Borxhi shqiptar, në gjurmët e borxhit grek

Ardian Fullani,Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, deklaroi dje në tiranë se Shqipëria “duhet të kërkojë rrugë të tjera për rritjen ekonomike nga ato që janë shfrytëzuar deri tani”. Sipas tij, “inflacioni është nën kontroll, dhe treguesit kryesorë janë të qëndrueshëm, por politikat e qëndrueshme fiskale nuk mjaftojnë që të sjellin qëndrueshmëri makro-ekonomike”.

“Modeli aktual i rritjes nuk garanton qëndrueshmëri dhe duhet të nxitet debati për të bërë reforma të reja jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në atë social. Rrjedhimisht, rritja ekonomike duhet të kërkohet në treguesit e tjerë të rritjes siç janë: përmirësim i klimës së biznesit, duhet të rritet konkurrenca, duhet të vazhdojnë reformat strukturore të tregjeve, politika aktive makro-prudenciale në të gjithë sektorët e ekonomisë si dhe faktorë të tjerë” – shtoi Fullani.

Guvernatori i bëri këto komente, ndërkohë që një mision i FMN po diskuton me zyrtarët e ekonomisë për politikat fiskale, administrimin e borxhit publik dhe deficitit buxhetor shqiptar. Jozyrtarisht mësohet se misioni i FMN u ka kërkuar deputetëve në komisionin parlamentar të ekonomisë që të japin ndihmesën, për të frenuar rritjen e borxhit dhe të ruajnë defiçitin buxhetor në nivelin vjetor të parashikuar.

Inspektorët janë takuar veçmas, me deputetët e maxhorancës dhe me ata të opozitës, por shqetësimi ka qenë i njëjtë; niveli shqetësues i borxhit publik prej 59 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP), të cilin FMN e ka kritikuar.

Edhe në vizitat e mëparshme, FMN ka kërkuar që kjo shifër të ulet. Fondi po kërkon politika fiskale dhe buxhetore më konservatore; pra, jo ulje taksash, jo rritje shpenzimesh, jo rritje pagash e pensionesh, të cilat e rritin defiçitin buxhetor. Ai rekomandoi shkurtim të disa shpenzimeve që nuk mbulohen nga të ardhurat e buxhetit. Po ashtu ,FMN nuk është në favor të rritjes së pagave në nivelin e parashikuar nga qeveria, sepse pesë muajt e parë të vitit, rezultojnë me defiçit të ardhurash.

Misioni i FMN e mbyll nesër këtë vizitë të radhës në Shqipëri me një konferencë ku do të japë përfundimet dhe propozimet mbi politikat ekonomike të qeverisë dhe rishikimin e buxhetit. Tashmë është bërë e zakonshme që misioni i FMN vjen në qershor, kur rishikohet buxheti, dhe me këtë rast diskuton me zyrtarët shqiptarë edhe perspektivat ekonomike dhe projektet ekonomike.
(albanews.gr)


No comments:

Post a Comment