Studimi: Jeta në qytet mund të jetë e keqe për shëndetin mental

Jeta në qytet mund të jetë e keqe për shëndetin mental, pasi që tek banorët e qyteteve të mëdha pjesët të caktuara të trurit reagojnë më fuqishëm ndaj stresit se sa tek ata që janë të rritur në fshat.
Në një studim të publikuar në revistën amerikane “Nature” thuhet se me këtë mund të shpjegohet se si jeta në qytet shton rrezikun nga sëmundja e skizofrenisë dhe çrregullimeve tjera mentale.
Studimi është bërë në Gjermani dhe aty kanë marrë pjesë vullnetarë të shëndoshë, truri i të cilëve është incizuar në skaner.
Një studim i mëhershëm kishte ardhur deri te rezultati se të rriturit në qytete të mëdha rrezikohen më shumë nga skizofrenia, ndërsa janë gjetur dëshmi se banorët në qytet i ekspozohen rrezikut më të madh nga ndryshimet e shpeshta të disponimit.
Në studimin e ri ndërkaq është zbuluar dallimi i madh në aktivitetin e trurit ndërmjet njerëzve që jetojnë në qytet dhe fshat, por nuk është gjetur ndërlidhja e fortë ndërmjet aktiviteteve të tyre të trurit dhe sëmundjeve eventuale mentale.
Shkencëtarët dëshirojnë të gjejnë se si njerëzit reagojnë në stresin që shkaktojnë njerëzit tjerë. Ata kanë vendosur vullnetarët në skaner dhe kërkuan prej tyre zgjidhjen e problemeve matematikore. Derisa ishin në skaner, të anketuarit kanë mundur të dëgjojnë zërin e shkencëtarit, të cilët i kanë kritikuar për shkak të zgjidhjes së dobët të rezultateve.
Studimi ka treguar se vullnetarët nga qyteti kanë reaguar më shumë se sa banorët e fshatit ndaj kësaj “taktike”, përkatësisht është shënuar më tepër aktivitet në pjesën e tyre të trurit, i cili reagon ndaj kërcënimeve të rrethit.
Shkencëtarët kanë marrë parasysh se sa gjatë të anketuarit kanë jetuar në qytet ose në fshat deri në moshën 15-vjeçare, madhësinë e qytetit ose të fshatit, ndërsa rezultatet kanë treguar se ata që në fëmijëri kanë jetuar në qytet të madh kanë reaguar më zëshëm në procesin e hulumtimit.
Kur studiuesit gjatë eksperimentit nuk kanë kritikuar të anketuarit në skaner, atëherë nuk është vërejtur dallimi i funksionimit të trurit ndërmjet banorëve të qytetit dhe atyre të fshatit.
(rtv21.tv)

No comments:

Post a Comment