Edhe pse ndodhet në gjyq i akuzuar për korrupsion dhe faktet për këtë akuzë i pa gjithë Shqipëria, Ilir Meta po tenton të përdorë procedurat ligjore për të shpëtuar nga gjykimi, një taktikë kjo e njohur tashmë nga ministrat e akuzuar të Berishës. Gjykata e Lartë ka shtyrë gjyqin e tij më datë 11 korrik, por avokatët kanë kërkuar mbyllje e gjykimit për efekt të shkeljes së procedurave ligjore nga ana e prokurorisë. Gjyqi i Metës është një nga shkaqet që Berisha po vonon aq gjatë ndryshimet në qeverisë duke mbajtur bosh dy ministri të rëndësishme, atë të Drejtësisë dhe atë të Turizmit e Kulturës. Sipas burimeve rikthimi i Metës në kabinetin qeveritar krah Berishës, nga ku iku disa muaj më parë duke dhënë dorëheqjen, ka të bëjë dhe me rezultatin e Lulëzim Bashës në Tiranë, rezultat që LSI pretendon se i atribuohet asaj. Mjaft të shohësh diferencën e madhe të votave që ka Basha dhe PD-ja si parti në Tiranë. Disa herë në publik Meta e ka trumbetuar si fitore të LSI-së rezultatin e Bashës, dhe tani që ai pret të bëhet kryebashkiak pas taktikave të KQZ-së, Meta pret shpërblimin e tij. Një rikthim në qeveri do të thotë për të një tentativë për riciklim në politikë.
Figura e tij duke shfletuar një bllok shënimesh me anë të të cilit kërkonte nga vartësi i tij, ish-ministri Dritan Prifti që të ndërhynte në tendera, koncensione dhe emërime njerëzish në punë, do të jetë e vështirë të hiqet nga kujtesa e shqiptarëve. Videoja në fjalë u bë shkak dhe për trazirat e 21 janarit. LSI ndodhet në koalicion me PD-në pas zgjedhjeve të 2009-ës dhe LSI ka marrë një 20 për qind të posteve në administratë duke nisur nga portofolet e ministrave.
(www.gazetatema.net)
No comments:
Post a Comment