Idrizi: Koha për një rezolutë që Greqia të kërkojë ndjesë për çamët

Kuvendi shqiptar nderoi dje viktimat shqiptare të Çamërisë në përkujtimin e masakrës greke ndaj tyre pas vitit 1944. Kreu i PDIU-së e kërkoi këtë nderim në emër të komunitetit çam dhe i kërkoi Parlamentit shqiptar të miratojë sa më shpejt një rezolutë për të kërkuar drejtësi historike mbi këtë fatkeqësi shqiptare. “Po jua kujtoj këtë, sepse sot është ndryshe. Sot, ne, përfaqësuesit e këtij komuniteti, jemi në Parlament pjesë e koalicionit për qytetarin, një koalicion vlerash dhe ku ne kemi kontributin tonë e presim mbështetje nga ju si shqiptarë dhe partnerë në koalicion. Rezoluta nuk është ndonjë shpallje lufte, përkundrazi, afirmim i një bashkëjetese në paqe që duhet të ekzistojë me fqinjët, bashkëjetesë që kalon nga e drejta. Është afirmim i dinjitetit tonë njerëzor dhe kombëtar. Rezoluta synon të jetë një dokument programatik, një vijë sjelljeje e pashmangshme nga asnjë qeveri. Ajo do t’i kërkojë qeverisë të ngrejë në takimet me palën greke respektimin e Traktatit të Miqësisë e të konventave europiane. Rezoluta nuk do të kërkojë gjyq historie për fqinjin, por kërkim ndjese për të lehtësuar ndërgjegjen e të gjithëve. Rezoluta nuk kërkon rishikim kufijsh, por restaurim, rikthim të së drejtës tek i zoti”, deklaroi Idrizi. Sipas tij, kohët kanë ndryshuar dhe të drejtat duhet të kërkohen sipas të gjitha ligjeve ndërkombëtare. “Ç’do të bëjmë ne, të nderuar deputetë, ministra e dinjitarë të shtetit shqiptar? Do të vazhdojmë të strukemi para këtij turpërimi të përditshëm që na bën fqinji ynë, apo do të reagojmë? Unë them të veprojmë. Diplomacia jonë të veprojë. Ne i jemi drejtuar Presidentit të BE-së, Barroso, komisionerit Fyle, komisionerit të lartë për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës, zotit Hamerberg. Shqipëria, shqiptarët sot nuk janë ata të 1945-s, as të 1997-s, kur shteti shqiptar ishte i dobët apo i kapur nga anarkia. Shqipëria sot është anëtare e NATO-s. Shqipëria sot ka ratifikuar shumë konventa ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, për institucionet ndërkombëtare të drejtësisë dhe rrugët europiane të vendosjes së kësaj drejtësie janë të hapura. Ne duhet të ecim në to. Unë them të mos harrojmë”, tha Idrizi.


(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment