Vepra e Francis Bacon shitet për 18 milionë funta

Një pikturë e artistit Francis Bacon është shitur për rreth 18 milionë funta, të martën, në një ankand në Londër.
Piktura ‘Study for a Portrait’ (Studim për një portret) e vitit 1953 i ka tejkaluar pritjet pasi që Christie's e kishin vlerësuar kryeveprën rreth 11 milionë funta.

Piktura në vaj, e cila nuk ka dalë ndonjëherë më parë në ankand, ishte përshkruar si ‘studim mahnitës dhe i errët në degradimin e pushtetit’.

Më herët ka qenë në pronësi të dy bashkëkohësve të Bacon - Rodrigo Moynihan dhe Louis Le Brocquy.

Vepra ka qenë e dyta më e vlefshme që është shitur në një ankand të artit bashkëkohor të pasluftës në Christie’s, tha një zëdhënës.

Vepra e shitur më së shtrenjti në këtë kategori ka qenë ‘Triptych’ e Bacon, e cila kishte arritur shumën prej 26.3 milionë funta në shkurt të vitit 2008.

Gjërat tjera të shitura të martën në ankand përfshijnë veprën ‘Woman Smiling’ (Gruaja duke buzëqeshur) nga Lucian Freud, 1958-59, e cila u shit për 4.7 milionë funta. Shtatë vepra nga koleksioni i Kay Saatchi arritën të shiten për 3.9 milionë funta.(gazetaexpress.com)



No comments:

Post a Comment