja prej letre të trashë të murrme, që kishte Tuku në dorë, dhe e pyeti: “Çfarë ke aty?”. “Mollë…” iu përgjigj Tuku. “Hape!…”, nguli këmbë milici. Tuku, me gjakftohtësi, e hapi dhe nxori nga qesja një bombë dore, të kuqe, dhe i tha me ton: “E, do që ta hash këtë?… ose zhduku!…”. Milici fashist, sa e pa bombën, iku vrap bashkë me shokun e vet që po e priste te kthesa e rrugicës. Nga kjo ngjarje, ato ditë u pezulluan takimet e mbledhjet që bëheshin në atë shtëpi…

Për djemtë ilegalë, ishte e zakonshme të lëviznin të armatosur me pistoleta e bomba dore dhe shumë prej tyre përdornin biçikletë, që i ndihmonte të shpëtonin nga ndjekja e ndonjë patrulle ose spiuni që mund t’i kishte njohur. Kurse unë, nga ana ime, qoftë se isha vajzë, qoftë edhe prej natyrës sime, nuk merrja me vete në rrugë armë, as përdora biçikletë. Pistoletën mund ta përdorja, sepse isha ushtruar në shtëpitë ku strehohesha, madje, e mbaja nën jastëk, pasi, në rast rrethimi, nuk do të ngrija duart e të dorëzohesha, por do të luftoja bashkë me shokët. Ndërsa në rrugë, në çdo rast të ndalimit nga ndonjë patrullë ose spiun, të gjendesha me pistoletë e të hapja zjarr, do të ishte një sakrifikim i kotë e do të rrezikoja veten dhe kalimtarët. Prandaj mendoja se, e paarmatosur dhe e qetë në dukje, mund t’ua hidhja më mirë armiqve. Unë dhe shoqet e tjera në ato kohë ilegaliteti maskoheshim me lloj-lloj mënyrash, pasi puna na e donte që të lëviznim vetëm, të ecnim shpejt, gjë që na bënte të binim më tepër në sy. Prandaj përdornim veshje pak a shumë elegante. Më shpëtimtaret na dukeshin gjyzlykët e zeza të diellit. Zakonisht, unë përdorja veshje të kohës, si të “sinjorinave” italiane ose “zonjave” të borgjezisë sonë. Herë lidhja në kokë në formë turbani një shall a një copë të mëndafshtë, që, në ato vite, ishte në modë, ose vija një kapele me strehë dhe syze të zeza, pa të cilat nuk dilja asnjëherë, se meqë më mbulonin një pjesë të fytyrës, më jepnin njëfarë sigurie. Por nganjëherë kam përdorur edhe çarçafin e zi, që u imponohej shumë vajzave myslimane në Shqipërinë e asaj kohe dhe ende e mbanin shumë gra, megjithëse unë nuk e doja. Nuk e doja, sepse ndaj çarçafit të zi më kishte mbetur njëfarë neverie shpirtërore qysh në moshën 12-vjeçare, kur, siç kërkohej në ato kohë nga ambienti fanatik dibran, u ndodha para rrezikut të veshjes së çarçafit të zi, para rrezikut që të ngelesha për jetë një vajzë e grua shtëpiake, pa shkollë e pa dalë në shoqëri…”.

“Si ia bënin partizanet me të përmuajshmet”

Shumë pak vetave u ka shkuar në mend dhe të kenë bërë pyetjen “Si ia bënin vajzat me të përmuajshmet, që, në shumicën e rasteve shoqëroheshin me dhimbje të forta 3-4 ditore?”. Por ajo që ishte më e rëndësishme ishte vështirësia në trajtimin e përshtatshëm higjienik. Të mos harrojmë se në ato vite, vajza shqiptare as me nënën e vet nuk diskutonte për këtë moment të natyrshëm (si faktor vendimtar në përtëritjen e njerëzimit). Edhe në qytete, shoqet ilegale, që ku flinin një natë, nuk flinin natën tjetër, ishin të preokupuara se mos merrnin vesh a të shikonin gjë shokët, të zotët e shtëpisë, veç ndonjë nuseje a motre që mund t’i ndihmonin. Merret me mend sa i vështirë ishte trajtimi i këtij momenti. Por partizane kishte edhe shumë vajza nga qyteti, që, me kulturën e tyre, disi më të ngritura, ndihmonin jo vetëm shoqet partizane fshatare, por edhe gratë e fshatrave nga kalonin.

Nexhmija: Njohja me Enver Hoxhën

Nexhmije Hoxha rrëfen në librin e saj detajet e një pasditeje nëntori në kryeqytet dhe njohjen me një djalë që për më shumë se 40 vjet do të ishte kreu i shtetit shqiptar, Enver Hoxhën. Siç e përshkruan vetë autorja, takimi duket rastësor, por vihet re fakti që tërheqja mes tyre ka qenë e menjëhershme. Enver Hoxha ka treguar interes që në fillim ndërsa vetë Nexhmije Hoxha thotë që në atë kohë nuk i ka bërë shumë përshtypje. Por nga ana tjetër ajo bën një përshkrim tepër të hollësishëm të takimit të tyre të parë duke kujtuar çdo detaj të njohjes me Enverin. “Unë, e mbushur me romantizëm revolucionar, kisha plot ëndrra për “dashuri”, saqë unë e konceptoja “të vetme e të përjetshme”, por këto ishin vetëm në stad platonik. Në zemër, ende nuk ishin gjallëruar ndjenjat e natyrshme vajzërore”,- thotë Nexhmije Hoxha 70 vite pas asaj dite.

Ja si e ka përshkruar Nexhmije Hoxha këtë takim:

“..Mbaj mend që më datën 22 nëntor pasdreke, ishte errur, kur arrita te shtëpia që kishin njoftuar për t’u mbledhur, te lagjja “Kodra e Kuqe”. U futa brenda dhe hapa një derë që komunikonte drejtpërdrejt me oborrin dhe u gjenda në një dhomë të mbushur plot me të rinj, që po qeshnin me të madhe. Disa ishin ulur a mbështetur në shiltetë e jastëkët përgjatë murit, disa të tjerë rrinin në këmbë rreth një sobe llamarine të zezë, ku bubullinte zjarri. Mbi të ishte një çajnik i madh, që, nga era e këndshme që lëshonte, dukej se ishte me lule bliri.

Kjo aromë përzihej me tymin e cigareve, që mjegullonte ndriçimin e dhomës me një tis të lehtë. Hyrja e një vajze të re e të panjohur e ndërpreu si me “shkop” zhurmën gaztore. Ndoshta, ata po tregonin barcaleta djemurishte…

Mes kësaj atmosfere të gëzuar rinore dhe tymit të copave të bukës që thekeshin mbi sobë, u hap një derë në qoshe të dhomës dhe pashë që hyri Qemal Stafa, i shoqëruar nga një shok, dukshëm disa vjet më i madh se Qemali dhe se të gjithë delegatët e tjerë, që kishin ardhur për atë mbledhje. Qemali, si gjithnjë, fytyrëqeshur. Por edhe mua më qeshi fytyra, sepse ai ishte i vetmi që njihja aty, ishte dhe i pari shok komunist që kisha njohur qysh në verën e vitit 1937. Kurse shokun tjetër e kisha parë në demonstratën e 28 tetorit, ishte ai që ma kishin prezantuar me emrin Enver Hoxha, profesor i Liceut të Korçës. Përshtypja e parë që më la ky shok, që tani po e shihja nga afër, ishte pamja e tij e hijshme, i gjatë, shtathedhur dhe i ngjeshur, me fytyrë pak ezmere dhe të mbushur, sytë të qeshur e shumë të gjallë, flokët të zinj, pak të valëzuar. Kishte veshur një xhaketë “doppiopetto”, me katrore të mëdha, por me ngjyra të lehta, bezhë me viza kafe; nën të kishte një pulovër leshi, ngjyrë bezhë, të punuar me dorë, me jakën pak golf, mbi të cilën kishte nxjerrë jakën e këmishës. Pantallonat ishin sportive, siç mbaheshin atëherë, pak të gjera, të lëshuara mbi çizmet, që ishin ngjyrë kafe dhe të gjata deri nën gju. Kur hyri Qemali me shokun që shoqëronte, dëgjova njërin të thotë: “O, profesori!…”. Ndërkohë, u dëgjua zëri i Qemalit: “Ky është shoku Taras, anëtar i Komitetit Qendror Provizor të Partisë Komuniste, që themeluam dy javë më parë, më 8 nëntor, dhe i deleguar nga ky Komitet për të marrë pjesë në këtë Mbledhje për Themelimin e Rinisë Komuniste”. Unë u habita kur dëgjova këtë emër, por, me sa dukej, Taras ishte pseudonimi i tij.

I deleguari i KQ të Partisë erdhi rrotull, duke u dhënë dorën shokëve, ndërsa Qemali bënte prezantimin. Ai ndalej te secili, ashtu i qeshur e duke shkëmbyer ndonjë fjalë me ta, duke thënë se ku e kishte njohur e takuar ndonjërin. Kur erdhi tek unë, Qemali i tha: “Kjo është shoqja Nexhmije Xhuglini, për të cilën të kam folur që e kam pasur në Grupin tim”. Ndërsa fliste Qemali, Enveri më shikonte ngultas e buzagaz dhe më tha: “Gëzohem që shoh një shoqe mes gjithë këtyre shokëve…”. I tha këto fjalë, duke vënë dorën në supin tim dhe pastaj u largua për te soba…

***

Ndodhte që në mbledhjet e KQ të Rinisë vinte shpesh Tarasi (E. Hoxha), si i deleguar i KQ Provizor të Partisë, i cili ndiqte mbledhjet, merrte pjesë në diskutime dhe jepte mendime për vendimet e masat që merreshin. Por gjatë dy javëve mars-prill 1942 Enverin e gjeja vazhdimisht aty, ai ndoshta edhe flinte aty…

Kur Enveri e mori vesh se unë isha ngarkuar për të raportuar e diskutuar për punën me të rejat shkollore e shtëpiake, m’u afrua dhe hapi bisedë me mua, siç bënte zakonisht, kur vinte në KQ të Rinisë. Më pyeti nëse kisha nevojë për ndihmë dhe, duke qeshur e duke më vënë dorën në sup, tha: “Hajt, çdo gjë do të vejë mirë!” dhe pastaj shtoi: “Meqë ti si anëtare e qarkorit të Tiranës je ngarkuar të merresh edhe me organizimin e aktivizimin e grave antifashiste, trajtoje edhe këtë çështje në diskutimin tënd”. Duke më buzëqeshur edhe një herë, ai u largua duke ndezur një cigare. E kisha vënë re se e pinte shumë duhanin. Mua nuk më kishte shkuar fare nëpër mend se ky afrim, ky përkujdes i veçantë dhe buzëqeshjet e tij mund të kishin edhe ndonjë nënkuptim tjetër…

Ishte e natyrshme që këta udhëheqës të kishin edhe jetën e tyre private dhe intime. Për shembull, Qemali, ndonëse më i riu ndër ta, ishte i fejuar me Drita Kosturin. Kurse për Nakon më kishin thënë që nuk është as i fejuar, as i lidhur me ndonjë shoqe. Ndërsa për të deleguarin e KQ të Partisë (Enver Hoxha sh.r), që nga pamja e jashtme dhe e moshës, dukej që kishte hyrë në stadin e burrërisë, nuk mund të mos mendoja se ishte “dejà” i martuar. Por as nuk isha interesuar të pyesja, sepse as më kishte shkuar mendja për “simpati” tjetër, përveç asaj ndaj një udhëheqësi, simpati që ishte thjesht përkushtim dhe respekt… Unë, e mbushur me romantizëm revolucionar, kisha plot ëndrra për “dashuri”, saqë unë e konceptoja “të vetme e të përjetshme”, por këto ishin vetëm në stad platonik. Në zemër, ende nuk ishin gjallëruar ndjenjat e natyrshme vajzërore. Po ja që, në rrugën e jetës sime të re, u ndodh një person me cilësi të veçanta, i dashur, i qeshur, shumë tërheqës që ëndrrat e mia platonike i ktheu në realitet, me një jetë, si në përrallë, të bashkuar, në kohë të mira dhe të vështira, në dashuri e lumturi të përjetshme…”

“Si i shpëtova arrestimit bashkë me murgeshën italiane”

Në librin me kujtime të Nexhmije Hoxhës është fiksuar qartë datë 12 prill 1942 ku ajo i ka shpëtuar arrestimit së bashku me Drita Kosturin. Një milic i armatosur është paraqitur në derën e shtëpisë, por dy vajzat kanë shpëtuar vetën në sajë të Skënder Xhuglinit, djali të xhaxhait të Nexhmijes. Më vonë vajzat mësuan se milici në fakt ishte vëllai i një mikut të tyre dhe realisht kishte shkuar për ti njoftuar.

Më poshtë pjesa nga libri:

“…Në mëngjesin e 12 prillit u dëgjuan trokitje në portën e shtëpisë. Doli djali i xhaxhait tim, Skënder Xhuglini. Te porta e hapur shohim një milic të armatosur. Për mua qe e qartë se ai kishte ardhur për të më arrestuar. Mundësi për të ikur nga shtëpia nga ndonjë dalje tjetër, përveç portës së jashtme që të nxirrte në rrugë, nuk kishte. Alarmi në dhomë dhe shqetësimi më i madh i imi, nuk ishte aq për veten time, por për një mikeshë, që kisha në shtëpi, një murgeshë italiane. Një natë më parë, Drita Kosturi, e cila, me anën e motrës së vet, ishte futur në një kolegj murgeshash që jepnin mësime qëndisjeje etj., ma kishte sjellë për ta strehuar përkohësisht. Murgesha e re paraqitej si antifashiste dhe, ndoshta, për arsye të tjera, i qe mërzitur jeta prej murgeshe. Halli ishte si t’ia bënim asaj. Nuk duhej lënë të binte në dorë të italianëve, që mund ta kthenin aty ku ishte, sigurisht edhe duke e dënuar, sipas rregullave të tyre. Ndërkohë që Skënderi po e mbante milicin me fjalë te pragu i portës, ne u morëm me murgeshën: i veshëm diçka nga rrobat e nënës dhe në kokë, të cilën ajo e kishte të rruar, i lidhëm një shami dhe i thamë të hiqej si shurdh-memece e të mos fliste asnjë fjalë.

Por, ndërkaq, Skënderi e kishte përcjellë milicin dhe e mbylli portën nga brenda. Ne morëm frymë të lehtësuara. Kur e pyetëm si ia doli që milici të mos hynte në shtëpi, ai na tha se e kishte prekur në sedër, duke i thënë: “Si ore, ti një malësor shqiptar, njeri i besës, vjen të marrësh një vajzë të re shqiptare e t’ua dorëzosh italianëve?! A nuk të vjen marre? Pastaj, ajo nuk ndodhet këtu…” dhe, kështu, e mbajti me llafe derisa milici u bind. Ky i kishte thënë: “Mirë, do të vij prapë më vonë”. Por, siç e morëm vesh më pas, në fakt, ai kishte ardhur për të na vënë në dijeni, tërthorazi, se më kishin futur në listë për të më arrestuar. Ai ishte vëllai i një komunisti dhe qe futur në milici, me porosi nga Partia Komuniste, për t’i dhënë kësaj informata…”.

“Nata e parë e ilegalitetit në shtëpinë ku rrinte Enveri”

Nga takimi i parë në nëntor të vitit 1941, mes Enver Hoxhës dhe Nexhmije Xhuglinit kishin ndodhur shumë gjëra. Nexhmija kishte dalë ilegale, vetë Enveri ishte një nga njerëzit më të kërkuar të regjimit, por ata nuk linin rast pa u takuar me njëri-tjetrin dhe gjithmonë ekzistonte një tension mes tyre. Kjo vihet re edhe nga rrëfimet e Nexhmije Hoxhës 70 vite më pas. Në libër ajo tregon një dialog mes tyre, i cili mbyllet me ftesën e Enver Hoxhës për ti gjetur një shtëpi vajzës që sapo kishte dalë ilegale. Rruga me biçikletë për në shtëpinë e re është një tjetër pjesë që flet shumë për mentalitetin e kohës.

Më poshtë pjesa nga libri:

“Gjatë mbledhjes së Konsultës, pashë se Enveri u përpoq të më tërhiqte vëmendjen, të tregojë interesim të veçantë për mua, duke m’u afruar shpesh gjatë pushimeve të mbledhjes së atyre dy ditëve, nëpërmjet bisedave, shakave, insinuatave, por unë, në fillim, nuk e kuptova ku do të dilte. Pas ndërprerjes së mbledhjes, të gjithë pjesëmarrësit u larguan në bazë të rregullave, duke dalë me intervale të caktuara, duke bërë kujdes të mos binte në sy kjo lëvizje jo e zakontë. Kur të gjithë shokët qenë larguar, Enveri, që e kishte lënë veten të fundit, erdhi e u mbështet te kasa e derës dhe po më shikonte që po fërkoja fort dërrasat e dyshemesë me furçë, me gjunjë të mbështetur në dyshemenë e lagur.

- Ditke të lash mirë!- foli ai duke qeshur.

- Pse, ç’pandeh? Unë jam dibrane.

- Po edhe gjirokastritët s’bien më poshtë,- tha.

- S’e di, nuk i kam parë shtëpitë gjirokastrite, por di një gjë, që në komunizëm gratë do të jenë të barabarta me burrat, prandaj edhe këtyre do t’u bjerë të punojnë si edhe gratë, prandaj,- i thashë duke qeshur,- pa merre ca atë qilimin që solli Bija dhe shkunde një çikë aty jashtë…!

- Drejt, shoqe, me gjithë qejf,- tha ai dhe, pa e zgjatur, e mori, e shkundi dhe e solli…

Enveri m’u kthye:

- Ku do të shkosh sonte?- Ai e dinte se unë qeshë larguar nga shtëpia e s’mund të kthehesha më atje.

- Nuk e di,- thashë,- nuk di ku të shkoj.

- Si nuk e di? Nuk ke ndonjë hallë, teze apo dajë, xhaxha?

- Jo, nuk kam ndonjë nga këta këtu në Tiranë. Kam disa kushërinj të babait, por nuk kam vajtur ndonjëherë në shtëpinë e tyre për drekë apo darkë, aq më pak, vetëm, pa nënën. Po të shkoj, duhet t’u them si e kam punën e, vallë, a më mbajnë?

Atëherë, Enveri tha:

- Eja me mua, atje ku do të vete unë,- tha ai.

Nuk kisha si të bëja ndryshe. Kohë nuk kishte shumë për t’u menduar. U vesha dhe u rregullova shpejt e shpejt.

Kur më pa Enveri ashtu, me një turban kafe e me syze dielli të errta, nuk ngeli pa bërë ca komplimente për atë transformim që kisha pësuar dhe qeshëm. Pastaj u ndamë me të zonjën e shtëpisë dhe nisëm të dalim nga shtëpia. Enveri uli edhe më fort kasketën mbi ballë, mori biçikletën dhe kur arritëm te dera e jashtme, më thotë: – Ti, tani, do të hipësh këtu përpara. Vetëm kujdes këmbët, mos i takosh te zinxhiri…

Unë mbeta e befasuar. E ku kisha hipur në biçikletë me ndonjë djalë? Pastaj, si do të rrija gjithë rrugës si mbi gjemba. Fillova të kundërshtoj: “Jo, jo, nuk mundem” dhe, ndërkohë, më vinte për të qeshur. Pastaj i thashë: – Turp kush të na shohë, do të thonë si ka hipur aty gjithë kjo “sinjorinë”!? – Lëri fjalët,- më tha ai,- se po fillon të erret dhe shtëpia ku do të vemi është në anën tjetër të qytetit… Ishte vërtet vonë, po afronte ora e “coprifuoco”-s, kur gjithë njerëzit duhej të futeshin brenda në një orë të caktuar, sipas stinës, posa të fillonte të errej. Aq më tepër, të udhëtoje me Enverin, një ndalim në rrugë i tij nga milicia, ishte shumë i rrezikshëm, sepse ai ishte i koracuar mirë me bomba e me revole. Pastaj, Enveri ishte i dënuar me vdekje dhe kërkohej me qiri nga fashistët e larot e tij. Prandaj nuk e zgjata më dhe hipa në një anë, përpara. Mirë që atëherë s’isha më shumë se 50 kile…”.

“Lufta jonë çlirimtare”, libri i ri i Nexhmije Hoxhës

Nexhmije Hoxha sapo ka përfunduar librin e saj të fundit me kujtime nga Lufta Nacional Çlirimtare, i cili do të jetë në treg pas pak ditësh. Libri me titullin “Lufta jonë çlirimtare” është një përmbledhje kujtimesh të shoqëruara me letrat origjinale të saj dhe sidomos me dokumente të kohës, të cilat janë mbledhur ndër vite nga autorja. “Shekulli” ka marrë të drejtën ekskluzive të botimit të pjesëve më pikante të këtij libri.

70 vjet pas njohjes me Enver Hoxhën, e shoqja i ka lejuar vetes që të përshkruajë me detaje shumë nga momentet e kaluara me të. Nuk bëhet fjalë për jetën zyrtare të shkruar nga shumë kronikanë të kohës, por për njohjen e vajzës së re dibrane Nexhmije Xhuglini me burrin gjirokastrite, Enver Hoxha. Në libër jepen të plota letrat e saj për Enverin në kohën kur të dy ishin ende ilegalë, dhe më pas e gjithë historia mes tyre nga propozimi për martesë deri tek kurorëzimi i lidhjes më 1 janar 1945.

“Lufta jonë çlirimtare” është konceptuar nga autorja edhe në formën e një libri me portrete. Në mënyrë të detajuar ajo tregon se si është njohur me shumë figura të kohës, të cilët për vite të tëra do të drejtonin Shqipërinë, por edhe flet për marrëdhëniet e komplikuar edhe me figura të tjera si Ramize Gjebreja.

Në vend të parathënies nga Nexhmije Hoxha

Jetoja në një familje të vogël dhe të qetë. Babai ishte një nëpunës i thjeshtë, nëna shtëpiake, unë nxënëse në vitin e fundit të Institutit Femëror “Nana Mbretneshë”, vëllai ishte nxënës në gjimnazin e Tiranës. Në shtëpinë tonë nuk diskutohej për politikë, në kuptimin e gjerë të fjalës, por bisedat kufizoheshin në shqetësimet e ditës: për rrogat që nuk jepeshin me muaj; për borxhin, që shtohej, te bakalli; për qiratë e shtëpive, që ngriheshin e që na detyronin të barteshim nga njëra shtëpi te tjetra e, kështu, edhe për të tjera nevoja familjare.

Babai nuk blinte gazeta. Edhe radioja hyri vonë në shtëpinë tonë, sepse nuk përballohej nga buxheti familjar, por edhe sepse vetëm pas vitit 1936 u shtri rryma elektrike edhe në shtëpitë e vogla tiranase. Në këtë qetësi dhe amulli familjare unë kisha krijuar botën time. Duke lexuar Migjenin, Gorkin dhe të tjerë autorë e botime që bënin fjalë për një Botë të Re, kjo u bë ëndrra e viteve të para të rinisë sime. Kjo ëndërr më bëri të mendohem e të gjykoj më qartë për realitetin që përjetonin shoqëria shqiptare dhe veçanërisht gratë e vajzat. Kjo Botë e Re na dukej si një mirazh që na tërhiqte me magnetizmin e vet, ndizte fantazinë tonë rinore për një të ardhme më të mirë e më të bukur. Këto shpresa ushqenin atë lëvizje e veprimtari revolucionare të brezit të ri dhe të inteligjencies progresiste të asaj kohe, që po merrte shtrirje në Shqipëri, në vitet ‘30. Por para këtyre flamurtarëve të kësaj Bote të Re, e përpjeta ishte e fortë dhe udha e gjatë.

Shoqëria shqiptare, në përgjithësi, lëngonte nën peshën e shumë të këqijave: nga varfëria e skajshme, nga prapambetja po aq e skajshme, nga zakonet e vjetra që rëndonin veçanërisht mbi jetën e gruas, nga analfabetizmi në masë, nga koleksioni i gjithë sëmundjeve endemike etj. Por një të premte të zezë prilli të vitit 1939, toka shqiptare u drodh nga një tërmet, që i erdhi nga deti: valët e hordhive fashiste të Musolinit u derdhën mbi Shqipërinë. U shkund nga përgjumja një popull i tërë. Ndjeu kushtrimin e të parëve të vet: “O djem, rrëmbeni pushkën! Ja vdekje! Ja liri!”.

U ndez gjaku i rinisë! U ngrit në këmbë dhe, si një trup i vetëm, u hodh në luftë për çlirimin e atdheut, për fitoren e lirisë së popullit dhe për një të ardhme të re. Ç’emocione! Emocione që vrasin frikën, që ndryshojnë rrjedhën e jetës, që ngjallin ndjesi të forta e të bukura, të panjohura më parë! Kush e mendonte se kështu, papritur, rinia do të merrte në duart e veta zgjidhjen e madhe historike politike që kërkonin çasti dhe e ardhmja e Shqipërisë? I lumtur brezi që përjetoi ato kohë e atë Luftë Çlirimtare! I lumtur, i nderuar e krenar sot e mot, në çfarëdo rrethanash, sepse Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare është vulosur në mënyrë të pashlyeshme në Historinë e Shqipërisë dhe përbën një nga faqet më të ndritura të luftërave çlirimtare të kombit shqiptar.

“Jeta tek “Nana Mbretneshë”

Instituti Femëror i Tiranës ishte shkolla e vetme në Shqipëri ku mund të arsimoheshin femrat. Në vitin 1939 aty ndodheshin rreth 800 femra nga i gjithë vendi dhe një pjesë prej tyre në të ardhmen do të bëheshin drejtuese të Lëvizjes Nacional Çlirimtare. Një ndër to ishte vajza e re Nexhmije Xhuglini, e cila e përshkruan shkollën duke thënë:

“Instituti i vajzave, që mbante emrin “Nana Mbretneshë”, pas ngjarjeve të prillit 1939 u quajt Instituti Femëror i Tiranës. Kjo ishte shkolla e mesme e vetme për vajza në Shqipëri, me 8 vjet mbi shkollën fillore 5-vjeçare. Aty studionin nga e gjithë Shqipëria rreth 800 vajza, që përgatiteshin kryesisht për arsimtare, të cilat pastaj shpërndaheshin në krahinat nga vinin ose në zona ku nuk kishte mësuese. Nga kjo pikëpamje, Instituti ishte një vatër nga shpërndahej dritë, kulturë, edukatë për shoqërinë tonë, familjen, fëmijët dhe veçanërisht përhapte dhe çonte përpara emancipimin e vajzave e të gruas shqiptare.

Shumica e vajzave ishin nga Tirana dhe nga Korça, ku ishte hapur shkolla e parë shqipe. Vajzat nga Tirana ishin të gjitha nga qyteti, por shumë pak me origjinë nga vetë Tirana, përveç disave që vinin nga shtresat e njohura të parisë tiranase, tregtarë etj. Nga fshatrat e Tiranës nuk mbaj mend asnjë. Gjithë qeveritarët, funksionarët e lartë, nëpunës të administratës shtetërore dhe specialistë të profesioneve të lira, me origjinë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, nga Shkodra, Gjirokastra, Vlora, Elbasani etj., i dërgonin vajzat e tyre në këtë shkollë. Gjithë malësitë e qytetet e zonave verilindore, si Tropojë, Kukës, Peshkopi, nuk i dërgonin vajzat në shkollat e mesme, gjë që bëri që për disa dekada, edhe pas Çlirimit, këto zona të mos kishin mësues vendas. Qenë ish-partizanet dhe sidomos vajzat e Korçës, që kishin mbaruar Institutin Femëror të Tiranës, ato që shkuan në këto zona dhe shumë nga ato sakrifikuan rininë e tyre, ndenjën atje – dhe shumë mbetën pa u martuar – duke shërbyer me dekada, larg familjeve dhe ambienteve të tyre…”

/yllpress.com/

No comments:

Post a Comment