Vujanovic: Nuk ka rrezik nga “Shqipëria e madhe”

Presidenti malazez Filip Vujanovic, duke komentuar pohimet e presidentit serb Boris Tadic, se ideja e krijimit të “Shqipërisë së madhe” është realitet, ka thënë se Mali i Zi nuk ka rrezik nga projekti i “Shqipërisë së madhe”.

“Mali i Zi ka afirmuar vlerat e shtetit qytetar, ndërsa shqiptarët e përjetojnë Malin e Zi si shtet të tyre. Mali i Zi u mundëson realizimin e plotë dhe ruajtjen e identitetit kombëtar në shkallë të standardeve më të larta, prandaj jam i bindur se nuk ekziston çfarëdo rreziku që do të ishte në kundërshtim me interesat e Malit të Zi”, ka thënë Vujanovic në një intervistë për gazetën “Veçernje novosti”, transmeton Qik.

Ndërsa sa i përket raporteve mes Serbisë dhe Kosovës, Vujanovic thotë se i gëzohet dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ndonëse e konsideron pak si të vonuar. “Çdo gjë që arrihet me marrëveshje, në marrëdhëniet e tyre të ndërsjella, për Malin e Zi do të jetë e pranueshme”, thotë Vujanovic.

Sipas tij, Mali i Zi nuk duhet asgjë të sugjerojë, as të vlerësojë as të parashikojë. “Gjithmonë kemi qenë të ndjeshëm ndaj sugjerimeve jashtë Malit të Zi, andaj, mbase është e natyrshme që këtë mos t’ua bëjmë të tjerëve”, shprehet kreu i shtetit malazez.
Ndërkaq lidhur me kushtin e Podgoricës për ngritjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, Vujanovic përsëriti se shkëmbimi i ambasadorëve është i mundshëm atëherë kur malazezët të njihen si minoritet në Kosovë dhe t’u sigurohet përfaqësim autentik në parlamentin e Kosovës.

Por si duket Vujanovic nuk është i informuar se tashmë ka nisur procedura për ndryshimin e kushtetutës së Kosovës për njohjen e malazezëve dhe kroatëve si minoritet, sepse ai nuk e përmendi këtë fakt.






(www.telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment