Ai ka folur edhe për vjedhjen e zgjedhjeve nga ana e mazhorancës, por ka thënë se tashmë nuk mund të ketë herë të tretë, pasi populli shqiptar do t’i përgjigjet më shumë se kurrë me votë Berishës.
Më poshtë, një pjesë e fjalimit të Ramës:
“Kjo është dita për të folur për vizionin tonë për Shqipërinë dhe për këtë parti të madhe. Ne takohemi sot në një ditë shumë të vështirë për vendin. Secili prej jush ka shumë për të treguar për dëshpërimin, varfërinë dhe frikën që kanë pllakosur shqiptarët. Por, po ashtu, secili prej nesh ka shumë për të dhënë për një frymë shprese.
Në zgjedhjet e 8 majit ne provuam dy ndjenja: fitoren e madhe në gjithë Shqipërinë dhe zhgënjimin e madh nga vjedhja e dhunshme e fitores sonë në Tiranë.
Fitorja tregoi se sa pranë jemi në fitoren e zgjedhjeve parlamentare, por dhe zhgënjimin se nuk mund ta heqim dot me votë këtë qeveri të kalbur.
Janë të shumtë të rinjtë që pyesin pse duhet të votojnë, janë shumë shqiptarë që nuk e besojnë se Saliu mund ta pranojë largimin me votë, janë shumë ata që rrugën tonë të rezistencës sonë pas vjedhjes, e quajnë rrugën e interesit tim.
Sot dua të flas hapur, me zemër dhe drejtpërdrejt atyre që më përkrahin, por dhe atyre që më gjykojnë dhe më sulmojnë nga llogoret e regjimit.
Atyre që më mbështesin u them se jam më kurrë se i vendosur për të bërë një Shqipëri ashtu siç duhet dhe për të ecur në rrugën time. Do të jem me ju më pranë se asnjëherë, për ta hapur PS-në në Shqipëri dhe për të nxitur një dallgë regjistrimi. Për ta bashkuar partinë tonë me çdo shqiptar, për ta ngritur besimin e dërrmuar nga padrejtësia dhe për t’i dhënë krahë një Shqipërie pa borxhe, plehra, frikë, korrupsion. Do jemi bashkë për një Shqipëri të rilindur.
Shqipëria mund të bëhet dhe do të bëhet, dhe do ta bëjmë ne, Partia Socialiste. Ky është fillimi i një rruge të re, për nxitjen e besimit tek njerëzit, për ta ngarkuar partinë tonë për shpëtimin e vendit nga një krizë e thellë ekonomike.
Liria në PS
Atyre që më gjykojnë duke u nisur nga qëllimet e tyre, u them se unë nuk jam i pagabueshëm. Por, Partia Socialiste nuk vuan sot nga mungesa e lirisë, apo e debatit dhe demokracisë. Liria mund të punojë edhe më mirë, por ne jemi krenarë se kjo është e vetmja parti ku kjo liri funksionon. Të gjithë e duan lirinë, por të bësh zgjatime të lirisë me kazermën e Saliut, kjo është e patolerueshme. Kjo është e vetmja parti që kryetari zgjidhet me votë nga Kongresi. Le të bashkëpunojmë akoma më shumë për demokracinë në partinë tonë, por të thuash që nuk ka liri, debat dhe demokraci brenda PS-së, është si t’ thuash shqiptarëve mos besoni tek PS-ja.
Le të shohim të vërtetën në sy, sot Partia Socialiste e ka një problem për të zgjidhur me veten, por kjo bëhet me bashkëpunimin e të gjithëve dhe me përjashtimin e askujt.
Gjithkush është i lirë të thotë atë që mendon, por nuk duhet ta përdorë mandatin për përfitime personale.
Shqiptarët duhet të na shohin duke debatuar për uljen e taksave dhe hapjen e vendeve të punës, dhe jo duke u zënë për inate personale dhe për tradhti të familjes sonë politike.
Mandatet tona janë për votuesit dhe duhet t’i përdorim për të mirën e vendit.
Pa forcën e shembullit të qytetarisë, patriotizimin, ne nuk mund ta vëmë në zbatim programin tonë.
Ky është programi i vetëdijes së madhe për krizën e thellë ekonomike, është programi dallimi rrënjësor mes nesh dhe atyre që kemi përballë, që po e grabisin përditë Shqipërinë.
Koha e Shqipërisë nuk mund të humbet më gjatë në tatëpjetën e krizës ekonomike. Historia do të na dënonte nëse krizën që e ka zënë vendin, nuk e kthejmë në një mundësi të madhe për vetë vendin.
Rritja 30% e anëtarësisë në vitin 2012 duhet të kthehet në një objektiv të partisë sonë, duke filluar që nga ata që janë larguar për shumë arsye, dhe deri tek qytetarët e shumtë, duke u shkuar derë më derë.
Çdo socialist duhet të jetë i hapur me ata që na ndan e shkuara, por mund të na bashkojë e ardhmja. Lufta për borxhin publik të shquptarëve, nuk ka vend për konflikte dhe beteja meskine personale.
Izolimi faktik nga Europa është i pafalshëm dhe i patolerueshëm dhe për këtë arsye politika duhet t’i dalë ballë kësaj situate. Sot nuk ka vend për konflikte as brenda partisë, as jashtë, biles as me kundërshtarin tonë politik. Inatet nuk do të na pengojnë të dialogojmë edhe me kundërshtarin tonë politik, pasi stuhia që po afron nuk duhet të na gjejë jashtë Europës.
Vjedhja e votave
Atyre që më sulmojnë nga llogorja e këtij pushteti ju them se mundoheni kot, nuk do ta dobësoni dot opozitën, nuk do ta blini dot shpirtin tonë, nuk mund të na dobësoni dhe nuk mund të na mposhtni me paratë dhe me korruptimin tuaj. Ne do t’ju heqim nga qafa e Shqipërisë me gjithë borxhet, me gjithë padrejtësitë tuaja.
Na i torturoni përditë njerëzit tanë me plumba, dhunë psikologjike dhe përndjekje. Na keni vjedhur votat dy herë. Një herë natën dy vjet më parë dhe herën tjetër në mes të ditës, në sytë e botës. Por, nuk do të ketë një herë të tretë. Sepse tanimë edhe demokratët e thjeshtë, e kanë kuptuar se nuk jeni as e djathta e shqiptarëve dhe as e ardhmja, por jeni një kastë hajdutësh dhe hera e tretë do të jetë hera e së vërtetës. Populli do të ngrihet mbi malin e korruptimit dhe manipulimeve tuaja, ashtu siç ngrihen popujt. E treta do të jetë hera e vërtetë dhe populli do t’jua tregojë me votë, për padrejtësinë që e keni kthyer në sistem.
Dëgjoj shpesh që këta nuk marrin vesh, Saliu nuk ikën me votë, nuk i dëgjon njeri propozimet tona. Ky është problemi i Saliut. Problemi ynë është që ju të dëgjoni propozimet tona. Tashmë nuk ka më rëndësi se çfarë bën Saliu, por çfarë bëjmë ne, sepse koha e Saliut ka përfunduar.
E kemi pasur të lehtë t’ja kthejmë në fytyrë Saliut shpifjen se opozita paska bllokuar integrimin, por ne nuk mund të luajmë më Europën, sic bën Saliu dhe nuk do ta bëjmë këtë gjë. Europa për ne socialistët nuk është një pikë ku ne duam të mbërrijmë, por një pikë për të mësuar të jetojmë këtu ku jemi, në Shqipëri.
Ekonomia
Ne e konsiderojmë të padrejtë taksën e sheshtë dhe për këtë arsye do ta heqim. Për ne dhe programin tonë politik është e qartë: kush merr më pak para, do të paguajë më pak taksa.
Është e vërtetë që Saliu i ka ulur taksat, por për veten e tij, për spikeren e parlamentit, për qeveritarët dhe për biznesmenët e oborrit. Kjo nuk mund të vazhdojë më kështu, pasi është një padrejtësi ulëritëse.
10% taksë për një punonjës që merr 200 mijë lekë janë shumë më shumë se ai që merr 500 mijë lekë. 10% paguan një biznes i vogël dhe një biznes i madh. Ku qëndron morali këtu, kur i varfëri varfërohet më shumë me këto taksa dhe i pasuri fryhet më shumë nga pasuria?
Programi ynë është i hapur për 95% të shqiptarëve, ndaj u bëj thirrje që ejani me ne, pasi në aleancën tonë ka shumë alternativa, që nga e majta, qendra, e djathta, të përndjekurit politikë etj.
Ne u themi këtyre 95% të shqiptarëve që do të rikthejmë drejtësinë sociale. Kush fiton më pak, do të paguajë më pak dhe do të ketë më shumë mbrojtje nga shteti. Shqipëria e të varfërve, infermierëve, policëve, pensionistëve, të papunëve, e atyre që për një copë bukë e bëjnë shesh kurrizin nën taksën e sheshtë, paguajnë sot një taksë edhe më të rëndë se taksa e sheshtë, TVSH-në. Këta qytetarët duhet t’i paguajnë Saliut 20% për çdo produkt ushqimor.
Për ilaçet, shqiptarët detyrohen që të paguajnë 10% taksë. Por, ne do t’i çojmë në zero taksat për këto të mësipërmet.
Programi jonë nuk është një program për të gënjyer, por për të bërë realitet ëndrrën tonë europiane.
/gazetatema.net/
No comments:
Post a Comment