Zvicra, favorite

Zvicra U21, e inspiruar nga futbollistët shqiptarë, po vazhdon të shkëlqejë në Kampionatin evropian U21, i cili po mbahet në Danimarkë. Helvetikët arritën statistika të qindpërqindta në fazën e grupeve, ndërsa tash nga shumë analistë shihen edhe si favoritë të këtij evenimenti bashkë me Spanjën.

Janë pesë futbollistë shqiptarë; Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Admir Mehmedi, Pajtim Kasami e Amir Abrashi, pjesë e rëndësishme dhe armë e fortë e ekipit të selektorit Pierluigi Tami. Zvicra do të takohet të mërkurën mbrëma (sonte) me Republikën Çeke, në gjysmëfinale të evenimentit.

Ndërsa Spanja, e cila pati dy lojtarë në Botërorin e fundit në nivelin senior, do ta ketë përballë Bjellorusinë. Zvicra e fitoi Botërorin në nivelin U17 në Nigeri, dy vjet më parë. Disa lojtarë, përfshirë këtu edhe Granit Xhakën e Pajtim Kasamin, tashmë janë pjesë e ekipit U21, i cili po merr pjesë në Danimarkë.

Zviceranët edhe para fillimit të evenimentit e synonin minimum gjysmëfinalen. “Çdo gjë është e mundshme. Kemi mundësi të mëdha, dëshirojmë të kalojmë fillimisht në finale”, tha selektori Tami.

Tami: Shaqiri na sjell kualitet

Lojtari kryesor i Zvicrës U21 në Danimarkë është pa dyshim Xherdan Shaqiri. Mesfushori i Baselit e udhëhoqi ekipin helvetik drejt gjysmëfinales. Kontributin e tij të madh nuk e mohon as selektori Pierluigi Tami.

“Shaqiri ka personalitet dhe na shton neve kualitetin. Ai punon për ekipin dhe për ekipin”, tha Tami. Ndeshja ndërmjet Zvicrës dhe Republikës Çeke do të fillojë në orën 21:00.
(gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment