Iniesta: Guardiola është fondamental për projektin e Barcelonës

Mesfushori sulmues i skuadrës katalanase dhe i kombëtares spanjolle, Andres Iniesta, ka nënvizuar rëndësinë e trajnerit Guardiola për Barcelonën. Ai është i bindur se “koka” e të gjitha sukseseve të blaugranëve vitet e fundit lidhen direkt me trajnerin, për të cilin ka shpresë se do të qëndrojë në krye të Barcelonës, në “Camp Nou”.
Kontrata aktuale e trajnerit 40-vjeçar do të përfundojë në fund të sezonit dhe ende nuk është caktuar nëse ai do ta zgjasë qëndrimin në krye të mbajtësve të “Champions League”. Megjithatë, Iniesta ka bërë të qartë se lojtarët janë shumë të dhënë pas Guardiolës, sepse vetë Barcelona nuk do të kishte kuptim pa të. “Ne gjithmonë do të themi të njëjtën gjë dhe kjo vjen ngaqë jemi shumë të kënaqur me drejtimin e trajnerit Pep Guardiola. Ai është themelor, fondamental për projektin e Barcelonës, – ka cituar Iniesta në një intervistë për “Sport”, gazetën katalanase. – Nëse trajneri vendos për të qëndruar me ne, kjo do të thotë se mund të jetë ende i suksesshëm në krye të Barcelonës. Guardiola e ka thënë më shumë se një herë se do të jetë e vështirë për të qëndruar, por nuk besoj se thellë në vetvete e ka këtë ndjenjë, për t’u larguar nga Barcelona. Kryesore është se ne jemi një ekip, të lidhur fort pas trajnerit, ndërsa të gjithë bashkë japim 100 për qind për Barcelonën. Kjo e ka një kuptim të mirë, sepse jo gjithkund ekziston një marrëdhënie kaq e pastër dhe bashkëpunuese mes lojtarëve dhe trajnerit.”
Kujtojmë se Pep Guardiola zëvendësoi Frank Rajkard si trajner i Barcelonës në verën e vitit 2008 dhe ka fituar prej asaj kohe dy “Champions League” dhe tre trofe në “La Liga”.

/panorama.com.al/

No comments:

Post a Comment