Dy autorët e fjalorit kanë punuar rreth tre vjet e gjysmë për hartimin e tij, pasi, sipas Memushajt, pasqyrimi i leksikut të shqipes në fjalorët normalë është i pamjaftueshëm. Fjalori pasqyron në mënyrë sa më të plotë atë pasurim dhe shpërthim të gjuhës shqipe në të gjitha stilet, gjinitë, sidomos në këto 20 vitet e fundit, që është arritur falë punës së lëvruesve të shqipes dhe të përkthyesve. “Edhe gjuha jonë të shkruhet nga të gjithë ne mundësisht sa më njësoj. Fjalori nuk është ezaurues, që të ketë të gjitha format e një fjale. Atë e bëjnë vepra të tjera. Ne kemi atë fjalë që kemi menduar se kjo duhet përdorur" - tha studiuesi Ali Dhrima.
Studiues të gjuhës e cilësuan fjalorin si të nevojshëm në të gjitha fushat, por, sipas tyre, shumë fjalë dhe fraza të reja që janë përfshirë në të duhet të marrin më parë miratimin e standardit zyrtar. Për akademikun Mehmet Çeliku kjo vepër mund të botohej pasi të ripunohej drejtshkrimi dhe të bëheshin disa ndryshime për ta përmirësuar atë.” Ky fjalor po botohet në kohën kur ka kërkesa për rishikimin e normës letrare nga shumë ekspert të gjuhës, madje për këtë u mbajt dhe një takim mbarëkombëtar i gjuhës në qytetin e Durrësit, i cili doli në konkluzionin se ka ardhur tashmë koha që të rishikohet standardi i gjuhës.
Në një moment që akademikët dhe gjuhëtarët janë ndarë në dy kampe përsa i përket standardit të gjuhës, dy gjuhëtarët, Dhrima dhe Memushaj, punonin për të nxjerrë në dritë 40 mijë fjalë të reja në Fjalorin e dytë Drejtshkrimor të gjuhës shqipe, që në total përmban rreth 75 mijë fjalë. Fjalori është një vepër prej 925 faqesh dhe do të sjellë në duart e lexuesve rreth 75 mijë fjalë.
Studiues të ndryshëm e kanë vlerësuar punën e dy autorëve. Pas Kongresit të Drejtshkrimit (1972), janë botuar një sërë veprash të rëndësishme, të gjuhës standarde, si: “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” (1973), “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe” (1976), “Fjalori i gjuhës së sotme letrare” (1980), “Fjalori i shqipes së sotme” (1984), “Gramatika e gjuhës së sotme shqipe e Morfologjia” (1995), “Sintaksa” (1997)… dhe “Fjalori i Gjuhës shqipe” (2008) i Mehmet Elezit. Në i fakt ky i fundit është fryt i një pune 8-vjeçare i akademikut Mehmet Elezi, që përmban rreth 41 000 fjalë e rreth 54 000 kuptime, të cilat nuk gjenden në fjalorët e Akademisë së Shkencave të viteve 1980 e 2002. Fjalori ka edhe rreth 5 300 shprehje frazeologjike..
(www.mapo.al)
No comments:
Post a Comment