Mesi shfrytëzoi Shqipërinë për paqen me tifozët argjentinas

Që Shqipëria nuk mund të pretendonte shumë në një miqësore të tillë kundër një prej skuadrave më të mira të botës, Argjentinës, kjo dihej nga të gjithë që para ndeshjes.
Ndaj, humbja e së hënës në “Monumental” mes kuqezinjve të të ardhmes dhe yjeve argjentinas me rezultatin 4-0, duhet marrë me sportivitet. Diferenca midis të dyja skuadrave ishin tepër të mëdha. Tani që gjithçka është lënë pas duhen parë anët pozitive, edhe pse do kishim dashur të luanim këtë ndeshje me lojtarët tanë më të mirë. Shkuam në Buenos Aires për të provuar lojtarët e rinj dhe disa prej tyre u fituan. Ndërsa shumica prej tyre u njohën më mirë me lojën e njëri-tjetrit, pasi më parë nuk kishin pasur kurrë shansin të luanin bashkë.

Gjithsesi, kjo miqësore e ka një të fituar të madh. Ai është Lionel Mesi, futbollisti më i mirë i botës, i cili edhe ndaj kuqezinjve ishte i papërmbajtshëm, si në ditët e tij më të mira me Barcelonën. Në të kaluarën ka shkëlqyer me Barcelonën, duke fituar çdo trofe që i ka dalë përpara, por kurrë nuk kishte arritur të fitonte respektin dhe zemrat e tifozëve të atdheut të tij, ku shpesh ka qenë në qendër të kritikave për mungesë rendimenti në Kombëtaren e Argjentinës.

Madje, ka pasur nga ata që kanë vënë në diskutim dëshirën e tij për t’u impenjuar në përfaqësues krahasuar me paraqitjet e tij te Barça.

Prandaj, ylli argjentinas, i konsideruar si futbollisti më i mirë në botë, rivali i denjë për t’u krahasuar me Maradonën dhe Pelen, duket se e shfrytëzoi miqësoren me Shqipërinë. Në fushë ai pati një liri absolute në të gjithë sektorët, shënoi një gol të mrekullueshëm dhe dhuroi dy asistet milimetrike në rastet e golave të Lavecit dhe Agueros.

Por mbi të gjitha, fitoi zemrën e tifozëve argjentinas, të cilët u ngritën në këmbë dhe e duartrokitën për paraqitjen e jashtëzakonshme. Për kuqezinjtë tanë ka qenë një mision i vështirë ta ndalonin, sepse ishte thjesht i papërmbajtshëm, si në ditët e tij më të mira. Ishte pikërisht ai protagonisti absolut në këtë ndeshje. Në fund, edhe vetë Mesi u shpreh shumë i kënaqur nga testi me Shqipërinë. “Arritëm të fitojmë kundër një Kombëtareje, ku mundëm të provojmë gjëra që nuk mund t’i bëjmë në stërvitje, kështu që jam i lumtur që gjithçka shkoi shumë mirë për ne”, - theksoi ylli i Barcelonës. “Qëllimi ynë ishte të bëjmë atë që bëmë, të zotërojmë topin, të qarkullojmë duke luajtur një futboll të mirë dhe të përfitojmë nga hapësira. Çdo gjë shkoi mirë dhe kështu duhet të luajmë kundër cilitdo kundërshtari”, - shtoi më tej argjentinasi, i cili pohoi gjithashtu se, “u ndjeva vërtetë shumë mirë në pozicionin që më vuri trajneri Batista”. Përballja me Shqipërinë e afron Mesin afër thyerjes së një rekordi personal: Deri tani ai ka luajtur 62 ndeshje gjatë një sezoni (55 me Barçën dhe 7 me Argjentinën). Në sezonin e kaluar luajti 64 ndeshje, por nëse aktivizohet në ndeshjen në grupe në Kupën e Amerikës, me siguri do ta kalojë këtë rekord.
(top-channel.tv)

No comments:

Post a Comment